Ja sa është masa për Ndihmën Ekonomike sipas kategorive përfituese

    409
    Sigal

    Udhëzimi/ Zbardhen kriteret dhe dokumentacioni për të përfituar Ndihmën Ekonomike në zonat pilot

    Zbardhen masat e përfitimit sipas kategorive, kriteret, procedurat dhe dokumentacioni që duhet për të përfituar Ndihmën Ekonomike në zonat pilot: Qarkun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj ka udhëzuar familjarët dhe individët në qarkun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit se mund të aplikojnë për ndihmë ekonomike përmes administratorëve shoqërorë në njësitë e pushtetit vendor në të cilën ata janë të regjistruar brenda 10 ditëve (dhjetë) të para të muajit. Për muajin e parë dhe të dytë të zbatimit të këtij udhëzimi, aplikimi do të jetë deri në datën 20 të muajit përkatës.

    Kush aplikon

    Aplikojnë për ndihmë ekonomike kryefamiljari dhe bashkëshortja e kryefamiljarit, të cilët plotësojnë dhe nënshkruajnë aplikimin për familjen. Bashkëshortja është përgjegjëse për tërheqjen dhe marrjen në dorëzim të përfitimit të ndihmës ekonomike. Kryefamiljari dhe bashkëshortja e kryefamiljarit mund të plotësojnë aplikime të veçanta, nëse ata janë në proces zgjidhjeje të martesës së tyre.

    Kategoritë përfituese dhe dokumentacioni

    -Kryefamiljarët e familjeve pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, ose prindërit e fëmijëve me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror: i) Certifikatë familjare në lidhje me regjistrin familjar për të gjithë ata të cilët janë pjesë e gjendjes familjare të njëjtë; ii) Certifikatë

    pronësie, nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ose aktin e marrjes së pronësisë ose përdorimit të tokës (të drejtën e pronësisë së tokës) për zonat ku nuk ka përfunduar ende regjistrimi i pronësisë.

    – Për familjet kur kryefamiljarët janë në proces ndarje duhet të paraqesin edhe vërtetim nga gjykata, që vërteton se kryefamiljari dhe bashkëshortja, të cilët po aplikojnë veçmas njëri nga tjetri për ndihmë ekonomike, janë në një proces të zgjidhjes së martesës dhe akoma nuk ka një vendim të formës së prerë.

    – Individët që kanë marrë statusin e jetimit që nuk jetojnë në institucionet e përkujdesjes në muajt e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror: i) Certifikatën familjare; ii) Një kopje të noterizuar të statusit të jetimit; iii) Vërtetim si punëkërkues i papunë, të lëshuar nga zyra e punës, për jetimët mbi moshën 18 vjeç.

    – Prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror: i) Kërkesë për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike si

    3, 4, 5-njakë; ii) Certifikatë familjare që vërteton lindjen e fëmijëve 3-4-5-njakë; iii) Verifikimi social-ekonomik i familjes nga administratori shoqëror, që është familje në nevojë.

    – Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror: i) Certifikatën individuale; ii) Fotokopjen e kartës së identitetit; iii) Vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit.

    – Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të

    urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror: i) Certifikatën familjare; ii) Urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes; iii) Fotokopje të kartës së identitetit të aplikuesit.

    – Aplikuesit duhet, gjithashtu, të shoqërojnë aplikimin e tyre me një fotokopje të kartës së identitetit të aplikuesit dhe një fotokopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes, të cilët kanë kartë identiteti.

    – Për familjet me persona me aftësi të kufizuar, një kopje/fotokopje e vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë për familjet e përbëra nga

    persona invalidë të punës apo persona me aftësi të kufizuar, të cilët marrin pagesë paaftësie.

    Ndihma Ekonomike sipas kategorive

    Drejtoria rajonale pas vlerësimit sipas sistemit të pikëzimit për familjarët dhe individët në qarkun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, llogarit masën e ndihmës ekonomike. Pavarësisht nga përbërja e saj, masa maksimale e plotë e ndihmës ekonomike për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.

    Prindërit me shumë fëmijë

    Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit e fëmijëve të lindur:

    a) trinjakë, është 3 000 (tre mijë) lekë për çdo fëmijë;

    b) katërnjakë, është 4 000 (katër mijë) lekë për çdo fëmijë;

    c) pesënjakë, është 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo fëmijë.

    Viktimat e trafikimit

    3 000 lekë në muaj është masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit dhe përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.

    Viktimat e dhunës

    3 000 lekë në muaj është masa e ndihmës ekonomike për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes

    ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.

    Familjet

    Masa e ndihmës ekonomike për familje llogaritet:

    a) 1800 lekë, për anëtarin e parë të familjes sipas renditjes në certifikatën familjare;

    b) 1260 lekë, për anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç;

    c) 900 lekë për anëtarët që janë në dhe nën moshën 18 vjeç.

    Person i vetëm

    2.600 lekë është masa e ndihmës ekonomike për rastet kur familja e përzgjedhur për të

    përfituar ndihmë ekonomike, është e përbërë vetëm nga një anëtar, i cili është mbi moshë pune.