Ja lista e pronarëve që përfitojnë kompensim

    530
    Sigal

    Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave: 50 përfitues për fondin 300 milionë lekë

     AKKP do të kompensojë vetëm 50 pronarë për fondin 300 milionë lekë, të akorduar për këtë vit. Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato. Gjatë një konference për shtyp, Qato tha se ka përfunduar procesi i shqyrtimit dhe vlerësimit për 356 dosje dhe përfitues do të jenë 50 aplikantë. Sipas saj, vendimi për shtyrjen e afatit ligjor deri në shpalljen e fituesve u bë nga nevoja për të marrë në shqyrtim dosjet e paverifikuara, duke qenë se numri i tyre ka qenë i lartë. “Agjencia sapo ka përfunduar procesin e kompensimit financiar për vitin 2013. Nga 1098 aplikime, u përmbyllën me vlerësim 358 dosje, 200 prej të cilave u verifikuan 45 ditët e fundit, pasi u mor vendimi për shtyrje afati të procedurës administrative 3-mujore. Si konkluzion, nga fondi 300 milionë lekë të akorduara nga buxheti i shtetit për vitin 2013, përfitojnë këtë vit 50 aplikues, trashëgimtarë ligjorë të subjektit të shpronësuar”, -tha Qato.

    Ndryshime në skemat e kompensimit

    Ndërsa bëhet e ditur se viti 2014 do të shënojë ndryshime edhe në skemat e kompensimit të pronarëve. Sipas drejtoreshës së AKKP, do të propozohen ndryshime legjislative për t’i dhënë përparësi kompensimit fizik. “Këtë vit jemi duke punuar edhe për propozime legjislative konkrete për të vënë në jetë kompensimin fizik, në mënyrë që të akordohen sa më shumë kompensime”, u shpreh Qato. Strategjia e kompensimit financiar ka nisur implementimin që nga viti 2005. Ekspertët e konsiderojnë të dështuar, duke qenë se deri më tani numri i pronarëve që kanë përftuar shpërblimin financiar ka qenë i reduktuar. Në harkun e tetë viteve kanë përfituar vetëm 717 pronarë. Ndërkohë, nga ana e institucioneve përgjegjëse ende nuk disponohet vlera e faturës që do të finalizonte këtë proces. Sipas Qatos, po punohet për përllogaritjen e kostos që duhet, në mënyrë që pronarët e shpronësuar të përfitojnë atë që u takon. Për vitin 2014, në buxhetin e shtetit janë përcaktuar 300 milionë lekë në adresë të ish-pronarëve dhe 1.3 miliardë lekë për pronarët e shpronësuar për efekt legalizimi.

     Në vitin 2014 nis dhënia e certifikatave për tokat bujqësore

     “Buxheti i vitit 2014 për bujqësinë është 50 për qind më i lartë se i vitit që po mbyllim dhe më i larti që kjo ministri ka përfituar ndonjëherë”. Në një konferencë për median, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh se vitin që vjen do të nisë edhe shpërndarja e certifikatave për tokat bujqësore. “Ky është fillimi i procesit të mbylljes së një kalvari 20-vjeçar për tokat bujqësore dhe krijimit të bujqësisë së mbijetesës dhe jemi të vendosur që këtij modeli do i japim fund. Certifikatat e tokave bujqësore do nisim t’i shpërndajmë që nga viti 2014 me qëllim që të kemi një bujqësi modele. Buxheti i bujqësisë njeh një rritje prej më shumë se 50 për qindësh. Ajo që do të ndryshojë nuk është thjeshtë rritja e masës së financimit, por se si ne në çdo fazë do t’i shfrytëzojmë. Ne jemi të vendosur që të mbështesim rezultatin”, tha gjatë fjalës së tij, ministri Panariti. Panariti foli edhe për subvencionet që janë dhënë nga kjo ministri në ndihmë të fermerëve, bujqve apo blegtorëve. Sipas tij, janë dhënë para për parcela me pemë që janë braktisur, apo për tufa me bagëti që bëheshin bashkë për të marrë paratë.

    listën e pronarëve e gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Telegraf