Ja si do llogariten pensionet e minatorëve që nga 16 dhjetori

    560
    Sigal

    Ligji për pensionet e minatorëve të nëntokës hyn në fuqi në datën 16 dhjetor, 15 ditë pas zbardhjes në Fletoren Zyrtare. Ligji nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë…”, i miratuar në datë 6.11.2014, është zbardhur në Fletoren Zyrtare nr.182 në datë 1 dhjetor 2014. Neni 13 të këtij ligji thuhet: “Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”. Sipas këtij ligji, punonjësit e nëntokës dalin në pension në moshën 55 vjeç, me periudhë sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj në procese pune në miniera, në nëntokë, me përjashtim të ish-punonjësve të nëntokës që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, të cilët do të përfitojnë pension sipas këtij ligji kur të arrijnë moshën 55 vjeç dhe të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, përfshirë këtu edhe periudhën e trajtimit të veçantë financiar, nga të cilat, jo më pak se 11 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë.

    Masa e pensionit

    Sipas këtij ligji, “Pensioni do të llogaritet sipas përcaktimeve të neneve 32 dhe 59, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Dhe meqë ligji për pensionet e minatorëve të nëntokës hyn në fuqi në 16 dhjetor, atëherë, të gjithë ata që mbushin 55 vjeç, por dhe shumë të tjerë që e kanë tejkaluar këtë moshë do të marrin një masë pensioni, i cili do të llogaritet sipas ligjit të vjetër, që është në fuqi deri në 31 dhjetor të këtij viti (më saktë sipas nenit 32 dhe 59 të këtij ligji). Sipas kësaj mënyre, asnjë minator nuk do të marrë pension maksimal, pavarësisht pagës së marrë, pasi ai llogaritet në masën “75 për qind e pagës neto mesatare të 3 vjetëve rresht të 10 vjetëve të fundit të punës të personit të siguruar” dhe pothuaj, asnjë minator nuk ka 3 vjet rresht punë. Kjo, sepse, herë-herë kanë pasur greva, herë-herë është ndërprerë puna për shkak të përmbytjeve, herë-herë ndërpritej puna se nuk shitej minerari, apo hera-herës ndërpritej puna nga kontrollet e Inspektoratit Shtetëror. Ndërprerje të tilla penalizojnë minatorët të cilët nuk mund të bëjnë dot 3 vjet rresht në punë të siguruar, ndaj edhe nuk mund të arrijnë masën e pensionit maksimal. Ndërkohë që, specialistë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kanë dhënë dhe shifrat përkatëse të masës së pensionit që mund të marrin minatorët me ligjin e ri:

    Minatorët që trajtohen me trajtim të veçantë financiar

    Kështu, një fitore e madhe është për të gjithë ata persona që aktualisht përfitojnë trajtim të veçantë financiar si punonjës të minierave të nëntokës, sipas Ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, pasi të gjithë ata nga 9 000 lekë që marrin aktualisht, me ligjin e ri do të përfitojnë rretj 14 500 lekë. Porse duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kërkojnë të drejtën, e sanksionuiuar me ligjin e ri që në hyrjen në fuqi të tij, pasi në nenin 9 ntë tij thuhet: “Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar si punonjës të minierave të nëntokës, sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një

    trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, që plotësojnë kushtet e këtij ligji, kanë të drejtë të zgjedhin mes përfitimit që kanë dhe përfitimit që u lind nga ky ligj”. Sipas këtij neni, janë ata që duhet të kërkojnë të drejtën që u rrjedh nga ligji i ri, ndërsa përfitojnë me hyrjen në fuqi të këtij ligji rreth 3400 minatorë që sot trajtohen me trajtim të veçantë financiar.

    Minatorët që pensionohen me ligjin e ri

    Po sipas specialistëve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale minatorët e tjerë të nëntokës, të cilët dalin në pension sipas ligjit të ri, (i kanë mbushur ose mbushin moshën 55 vjeç në 16 dhjetor e tutje), do të marrin pension në masën prej 21 000 lekësh. Porse specialistët nuk e kanë qartësuar nëse këtë masë pensioni do e marrin të llogaritur sipas ligjit të vjetër apo të ri të pensioneve.

      Masa e pensionit sipas ligjit të vjetër

     Neni 32: Masa e pensionit

    1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

    2. Shuma bazë e pensionit që u jepet gjithë personave të siguruar, duhet të sigurojë të paktën një standard jetese minimal, i indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

    3. Shtesa që u jepet personave të punësuar, do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Këshilli i Ministrave të indeksojë çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara në këtë vit.

    4. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë, ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 vjetëve rresht të 10 vjetëve të fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Paga neto mesatare e 3 viteve të njëpasnjëshme të 10 viteve të fundit të punës së personit të siguruar indeksohet çdo vit, sipas rregullave të indeksimit të bazës së vlerësuar.

    Masa e pensionit sipas ligjit të ri

    Masa e pensionit

    1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

    2. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social.

    3. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të këtij ligji.

    4. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.”.