Ja sa do të rriten cigarja dhe karburanti

    344
    Sigal

    Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për Akcizat. Tabela e ndryshimeve të akcizës

    Ndryshon ligji për akcizat. Me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në të parashikohen ndryshime në ligjin aktual të regjimit të akcizës, veç atyre për rritjen e akcizës për duhanin dhe vendosjen e saj për biokarburantet. Në projektligjin e ri parashikohet që: “Në rast të iniciativave për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importimit të mallrave të akcizës nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 15 për qind më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës”. Kjo shifër aktualisht është 20 për qind.

    Relacioni i qeverisë për Ligjin për Akcizën

    Me ndryshimet e propozuara gërshetohen rishikimi i normave të niveleve të akcizës së disa produkteve dhe propozimet për përmirësime administrative të procedurave të administrimit të produkteve të akcizueshme.

    Neni 1 propozon shtrëngimin e masave ligjore për dekurajimin e operatorëve ekonomikë në rritjen e importeve të produkteve të akcizës, nga hyrja në fuqi e një ndryshimi ligjor për rritje/ulje të niveleve tarifore. Rasti më tipik ishte rritja e importeve të akcizës gjatë tremujorit të fundit të vitit 2013, përpara hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës së cigareve më 1 janar 2014. Për këto arsye, propozohet ulja e sasive që u lejohet importuesve, nga 20% në 15% më shumë se mesatarja mujore e vitit pasardhës.

    Neni 2 propozon shfuqizimin e shkronjës “dh”, të pikës 1, të nenit 14. Referuar nenit 10 “Regjimi tatimor” të ligjit nr.9876, datë 14.2.2008, biokarburantet dhe lëndët e tjera djegëse, të rinovueshme, që përdoren në sektorin e transportit, si dhe lëndët e para, që përdoren për prodhimin e tyre, kanë akcizë zero deri në vitin 2018.

    Nenet 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 synojnë rregullimin e masave administrative që ushtron administrata doganore në rast të shkeljeve doganore në fushën e akcizës.

    Neni 12 propozon heqjen e akcizës për produktet me përshkrim “Të tjera (bitum dhe asfalt natyral; asfaltet dhe gurët asfaltikë)”, si dhe rishikimin në rritje të akcizës së cigareve dhe duhanit të dredhur, për tri vitet në vijim.

    Bitumi:

    Me heqjen e akcizës së produktit bitum synohet përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së dhe adresohen kërkesat e vazhdueshme të operatorëve ekonomikë me qëllim uljen e kostove të kësaj industrie dhe zhvillimin e përpunimit. Mbi produktin bitum aktualisht aplikohet si akcizë ashtu edhe rentë minerale.

    Cigaret:

    Propozohet rritje e akcizës së cigareve nga 4500 lekë/1000 copë (90 lekë/paketë), që është aktualisht, në 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë), si dhe 6000 lekë/1000 copë (120 lekë/paketë) duke filluar nga 1 janar 2016; 6500 lekë/1000 copë (130 lekë/paketë) duke filluar nga 1 janar 2017.

    Sipas direktivës së BE-së, niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57% e çmimit të shitjes me pakicë. Nisur nga çmimi mesatar 225 lek/paketa, niveli aktual i akcizës që ne aplikojnë përbën 40% të çmimit të shitjes me pakicë. Rritja e akcizës në vendin tonë ka qenë graduale ndër vite. Kështu, nga  40 lekë/paketa u kalua në 50 lekë/paketë (viti 2006) dhe nga 50 lekë/paketa u kalua në 70 lekë/paketë (viti 2010). Ndërkohë, në vitin 2014 u bë rritja e akcizës nga 70 lekë/paketa në 90 lekë/paketa.

    Me rritjen e propozuar të akcizës së cigareve, më poshtë paraqitet akciza si përqindje ndaj çmimit për tri vitet e ardhshme, duke marrë si çmim mesatar në llogaritje 225 lekë/paketa dhe duke supozuar se rritja e akcizës do të reflektohet në rritje të çmimit të cigareve.

    Akciza si % ndaj çmimit të cigares

    2015    44.2%

    2016    46.0%

    2017    48.0%

    Në linjë me rritjen e akcizës së cigareve propozohet rritja e akcizës së duhanit të

    dredhur me 1400 lekë/ kg deri në fund të vitit 2015 dhe me një rritje prej  700 lekë/kg për 2 vitet në vijim.

    Ledjana Saliu