Ja sa e paguaja një ditë leje, kur isha në Burgun e Peqinit në 2012

1109
Luan MERDANI

Epidemia e korrupsionit nuk ka lënë pa prekur edhe burgjet, madje edhe sektorin e lejeve për të dënuarit, që mbetet veprimi legal më i përfolur. Ka vite që përflitet se “ai i dënuar që shpërblehet me leje, paguan nën dorë tek sekserët para, ndryshe nuk ka shansin ta marrë lejen të shohë familjen edhe sikur të ketë marrë 10 medalje për sjelljen e mirë në burg”. Pothuajse në të gjitha burgjet e vendit, prej vitesh ka patur dhe ka akoma edhe sot episode të njollosjes së detyrës nga sekserët e korridoreve, madje që i joshin të dënuarit përmes “ofertave” duke mos qenë aspak tolerantë në çmimin e tyre. Por duke u ndalur në një rast të ndodhur para disa vitesh mësuam se kjo linjë korruptive, paskësh qenë e vjetër, dhe jo e re. Një ish-i burgosuri që e ka kryer dënimin për afro 7.5 vjet në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, (pasi 6 muaj i kishte përfituar nga amnistia) ka treguar për “Telegraf” fragmente nga “jeta” e qelive, marrëdhënia me shokët e qelive, me kapot, apo edhe me drejtuesit e asaj kohe të atij institucioni. Ai ka treguar se “nuk kishte asnjë ditë leje qëndrimi në familje, në rast se nuk do të paguaje jo më poshtë se 100 euro dita, në rast se nuk kishe mundësi nuk kishe edhe shansin ti shikoje prindërit dhe familjarët e tu, deri ditën e mbarimit të dënimit”. 

Sekserët e drejtorëve

K.K. nga Berati ish-i dënuar qysh në vitin 2004 për një plagosje dhe armëmbajtje pa leje ishte, dënuar me vendimin e formës së prerë me plot 8 vjet burg, të cilin e ka kryer në Berat, Fushë-Krujë dhe së fundi edhe në Peqin. Por duke vazhduar tregimin e tij K.M. tha se “vitet që kalova në Peqin ishin ndoshta më të “artat” për mua, pasi gjithmonë shkoja me leje natyrisht kur gjithmonë paguaja sekserët e drejtuesve, që gjuanin kush kishte para dhe u ofronin atyre oferta si p.sh “do të ikësh me leje, bëj gati lekët, 100 euro dita, po deshe telefon më thuaj mua dhe ujdisemi”. Nga halli dhe malli, nuk kisha çfarë të bëja, njoftoja me celularin e sekserit vëllain tim dhe kunatin tim, vinin ata, nga Berati jepnin lekët dhe shkoja 5 ditë ose 7 ditë sipas mundësive financiare, por atje mësova se kjo ishte bërë gjë e zakonshme. Në periudhën time drejtor ishte D.XH. që sot është bërë me goxha post, dhe besoj se edhe atje për para ka vajtur, mbaj mend se ishte lubi i parasë”. Por si për të vërtetuar rrëfimin e ish-të burgosurit K.K. gjetëm në arkiv se çfarë shkruanin gazetat asokohe, kur ishte data 13 mars e vitit 2012, kur pas denoncimeve dhe rrumpallës në burgun e Peqinit, si një ndër institucionet e sigurisë lartë, ndodhnin raste skandaloze si korruptive, ashtu edhe shthurja e disiplinës dhe rregulloreve.
Arratisja e dy të burgosurve
13 Mars 2012. “Arratisja e dy të burgosurve nga burgu i Peqinit javën e kaluar kanë bërë që drejtori i burgut të Peqinit të pezullohet nga detyra. Shkak është bërë lejet pa kriter të dhëna të dënuarve, si dhe mosrespektimi afateve për kthimin e tyre në vendin e kryerjes së dënimit. Të burgosurit ishin larguar me leje në shtëpi, por nuk janë kthyer më në qelitë e tyre. Në janar të këtij viti (2012) moskthimi në burg pas përfundimit të lejes së një të burgosuri të burgut të Peqinit, penalizoi të gjithë të dënuarit e tjerë duke u mohuar lejet, por edhe drejtorin aktual ndaj të cilit ka nisur hetim administrativ dhe penal ”. Gjithashtu mësohet se Prokuroria Përgjithshme ka nisur në po atë muaj, pra në mars 2012, çështjen penale ndaj ish-drejtorit , i cili akuzohej për shpërdorim detyre dhe shkelje ligjore, pas denoncimeve, edhe për “mitmarrje dhe shpërdorim detyre” pavarësisht se nuk qëndroi gjatë në atë detyrë. Por ish-i burgosuri K.K. tregon se “burgu i Sigurisë së lartë në Peqin, ku janë izoluar sot mbi 1200 persona, popullohet kryesisht nga pjesëtarë të bandave të vitit ‘97 ose quajtur ndryshe “të dënuarit VIP”, dhe shpesh kanë shkaktuar edhe ndonjë incident apo shqetësim për vetë faktin se vijnë nga bota e krimit. Lidhur me bashkëjetesën në vendet e vuajtjes së dënimit, K.K. tregon se “nuk janë vetëm masat e sigurisë, por edhe fakti që burgu Peqinit afron edhe praktimin e tri feve të ndryshme. Të burgosurit myslimanë, në ditë agjërimi, falen në xhaminë e burgut, janë qindra të tillë që i janë bashkuar faljes në xhaminë e ndërtuar brenda mureve të larta te burgut te Peqinit dhe ka prej tyre që agjërojnë, edhe pse kushtet e burgut nuk iu afronin komoditetet e favorshme. Të burgosurit kryejnë ritet fetare për Muajin e Ramazanit me mendimin që mëkatet e bëra, për të cilat vuajnë edhe dënimin, t’i shlyejnë duke arritur pastrimin e shpirtit”. 
3500 euro, vetëm për ditët e lejeve
Ish- i dënuari K.K. u shpreh se “në periudhën kur vuajta dënimin në Peqin, kam harxhuar e pakta 3500 euro vetëm për ditët e lejeve që kam marrë me gjoja pretendimin se “jam sjellë mirë”, por ama kam paguar gjithmonë sekserin. Mendo se çfarë bëhet me ata qindra të tjerë, çfarë fitimi u sjell xhepave të drejtuesve kjo aferë e ndyrë korruptive”. Ish-i burgosuri deklaroi se “edhe kapot paguanin, dhe marrëdhëniet me ata i kisha të mira, nuk kisha ndërmend të krijoja probleme, gjithashtu ka patur raste kur drejtuesit e burgjeve fitonin në ditë edhe 1000 euro, ndërkohë që rrjeti korrupsionit që ka qenë dhe vazhdon të jetë në burgjet tona si pasojë e mungesës së kontrolleve, ka ngritur pallate, vila dhe kanë mbyllur miliona euro në banka, të zhvatura nga xhepat tanë”. Organet kompetente asokohe i kanë mbyllur (ashtu siç po mbyllin edhe sot) dosjet penale në ngarkim të drejtuesve të akuzuar, duke u lënë atyre rrugën e hapur për t’i 10-fishuar milionat tashmë jo me para të burgosurish, por me para tenderash fiktive, apo duke zhvatur gjithmonë paradhënie 25 apo 30 për qind të çdo fondi investimi. 
Sigal