Ja se çfarë do të ketë nesër testi i Matematikës

    488
    Sigal

    Provimet e Lirimit, testohen 47 500 nxënës në lëndën e Matematikës

    Nesër do t’i nënshtrohen provimit  të Matematikës  rreth 47 500 nxënës të klasave të nënta, nga të cilët 500 janë mbetës nga viti i kaluar. Ky është dhe hapi i fundit për të finalizuar arsimin e detyruar. Gjithçka më pas, do të jetë në dëshirën e nxënësve, nëse duan të vazhdojnë më tej apo jo. Provimi fillon në orën 10.00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Testi do të ketë 25 pyetje në total dhe vlerësimi maksimal do të jetë me 50 pikë. Nga këto, 13 pyetje janë me alternativë dhe 12 me zhvillim. “Testi është i një shkalle vështirësie mesatare. Por, sigurisht që për pretendentët ka një shkallë vështirësie më të lartë, duke qenë se 20 për qind e testit është e nivelit mbi mesatar. Pra, ka një nëndarje të tillë që 40 për qind e pyetjeve janë të nivelit nën mesatar, 40 për qind e pyetjeve janë të nivelit mesatar, ndërsa 20 për qind e pyetjeve i përket nivelit mbi mesatar”, shprehet për  gazetën “Telegraf”, Fatmir Vejsiu, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH. Sipas Vejsiut,  provimet do të zhvillohen kryesisht në shkollat përkatëse. Në rastet kur shkolla ka shumë pak nxënës dhe kryesisht këto janë shkollat në zonat e thella, atëherë ato duhet të vendosen në një klasë të përbashkët me shkollën më të afërt. Meqë ata janë në moshë të mitur, jo si maturantët, nuk mund të lëvizen në distanca të mëdha. “Testi hartohet nga AKP në kushte sigurie, por jo me ngujimin e njerëzve. Testi, një ditë para provimit, pra sot, merret nga Drejtuesi i Zyrës Arsimore dhe shpërndahet të nesërmen. Administrimi gjatë provimit është i njëjtë me maturën shtetërore nga Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar (IKAP). Edhe provimet e lirimit janë të përqendruara, por jo si matura, ka më shumë qendra provimesh. Ndërsa  vlerësimi bëhet në DAR /ZA, pra në 38 qendra dhe vëzhgohet nga IKAP” shprehet Vejsiu. Drejtori i Arsimit Parauniversitari i bën apel për sa i përket shkollave dhe monitorimit që të vlerësojnë  me seriozitet maksimal respektimin e rregullave dhe ruajtjen e sekretit.

    Vlerësimi

    Sipas rregullores së shpallur në faqen zyrtare të MASH, për provimet e lirimit 2013, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë  nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë Drejtorive Arsimore ose Zyrave Arsimore, skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota. Pas çdo provimi, dërgohet skema e vlerësimit ne Komisionin Shkollor të Provimeve të Lirimit, e cila afishohet dhe informon çdo nxënës për të. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga DAR/ZA, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është  përfundimtar. Ndërkaq, DAR/ZA ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Së fundi, nga sa përcakton rregullorja, shpallja e rezultateve do të bëhet jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi. Sa i përket ambienteve se ku do të zhvillohen Provimet e Lirimit, MASH ka vendosur që si mjedise të Provimeve të Lirimit, të shërbejnë vetëm shkollat publike.

    MATURA, PROVIMET ME ZGJEDHJE

    Pasi janë testuar në provimet e detyrueshme, përkatësisht provimet e Gjuhë-Letërsisë dhe Matematikës, tani testimi i radhës për maturantët është ai i lëndëve me zgjedhje. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të ketë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative (që vlerësohem me 1 pikë secila), dhe 10 pyetje të tjera do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Në total testi i provimeve me zgjedhje do të ketë 40 pikë. Maturantët apo kandidatët që do të japin këtë vit si provim vetëm një lëndë me zgjedhje, do ta nisin provimin në orën 11:00 dhe kanë kohë deri në orën 13:00 për ta përfunduar. Provimi për ta, do të zhvillohet në mjedise me vete, ndërsa maturantët mbetës kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (në vjeshtë). Brenda muajit mars institucionet përgjegjëse AKP dhe DEPU, duhet të përcaktojnë sasinë dhe llojin e testeve që nevojiten për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore 2013 (të detyruara dhe me zgjedhje).