Ja pikat që do ta përmirësonin planin urbanistik të kryeqytetit

    477
    Sigal

    Intervista/Dekani i Inxhinierisë së Ndërtimit Prof. Andrea Maliqari flet për nevojën e ndryshimeve të kryeqytetit

    Plani urbanistik i kryeqytetit sot ka nevojë për më shumë ndryshime, në mënyrë që të ketë më tepër hapësira dhe më shumë lehtësi për qytetarët. Kjo e parë në syrin e Dekanit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe njëherësh Arkitektit Prof. Andrea Maliqarit, do të përkthehej në një kryeqytet policentrik. Duke folur në një intervistë për “Telegraf”, Prof. Maliqari, ka sqaruar se prania e një qendre monocentrike i shton më shumë vështirësitë, përsa i përket lëvizjes së njerëzve dhe aktiviteteve.  Po ashtu, zoti Maliqari ka bërë të ditur se, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ka dhënë një ndihmë nëpërmjet pedagogëve dhe studentëve të tij, duke ofruar sugjeruar ide për planin rregullues të kryeqytetit në ditët e sotme.

    -Zoti Maliqari, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ka propozuar disa projekte për planin rregullues të kryeqytetit. Sa janë marrë në konsideratë këto propozime që janë bërë?

    -Universiteti Politeknik ka qenë pjesë e planit rregullues të Tiranës në dy aspekte. Në aspektin e parë specialistët tanë kanë qenë pjesë në dy grupet e punës si atij strategjik dhe atij teknik. Së dyti, atelietë tona kanë qenë të orientuara drejt problematikave që kishte plani rregullues i Tiranës, duke ofruar ndihmën tonë nëpërmjet sloganit “Vizioni ynë për Tiranën”. Kjo ka konsistuar më shumë në faktin se si e mendonte universiteti dhe pedagogët pamjen e Tiranës. Atelietë u orientuan  në tre zona kryesore për t’i dhënë zgjidhjen tërësore planit rregullues, por edhe për t’i dhënë zgjidhjen e pjesshme pjesëve të veçanta të kryeqytetit.

    -Cilat kanë qenë tre zonat që ju keni marrë në studim dhe keni sugjeruar projekte?

    -Ne kemi propozuar konkretisht zgjidhjen me problematikat që kishin këto zona. Një nga këto ishte zona historike, një zonë tjetër ka qenë zona që kapte aksin midis Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës. Ndërsa një zonë tjetër ishte një zonë që lidhej me pjesën e universitetit. Këto tre zona ne i kemi studiuar në pesë atelie të ngritura, përfshi edhe një atelie që ishte fryt i bashkëpunimit të shkollës tonë me një nga shkollat në partnere në Francë. Me këtë po punohet për pjesën veriore që përfshin lumin e Tiranës. Këto punë janë prezantuar në dy nivele, e para ishte ekspozita e hapur para se të bëhej shpallja e planit rregullues në maj dhe më pas janë bërë edhe në një ekspozitë në të cilën ishte edhe kryetari i bashkisë, po ashtu këto punë ishin të pranishme edhe në një ekspozitë që u bë në inaugurimin e godinës së Inxhinierisë së Ndërtimit, në të cilën ishte i pranishëm edhe kryeministri.

    -Sa janë marrë në konsideratë propozimet tuaja që janë bërë si Fakultet i Inxhinierisë së Ndërtimit?

    -Mund të them që një pjesë e sugjerimeve të studentëve dhe pedagogëve kanë gjetur pasqyrim në planin rregullues të Tiranës. Ai aktualisht është në fazën e konsultimeve me publikun, janë përcaktuar parimet kryesore dhe tani është faza për të tërhequr mendimet e publikut. Ky është një plan që do të vazhdojë që të plotësohet më pas me studimet pjesore. Ai duhet të përcaktojë detyrimisht parametra të qarta urbane, duke filluar me detajime nga njësia më e vogël urbane, për të kaluar më pas në njësimë më të madhe.

    -Në syrin e një arkitekti, sa i plotësuar është plani urbanistik i kryeqytetit sot?

    -Nëse do të flasim për qendrën e kryeqytetit, ajo është thënë që ka qenë një zgjidhje për momentin. Por edhe ajo i përket planit të përgjithshëm rregullues, sikurse u fillua me një projekt interesant siç qe çarja e aksit të Bulevardit, për të dalë te lumi i Tiranës që u pasua me një projekt. Ashtu do të pasohen të gjitha zonat e tjera me projekte. Por e rëndësishme është që para se këto projekte të fillojnë duhet që të bëhen studime të hollësishme dhe të jenë të jenë të konsultuara. Po ashtu ato duhet që të jenë me parametra të qarta.

    -Çfarë duhet shtuar më shumë, për t’u plotësuar plani urbanistik mbi të cilin po punohet?

    -Në planin rregullues të Tiranës, janë përcaktuar shumë elementë. Sigurisht që gjelbërimi ka qenë një nga elementët e rëndësishëm dhe që e plotëson këtë plan. Kjo do të bëhet duke e filluar që nga njësia më e vogël dhe deri tek parqet rajonale. Nëse do ta shikoni me kujdes planin rregullues që është paraqitur në muajin maj i është kushtuar një rëndësi e veçantë kurorës së gjelbër. E rëndësishme është që të ruhet kjo kurorë e gjelbër dhe më pas të rregullohet edhe më mirë më tej. Ajo që është më e rëndësishme është që zhvillimi që ka pësuar Tirana, kërkon domosdoshmërisht trajnim jo me një qendër, por trajtimin me shumë qendra dhe kjo është një arritje po ashtu mjaft e mirë e planit rregullues që është aktualisht. Kjo do të bëjë që të gjitha këto aktiviteteve të afrohen më shumë tek njerëzit, duke eliminuar tërë atë kaos që duhet të kalonin qytetarët për të marrë shërbimet e duhura. Por njëkohësisht përcaktimi i këtyre pesë poleve që janë përcaktuar i jep një zhvillim akoma më të madh dhe e shtrin hierarkinë e qytetit edhe më gjerë.

    -A ka pasur vende të mbetura bosh në fazën e dytë të plotësimit të Formularit A3?

    -Mund të them që nga plotësimi i Formularit A3, i cili u mbyll para pak ditësh kanë mbetur disa vende bosh. Konkretisht janë 5 vende bosh tek Inxhinieria e Ndërtimit dhe dy ose tre vende të tjera tek gjeodezia. Por këto vende do të digjen, sepse nuk mund të plotësohen më. Më shumë këto kanë ngelur bosh për faktin se personat mund ta kenë gjetur veten fitues në një degë tjetër në fazën e parë dhe janë regjistruar atje.