Ja kush përfiton, sipas ligjit përfundimtar

    434
    Sigal

    Miratohet në Kuvend me 77 vota pro Ligji për Dëmshpërblimin e ish të Përndjekurve

    Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 77 vota pro projektligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Ky projektligj, sa i takon procesit të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve, u jep përparësi në kompensim ish të burgosurve politikë që janë gjallë dhe trashëgimtarëve të radhës së parë, që janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Sipas këtij ligji, çdo fond vjetor ndahet në 70% për dëmshpërblimin e personave që janë në kategorinë prioritare dhe 30% për të dëmshpërblyer trashëgimtarët e ish të dënuarve politikë.

    Në grupin e përfituesve që trajtohen me përparësi përfshihen: ish të dënuarat politike gra; ish të dënuarit politik me moshë mbi 75 vjeç; ish të dënuar që vuajnë sëmundje të rënda; ish të dënuar të cilët pavarësisht moshës kanë pasardhës në moshë të mitur; të gjithë ata që janë gjallë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij projektligji.

    Gazeta “Telegraf” jep të plotë projektligjin që u miratua në Kuvend, duke përfshirë ndryshimet e tij në komisionet përkatëse

    Projektligji i Plotë

    P R O J E K T L I GJ

    PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9831, DATË 12.11.2007, “PËR DËMSHPËRBLIMIN E ISH-TË DËNUARVE POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST”, TË NDRYSHUAR

    Në mbështetje të neneve 17, 44, 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë V E N D O S I: Në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

    Neni 1

    Në nenin 12 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

     1. Paragrafi i parë, ndryshohet si vijon:

    “Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist, do të ndahet, në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 % për të gjithë kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të përcaktuara në paragrafin e dytë të këtij neni, dhe 30 % për trashëgimtarët e ish-të dënuarve, që nuk bëjnë pjesë në këtë kategori, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më e vogël se 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe jo më e madhe se 1 000 000 (një milion) lekë.

    Me shlyerjen përfundimtare të dëmshpërblimit të subjekteve përfituese parësore, të përcaktuara sipas këtij neni, i gjithë buxheti vjetor kalon për dëmshpërblimin e

    trashëgimtarëve të ish-të dënuarve politikë”.

     2. Pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

    “Shpërndarja e dëmshpërblimit për kategorinë e subjekteve përfituese parësore, për të njëjtin këst, do të kryhet sipas kësaj radhe:

    a) ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës;

    b) ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji;

    c) ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit

    nënligjor të posaçëm;

    ç) ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët, pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;

    d) ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;

    dh) ish-të dënuarit politikë që jetojnë, në momentin e dhënies së pagesës, dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji;

    Me kryerjen e pagesës, për të gjitha subjektet parësore brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës e kështu me radhë.”

     Neni 2

    Paragrafi i parë, i nenit 13, shfuqizohet.

     Neni 3

    Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:

     “Neni 14

    Tërheqja e dëmshpërblimit

     Struktura përgjegjëse për pagesën e dëmshpërblimeve të ish të dënuarve politikë në Ministrinë e Financave publikon në mënyrë periodike në faqen zyrtare, listat e dosjeve të gatshme për pagesë dhe bën njoftimin për të gjithë subjektet përfitues, pjesë e listës, nëpërmjet shërbimit postar, njoftimit me mjete të komunikimit elektronik (e-mail) dhe medias publike. Dëftesa e marrjes në dorëzim të njoftimit, duhet të përfshihet në dosjen përkatëse.

    Brenda një afati 3 mujor nga data e publikimit të listës, të gjithë ish të përndjekurit, të cilët janë pjesë e saj, duhet të dorëzojnë në strukturën përgjegjëse të Ministrisë së Financave dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore që janë nxjerrë në zbatim të ligjit.

    Kur një ish-i dënuar politik ose trashëgimtari/ët e ish-të dënuarit politik nuk dorëzon dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të parashikuar në paragrafin e mësipërm, ai/ajo njoftohet lidhur me përfundimin e këtij afati dhe i jepet një afat shtesë deri në 30 ditë. Në rast se dokumentacioni i kërkuar nuk dorëzohet edhe pas kalimit të afatit shtesë (30 ditë), pagesa i kalon personave që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfitues parësorë, të cilët, në përputhje me ligjin, kanë dorëzuar dokumentet e duhura dhe janë të gatshëm për pagesë.

    Kur një ish-i dënuar politik ose trashëgimtari/ët e ish-të dënuarit politik refuzon të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të parashikuar si mësipëme, forma e refuzimit duhet të jetë me shkrim. Edhe në këtë rast, pagesa i kalon personave që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfitues parësorë, të cilët, në përputhje me ligjin, kanë dorëzuar dokumentet e duhura dhe janë të gatshëm për pagesë.

    Personat të cilët nuk dëmshpërblehen për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të emrit për herë të parë në faqen zyrtare. Me kalimin e kësaj periudhe (3 vjet), personi që nuk ka plotësuar dokumentacionin e kërkuar sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, humbet të drejtën e dëmshpërblimit.”

     Neni 4

    Neni 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:

     “Neni 15

    Forma e pagesës

    Forma e pagesës përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave.”.

     Neni 5

    Neni 16 shfuqizohet.

     Neni 6

    Fjalia e dytë, e nenit 32, ndryshohet, si më poshtë vijon:

    “Këshilli i Ministrave, brenda vitit 2014, miraton afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve”.

     Neni 7

    Neni 33 shfuqizohet.

     Neni 8

    Aktet nënligjore

    Ngarkohet Ministri i Financave të nxjerrë brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, udhëzimin sipas përcaktimeve të bëra në nenin 4, të këtij ligji.

     Neni 9

    Hyrja në fuqi

    Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

    K R Y E T A R I

    ILIR META