Ja paratë që do të marrin 61 bashkitë e reja nga Shkodra në Konispol

655
Qeveria shqiptare ka shpërndarë 11.8 miliardë lekë në formën e grantit të pakushtëzuar për Njësitë Qeverisjes Vendore (NJQV), ku pjesën më të madhe të fondit e kanë marrë bashkitë e mëdha për shkak të numrit të madh të popullsisë që administrojnë. Në bazë të skemës së re që vuri në zbatim Ministria e Financave këtë vit për ndarjen e grantit, ky financim nga buxheti qendror duhet t’u sigurojë NJQV-ve diferencën mes kostos së ushtrimit të funksioneve (nevojat për shpenzime) dhe të ardhurave që ato krijojnë në mënyrë të pavarur (kapaciteti fiskal). Duke qenë se NJQV-të janë të ndryshëm për sa i përket nevojave dhe kapacitetit fiskal, në një sistem efikas dhe të barabartë të ndarjes së transfertës së pakushtëzuar duhet të merren parasysh diferencat tek të dy dimensionet. 
Fondet më të ëmdah shkojnë në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier
Pjesa më e madhe e fondeve i ka takuar bashkisë së Tiranës, e cila ka marrë 12.9 për qind të grantit të 2016 ose mbi 1.5 miliardë lekë. Vlerat e larta të financimit shpërndahen edhe për bashkitë e tjera të mëdha. Njësia e re e Durrësit financohet me 4,8 për qind të fondit total ose me 573 milionë lekë, bashkia e Elbasanit ka marrë 489 milionë lekë ose 4.2 për qind të totalit dhe Bashkia e Fierit ka marrë 419 milionë lekë ose 3.5 për qind të totalit. Fondet më të ulta kanë marrë bashkitë e vogla, si ato të Delvinës, Cërrikut, Memaliajt etj.
Formula e Ministrisë së Financave
Ministria e Financave ka sqaruar se formula e re e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar identifikon nevojat për shpenzime të bashkive duke u bazuar tek popullsia relative, dendësia e popullsisë për çdo njësi (që kap diferencat në koston e ushtrimit të funksioneve ndërmjet bashkive) dhe tek numri faktik i nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në çdo bashki. Përveç përllogaritjes së kostove që bëhet nëpërmjet komponentit të dendësisë, formula e re e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar sjell edhe ekualizimin e kapacitetit fiskal (të matur nga të ardhurat faktike nga taksat e ndara ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore), të cilat mblidhen dhe u transferohen plotësisht ose pjesërisht bashkive nga administrata tatimore qendrore. Ekualizimi fiskal bazohet në të ardhurat faktike nga tatim fitimi i thjeshtuar i biznesit të vogël, nga taksa vjetore e automjeteve të përdorura dhe taksa e kalimit të pasurisë për pasuritë e paluajtshme të shitura nga personat juridikë. Madhësia e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2016 është 4.67% e të ardhurave publike faktike nga tatimet dhe doganat të vitit 2014. Transferta e pakushtëzuar për një bashki ose qark është e barabartë me shumën përkatëse që rezulton nga aplikimi i formulës së re për shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë dhe qarqet.

Sigal