Ja sa taksa do të paguajmë nga 1 Janari

657
Sigal

Qeveria pritet të miratojë sot paketën fiskale 2014

Qeveria do të miratojë sot paketën fiskale, për t’i hapur rrugë dërgimit të draftit në komisionet parlamentare. Ministria e Financave, në bashkëpunim me ekspertët e FMN-së dhe Bankës Botërore kanë hartuar variantin përfundimtar të paketës fiskale. Në mbledhjen e dytë të Këshillit Ekonomik Kombëtar janë vënë piketat, edhe pse me kundërshtimin e qartë të biznesit, për rritjen e taksave për sipërmarrjen dhe uljen e tatimit mbi të ardhurat për pjesën më të madhe të rrogëtarëve. Në total, efekti vetëm nga shtesa e barrës fiskale arrin në 180 milionë dollarë. Kaq është shuma që do paguajmë më shumë për të njëjtat prodhime dhe shërbime në vitin 2014. Sipas këtij drafti, duke filluar nga 1 Janari, për pagat deri në 30 mijë lekë nuk do të paguhet tatim, për pagat nga 30 mijë deri në 130 mijë lekë tatimi do të jete 13%, ndërsa për pagat mbi 130 mijë do të jetë 23%, qeveria do të miratojë nesër paketën fiskale. Ministria e Financave ka hartuar draftin përfundimtar, sipas të cilit, pagat deri në 30 mijë lekë nuk do të tatohen. Ato nga 30 deri në 130 mijë lekë do tatohen 13% dhe për pagat mbi 130 mijë tatimi do të jetë 23%. Përsa i përket tatim fitimit, për biznesin e vogël ai do të zbresë nga 10% që është aktualisht në 7.5%, ndërsa për bizneset e mëdha do të jetë 15%. Tatimi mbi vlerën e shtuar nuk do të ndryshojë, por do të mbetet në 20%, përfshi këtu sektorin e turizmit. Ndërsa subvencioni i TVSH për produktet bazë ushqimore si miell, vezë etj do të jetë 10% për shtresat e varfra. Gjithashtu, qeveria do të rrisë subvencionin për energjinë elektrike për këtë kategori. Rritje do të pësojnë edhe akcizat. Kështu, duke filluar nga 1 janari akciza e cigareve do të rritet nga 70 lekë që është aktualisht në 90 lekë për paketë. Rritja do të vazhdojë edhe në vitet 2015, 2016 dhe 2017 me 10 lekë për paketë. Për duhanin e dredhur parashikohet dyfishim i akcizës, nga 1500 lekë që është aktualisht në 3 mijë lekë. Akciza e alkooleve do të rritet me 30%, rritje edhe për akcizën e pijeve energjike. Akciza e kafes së pjekur do të dyfishohet nga 60 lekë që është aktualisht në 120 lekë për kilogram. Ndryshime do të ketë edhe te taksat kombëtare. Sipas paketës fiskale, taksa e qarkullimit rrugor që paguhet në çmimin e çdo litri karburant do të rritet me 10 lekë. Pra, nga 7 lekë që është aktualisht do të bëhet 17 lekë si për naftën, ashtu edhe për benzinën.

box

Taksat 2014

Tatimi mbi pagat

30 mije lekë, 0 tatim

30-130 mijë lekë, 13% tatim

Mbi 130 mijë lekë, 23% tatim

Tatimi mbi fitimin

Biznesi i vogël ulet nga 10 në 7.5%

Biznesi i madh rritet nga 10 në 15%

Niveli i akcizave

Cigaret rritet nga 70 në 90 lekë/paketë

Duhani i dredhur rritet nga 1500 në 3000 lekë/kg

Pijet alkoolike rriten 30%

Kafja e pjekur rritet nga 60 në 120 lekë/kg

Taksa e qarkullimit

Nafta dhe benzina rritet nga 7 në 17 lekë/litër

Kostoja e krizës në Shqipëri, 2. 5 miliardë dollarë

Rreth 278 milionë euro kanë dalë nga Shqipëria në tremujorin e tretë të vitit, në formë paraje kesh apo depozitash. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kjo është vlera më e lartë e parasë që ka dalë nga vendi që nga tremujori i fundit i vitit 2008, kur ndodhi një tërheqje masive e parave nga bankat nga frika e krizës financiare që sapo pati shpërthyer. Në mungesë të të dhënave më të hollësishme, hipoteza kryesore që mund të shpjegojë daljen e një sasie kaq të madhe paraje mund të jetë pasiguria e individëve apo sipërmarrjeve të caktuara nga ndërrimi i pushtetit në zgjedhjet e Qershorit. Një faktor tjetër mund të jetë transferimi i fondeve jashtë nga institucione financiare, në mungesë të alternativave të investimit në vend. Por, paketa e Bankës së Shqipërisë me masat për nxitjen e kreditimit u përcaktoi bankave koeficiente më të lartë rreziku për vendosjet jashtë vendit, çka natyrisht nuk e inkurajon nxjerrjen e parasë jashtë. Për këtë arsye, nuk besohet që bankat të kenë një pjesë të madhe në nxjerrjen masive të parasë jashtë vendit, që me shumë gjasa është bërë prej individëve apo subjekteve të tjera private. Nga ana tjetër, sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 119 milionë eurove, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin 141 milionë euro. Në total, për 9-mujorin 2013, remitancat kanë rënë me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012. Kriza ekonomike po pasqyrohet qartë në rënien e remitancave, që janë një burim i rëndësishëm për konsumin privat në ekonomi. Megjithatë, në tërësi bilanci i llogarisë korente që mat diferencën mes hyrjes dhe daljes së valutës në ekonomi këtë vit duket më i përmirësuar. Për tremujorin e tretë, deficiti i llogarisë korrente ishte 438 milionë euro, 19% më i ulët krahasuar me një vit më parë.