Ja si do të llogaritet pensioni i minatorëve

    733
    Sigal

    Ligji i pensionit për minatorët e nëntokës. Kujt i lind e drejta për të përfituar para datës 31 janar 2014 dhe pas 1 janarit 2015

    Hyn në fuqi vendimi nr. 78, datë 28.1.2015 për zbatimin e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”. Ky vendim i shtrin efektet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit për pensionet e minatorëve të nëntokës, ndërsa për kontributet, efektet financiare fillojnë nga 1 janari i këtij viti. Në këtë vendim janë përcaktuar kushtet dhe mënyra si do të marrin pensionin minatorët, kur u ka lindur e drejta para datës 31 dhjetor 2014 dhe pas 1 janarit 2015. Pensioni i pleqërisë për punonjësit që kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore ku ka vendbanimin. Procedura e aplikimit, dokumentacioni i kërkuar si dhe procedura e caktimit, administrimit dhe pagesës së pensioneve përcaktohen me rregullore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Llogaritja e pensioneve të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë, bëhet nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, ku minatori ka qendrën e tij të banimit. Personave, që plotësojnë kushtet për përfitim sipas përcaktimeve, deri në datën 31.12.2014, pensioni do t’u llogaritet sipas dispozitave ligjore në fuqi deri në këtë datë. Masës së pensionit të llogaritur do t’i shtohen dhe kompensimet e të ardhurave sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave.

     Periudha e sigurimit në nëntokë dhe ajo e përgjithshme

    -Njihet si periudhë sigurimi në procese pune, në nëntokë, deri në datën 30.9.1993, çdo periudhë pune e kryer sipas kritereve të përcaktuara në kreun I, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar;

    -Njihet si periudhë sigurimi në procese pune, në nëntokë, pas datës 30.9.1993, çdo periudhë pune e kryer dhe e dokumentuar, sipas kritereve të përcaktuara në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror;

    – Pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, njihet si periudhë sigurimi në procese pune, në nëntokë, puna e kryer dhe e dokumentuar në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror, vetëm kur janë derdhur kontributet shtesë, në masën 5 % të pagës bruto, për efekt kontributi.

    – Për personat që, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, përfitonin trajtimin e veçantë financiar sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar:

    1) do të konsiderohet periudhë sigurimi në procese pune, në nëntokë, periudha që është njohur dhe miratuar, si periudhë pune në nëntokë, në vendimin e caktimit të trajtimit të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë;

    2) do të konsiderohet periudhë sigurimi e vlerësuar me pagë minimale edhe e gjithë periudha nga data e fillimit të trajtimit të veçantë financiar deri në datën e fillimit të pensionit;

    3) paga neto për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensionit, kur e drejta për përfitim lind deri në datën 31.12.2014, sipas periudhës së zgjedhur, do të jetë paga neto e tri viteve rresht në dhjetë vitet e fundit të punës, e indeksuar me indekset e përcaktuara nga Ministria e Financave, kur pagat përzgjidhen përpara datës 1.10.1993 dhe me vendime të Këshillit të Ministrave për periudhën pas datës 1.10.1993.

    – Të gjitha periudhat e njohura si periudha sigurimi në zbatim të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të njihen si periudha sigurimi të përgjithshme për efekt të këtij ligji.

     

    Kontributet

    1. Punonjësit, që kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, do të paguajnë kontributet e detyrueshme, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe kontributet shtesë, sipas nenit 6, të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”. Kontributi shtesë do të llogaritet dhe do të paguhet në masën 5 % të pagës bruto, brenda kufirit të pagës minimale dhe maksimale, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky kontribut shtesë do të paguhet në masën 3 % nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi.

    2. Punëdhënësit e punonjësve, që kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, janë të detyruar të llogaritin dhe të derdhin kontributin shtesë në të njëjtën llogari dhe me të njëjtën procedurë, si për kontributin e detyrueshëm të sigurimit shoqëror. Evidentimi i procesit të punës në nëntokë do të bëhet në kolonën, “kontribut shtesë” në formatin e deklaratës së listëpagesës së miratuar.

    Procedurat e caktimit të pensioneve

    – Në zbatim të nenit 7, të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, pensioni i pleqërisë për punonjësit që kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore ku ka vendbanimin. Procedura e aplikimit, dokumentacioni i kërkuar si dhe procedura e caktimit, administrimit dhe pagesës së pensioneve përcaktohen me rregullore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

    – Llogaritja e pensioneve të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë, në zbatim të neneve 3 e 4, të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, bëhet nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore ku minatori ka qendrën e tij të banimit.

    – Pensioni llogaritet sipas përcaktimeve në nenet 32 e 59, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, në varësi të momentit kur subjekteve përfituese u lind e drejta për përfitim të pensionit sipas ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.

    – Personave, që plotësojnë kushtet për përfitim sipas përcaktimeve të këtij ligji, deri në datën 31.12.2014, pensioni do t’u llogaritet sipas dispozitave ligjore në fuqi deri në këtë datë. Masës së pensionit të llogaritur do t’i shtohen dhe kompensimet e të ardhurave sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, nr. 471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”, nr. 401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr. 763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr. 415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr. 477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”.

    – Nëse e drejta për përfitim, sipas nenit 3, të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, u ka lindur ish punonjësve të nëntokës, që përfitonin trajtimin e veçantë në përputhje me ligjin nr. 8685, datë 9.11.2000, të ndryshuar, deri në datën 31.12.2014, do të veprohet, si më poshtë vijon:

    a) Kur kërkesa për pension është paraqitur brenda vitit nga data e lindjes të së drejtës, por deri në atë moment kanë tërhequr trajtimin e veçantë financiar, pensioni do të caktohet sipas neneve 32 e 59, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, në fuqi deri më 31.12.2014, me datë fillimi nga data e lindjes të së drejtës dhe do të paguhet diferenca mes pensionit të pleqërisë dhe trajtimit të veçantë financiar si punonjës i nëntokës;

    b) Kur kërkesa për pension është paraqitur pasi ka kaluar një vit nga data e lindjes të së drejtës, por deri në atë moment kanë tërhequr trajtimin e veçantë financiar, pensioni do të caktohet sipas neneve 32 e 59, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, në fuqi deri më 31.12.2014, me datë fillimi pagese nga data e paraqitjes së kërkesës dhe do të paguhet vetëm diferenca mes pensionit të pleqërisë dhe trajtimit të veçantë financiar si punonjës i nëntokës, nga data e paraqitjes së kërkesës.

    – Për rastet kur subjekteve përfituese të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, të cilat përfitonin trajtimin e veçantë sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, u lind e drejta për përfitim pas datës 31.12.2014, pensioni do të caktohet sipas neneve 32 e 59, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar me ligjin nr. 104/2014, datë 31.7.2014. Përfitimet sipas ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, do të jenë objekt auditimi nga organet përkatëse audituese të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në përputhje me rregulloren përkatëse.