Ja kush ka vjedhur 800 milionë eurot e shqiptarëve

510
Sigal

 Braçe sulmon qeverinë për mashtrimin e madh me CEZ. Berisha dhe Haxhinasto të japin dorëheqjen. Flasin për “Telegraf”: Blerim Çela, Pajtim Bello, Eridian Salianji Dashamir Shehi, Arben Ahmetaj, Elsa Ballauri

Në seancën e djeshme parlamentare, u adresuan akuza të rënda, nga opozita në adresë të qeverisë, në lidhje me dëmet astronomike që ka pësuar ekonomia jonë, për shkak të CEZ-it. Gjatë interpelancës së djeshme me ministrin e Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, Braçe sulmoi kryeministrin, për pazaret e pista me CEZ-in si edhe për grabitjen e pallogaritshme që u është bërë shqiptarëve, nëpërmjet kësaj firme çeke. Midis të tjerave, ai akuzoi direkt kryeministrin si përgjegjësin kryesor për masakrën financiare si edhe për rritjen galopante të zinxhirit të borxheve, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij. Në fund të fjalimit, deputeti rozë iu drejtua ministrit Haxhinasto me fjalët: “Të ndenjurat janë të tuat/tuajat, karriget janë të popullit!”

Akuza

Deputeti, Braçe, akuzoi Berishën duke thënë: Kryeministri me klientët e tij, e zhvatën kompaninë e CEZ-it dhe tani ajo nuk ekziston më”. Përmes një analize të plotë ekonomike përllogariti sa është dëmi financiar, që i është shkaktuar ekonomisë shqiptare, nga dështimi i privatizimit të energjisë elektrike, nga CEZ-i. Më tej, ai ka nxjerrë në pah rritjen e kostos të energjisë elektrike që shqiptarët, u detyruan të blejnë nga CEZ-i, dhe evidentoi shkaqet dhe faktorët që ndikuan drejtpërdrejt, në dështimin total të privatizimit të CEZ-it. Midis të tjerave, Braçe, kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Berisha dhe ministrit të METE-s, Edmond Haxhinasto.  Ndër të tjera, deputeti Braçe, tha se 450 milionë euro kanë ikur jashtë, çdo vit, ndërsa 268 milionë dollarë të kapitalit, kanë humbur! Zinxhiri i borxheve në sistem 1.2 miliard dollarë! Kush do i paguajë 360 milionë dollarë borxhe KSH-it dhe si KESH do paguajë 260 milionë dollarë borxhe bankave? Paguajnë shtrenjtë shqiptarët, 200% më shtrenjtë së në 2005! Tani   ka ardhur koha e llogarisë dhe dorëheqjes! Po Sali Berisha duhet të dorëhiqesh, nënvizoi Braçe!

Rritja e çmimit

Më tej duke bërë disa llogari për rritjen periodike të çmimit, ai tha: “Në 2005-n çmimi mesatar ishte 5.71 lekë/kwh. Në 2006-ën  u rrit në 6.47 lekë/kwh. Në 2007-n  u rrit në 7 lekë/kwh. Në 2008-n u rrit në 7.75 lekë/kwh. Në 2009-n  u rrit në 8.1 lekë/kwh. Në 2010-n u rrit në 9.3 lekë/kwh. Tamam këtë vit, ndodhi dhe rritja më e fortë, duke goditur rëndë më të varfrit, pensionistët, të papunët, por edhe të mesmit, familjet me të ardhura mesatare. Fatura e energjisë elektrike u bë më e shtrenjtë 13%. Për 300 kw e para, çmimi u rrit nga 7 lekë/kwh në 7.7 lekë/kwh. Mbi 300 kë e para, çmimi u rrit nga 12 lekë/ëh në 13.5 lekë/kwh. E gjitha ndodh në një treg monopol, pa konkurrencë e ku qytetarët janë të detyruar të blejnë energjinë elektrike, vetëm tek një kompani. Nuk ka mundësi tjetër. Kjo politikë tregu dhe çmimesh, e ndjekur nga Sali Berisha personalisht, ka bërë që shqiptarët të blejnë energjinë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon. Pra më shtrenjtë se: Bosnja, ku energjia kushton 9 lekë/kwh; Bullgaria, ku energjia kushton 7.94 lekë/kwh. Mali i Zi, ku energjia kushton 6.69 lekë/kwh. Maqedonia, ku energjia kushton 5.23 lekë/kwh. Kosova, ku energjia kushton 6.76 lekë/kwh.

Si u bë privatizimi

Duke folur për periudhën e privatizimit, Braçe tha: “Në mars 2008 dhe prill 2009, qeveria  i kërkoi Kuvendit miratimin e formulës së privatizimit të kompanisë OSSH dhe, miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të kompanisë OSSH… Kompania OSSH në prag të privatizimit kishte një vlerë të kontabilizuar prej 18. 7 miliardë lekë. Pas veprimeve të qëllimta të Ministrisë së Ekonomisë, vlera e kompanisë u ul në vetëm 8.5 miliardë lekë, e mes të procesit të shitje, kompania u rivlerësua në 13.1 miliardë lekë. Menjëherë pas privatizimit, CEZ rivlerësoi kompaninë dhe vlera e saj arriti në 26.3 miliardë lekë. Çmimin e shitjes së kompanisë prej 102 milionë euro, praktikisht kompania u shit vetëm me 87% të vlerës së saj. Edhe kjo e ulur ndjeshëm.  Rekomandimet e Autoritetit te Konkurrencës nuk  u zbatua. konsumatorët edhe për këtë shkak vijojnë të marrin energji elektrike me çmim 200% më të shtrenjtë se në vitin 2005.

Mashtrimi

Ndërkaq, Braçe akuzoi ERE-n se ka favorizuar spekulimet. Braçe tha ndër të tjera se: “ERE ka favorizuar qartësisht kompaninë Shpërndarje në kurriz të kompanisë publike KESH, kompanisë tjetër publike OST dhe konsumatorit shqiptar. Favorizimi ka ndodhur në të treja aspektet: çmimin me të cilin KESH i shet energjinë CEZ Shpërndarje. Riskedulimin në Deklaratën Rregullatorë të nivelit të humbjeve me efekt në tarifën apo çmimin fundor që paguajnë konsumatorët. Riskedulim në Deklaratën Regullatore të nivelit të Borxhit të keq me efekt në tarifën apo çmimin fundor që paguajnë konsumatorët. Ne kemi arritur të vlerësojmë në para favoret që ERE ka bërë për kompaninë CEZ Shpërndarje. Njeh dhe ristrukturon një nivel të ri tarife për vitin 2011, duke favorizuar CEZ dhe rënduar KESH për energjinë që ky i fundit i shet, me një impakt prej 24 milionë dollarë. Njeh dhe ristrukturon një nivel të ri të humbjeve, duke favorizuar CEZ, me një impakt prej 52 milionë dollarë. Njeh dhe ristrukturon një nivel të ri të borxhit të keq duke favorizuar CEZ, më një impakt prej 50 milionë dollarë. Impakti total në favor të CEZ-it arrin në 126 milionë dollarë. Praktikisht, vendimet e ERE i kanë «kthyer» CEZ-it brenda tre vitesh vlerën e shpenzuar për të blerë kompaninë OSSH. Dy prej favoreve më të rëndësishme që ERE ka bërë për kompaninë CEZ Shpërndarje janë edhe: Njohja, pranimi në aplikimin për tarifë të CEZ Shpërndarje të shpenzimeve marramendëse të faturuara për kompaninë CEZ Albania, njëra prej kompanive të rrjetit të kompanive mes CEZ s.a dhe CEZ Shpërndarje, të cilat, kanë faturuar dhe marrë nga CEZ Shpërndarje shuma marramendëse dhe totalisht të pajustifikuara, deri ne nivelin e 33 milionë dollarëve për 3 vite. Njohja, pranimi i praktikës së kompanisë CEZ të operimit në fillim me 1 e më pas me 7 kompani, të cilat duhet të mblidhnin principalin e borxhit të keq, buxhetor, jo buxhetor e privat përkundër tarifave që nisin me 28 % e përfundojnë me 50% të vlerës së faturës. Edhe këtë biznes-përfitim e ndanë si pushtetin, me përqindje. në fillim partia e ministrisë-kompania e parë ishte afër kësaj partie, Kaçua i njohur; tani në fund, partia e qeverisë- Ja ku janë kompanitë: 3 të njërit klient të qeverisë, Zamos, atij që po fiton çdo pasuri në këtë vend; tjetra e klientit tjetër të qeverise, Bashkimit, edhe ky ekskluziv në licenca e tendera publike, pastaj dhe dy kompanitë e veta CEZ, me cekë pa asnjë bazë këtu; të gjithë zhvatën-qeveria, klientët, CEZ, klientët, madje këta çekët edhe duke marrë paradhënie! Siç e shihni nuk qenka e vështirë të bësh biznes me qeverinë në Shqipëri.

Borxhi

Vendimmarrja e ERE, menaxhimi i CEZ Shpërndarje kanë sjellë pasoja dramatike për gjithë sistemin elektroenergjetik shqiptar. Mendojeni: sipas ligjit, Deklaratës Rregullatore, kontratave ligjore, KESH duhet të furnizojë CEZ me energji për konsumatorët tariforë; CEZ duhet të hedhë në rrjet, pra të shtojë, energjinë deri në nivelin e humbjeve në rrjet. Pra KESH shpenzon, prodhon energji, madje importon energji edhe për humbjet në rrjet (CEZ nuk zbaton kontratën) dhe nuk arkëton thuajse gjë për më shumë se një vit prej CEZ Shpërndarje, ndërkohë që CEZ Shpërndarje arkëton paratë e faturave nga çdo familje shqiptari, arkëtim që shkon në më shumë se 420 milion dollarë në vit! Ku kanë shkuar paratë? Ju jeni ministër përgjegjës, aksioner në kompani, ju duhet të përgjigjeni! Ndërkohë pasoja për KESH ka qenë katastrofike. Në qershor 2012 KESH i kishte: bankave tregtare në Shqipëri një borxh që arrinte në nivelin e 220 milion dollarëve, furnitorëve të huaj për importin e energjisë elektrike një borxh që arrinte në 40 milionë dollarë. Koncesionarëve të rinj të prodhimit të energjisë elektrike një borxh që arrinte në 12 milionë dollarë. 5 HEC-ve të nxjerra në privatizim një borxh që arrinte në nivelin e 4 milionë dollarëve. Në total, borxhi i KESH edhe me disa detyrime të tjera kontraktuale arrinte në 28 miliardë lekë ose 280 milionë dollarë. Në tetor 2012, KESH ka regjistruar një borxh energjetik nga kompania CEZ që arrin në 1458 GWH. Në tetor 2012 KESH ka regjistruar një borxh financiar të pranuar nga kompania CEZ që arrin në 208 milionë dollarë. Në tetor 2012, KESH ka regjistruar edhe: detyrime ndaj koncesionarëve të rinj që arrijnë në 17 milionë dollarë. Detyrime ndaj kredituesve të zhvillimit dhe qeverisë për huatë dhe TVSH në nivelin e 56 milionë dollarëve. Detyrime ndaj furnitorëve në vlerën e 20 milionë dollarë. Detyrime edhe më të mëdha ndaj bankave tregtare që në muaj kanë një kosto që arrin në 1 milion dollarë. Në dhjetor 2012, CEZ ka krijuar një borxh të llahtarshëm financiar dhe energjetik, që arrin mbi 600 milionë USD, duke infektuar gjithë tregun e energjisë në Shqipëri dhe kolapsuar sistemin : Vetëm ndaj KESH borxhi është në 325 milionë dollarë. KESH vetëm bankave në Shqipëri iu ka borxh deri në 250 milionë dollarë. Po borxhe ka edhe ndaj OST-së; KESH ka borxh më vete ndaj furnitorëve të saj, mes tyre dhe HEC-et e vogla-mburrja e Kryeministrit zhytur në krizë totale.

Kostoja

Nga ana tjetër, Braçe vuri në dukje se: “ERE ka kërkuar garanci nga qeveria para marrjes së vendimit në dëm të KESH dhe favor të CEZ në 26 Qershor për uljen e tarifës dhe dhënien edhe të efektit prapaveprues. Janë dy letra të Ministrisë së Financave që e thonë hapur këtë. Menjëherë pas tyre qeveria erdhi në Kuvend me një garanci për KESH që arrin vlerën e 7 miliardë lekëve, para të buxhetit dhe duke lajmëruar se do të marrë një kredi me vlerë prej 100 milionë dollarë për të përballuar blerjen e energjisë për dimër. Privatizimi i 4 HC do të rrisë kostot edhe më. 4 HC prodhojnë në vit 400 mln kwh energji. Deri sot kjo faturohej me 2.2 lekë/kë ose në total 6.4 mln eu. Nesër, privati do të shes me 9.3 lekë/kw dhe KESH-shteti do të blejë me po kaq, duke paguar KESH 27 milion eu dhe fituar privati 27 milionë eu! Për katër vite, dëmi është 108 milionë eu! Ky është rasti tipik kur keqmenaxhimi, vendimmarrja klienteliste dhe e korruptuar bëhet barrë direkte për qytetarët shqiptarë. Ky është privatizimi i fitimeve dhe shtetëzimi i humbjeve. Kjo që ju tregova në shifra nuk është kostoja përfundimtare, do duhen miliona Euro të tjera. Arbitrazhi është vareja financiare që na pret dhe është kompromisi i Sali Berishës. Në përfundim dua t’u them: E gjithë situata e krijuar është  pasojë e privatizimit klientelist e të korruptuar, të dështuar e tashmë kriminal; politizimit të qartë të rregullatorit dhe bordeve ekzekutive të operatorëve në sistemin energjetik; ndërmarrjet publike janë kthyer në ndërmarrje politike të ndara me përqindje mes partive në koalicion menaxhimit të papërgjegjshëm, të korruptuar e politik të të gjithë operatorëve në tregun e energjisë, KESH, OST, CEZ Shpërndarje. Fatura për shqiptarët do të jetë shumë e rëndë. Kryeministri është përgjegjësi për këtë dhe për faturën e shtrenjtë që paguajnë shqiptarët, si konsumatorë direkt të energjisë dhe si taksapagues, paratë e të cilëve përdoren për të subvencionuar kompaninë e falimentuar! Ndaj kam përgjegjësinë dhe kurajon që sot t’i kërkoj  Sali Berishës të marrë përgjegjësi dhe të dorëhiqet! Po, po, të dorëhiqet! Zgjedhjet janë afër, por ai duhet të dorëhiqet tani. Ky është krim dhe mban vulën e tij”, nënvizoi ai.

Flasin për “Telegraf”

Kurt Kola: Dorëheqja, akti demokratik!

Dorëheqja është një akt demokratik, por që Kryeministri ynë nuk e njeh këtë kulturë demokratike. Ne kemi mbetur me mendësi komuniste dhe duam të ndërtojmë demokracinë me mendësi komuniste. Politika jonë nuk njeh dhe nuk respekton këtë akt demokratik të dorëheqjes, si shprehje e përgjegjësisë që ndjen ndaj politikave të gabuara, antidemokratike.

Av. Eridian Salianji: Prokuroria të nisë hetimet!

Për gjendjen katastrofike të CEZ-it në sistemin e shpërndarjes të energjisë elektrike në Shqipëri, kanë përgjegjësi ligjore edhe ERE, KESH, OST që e kanë favorizuar, nxitur e ndihmuar CEZ-in, ndaj është detyrim ligjor i prokurorisë që të fillojë hetimet. Mjafton ajo interpelanca e djeshme në Kuvend, ku deputeti i PS-së dha fakte për përgjegjësinë ligjore që kanë ERE, KESH dhe OST-ja, por edhe vetë ministri i METE-s dhe Kryeministri, që prokuroria të fillojë hetimet penale ndaj të gjithë përgjegjësve të përfshirë në këtë dështim të privatizimit të CEZ-it. Është detyrim ligjor, dhe prokuroria nuk duhet të presë padi penale nga askush, që të hapë ajo hetimet.

Elsa Ballauri: Politikanët nuk kanë moral!

Jemi në dorën e politikave rastësore.  Ne nuk e duam demokracinë.  Ne jemi  në krizën e individit dhe nuk mund të krijojmë personalitetin e individit. Ndaj politikanët nuk duan të dinë sa përgjegjësi kanë mbi supe. Nuk ka ndërgjegje të liderit se ku është dhe cilat janë përgjegjësitë e tij. Politika jonë është rastësi dhe si e tillë, ndodhemi në duart e njerëzve  të rastësishëm, që nuk kanë moral. Fatet tona janë në duart e një politike rastësore. Prandaj, nuk mund të ketë ndërgjegje demokratike, prandaj te këta njerëz të rastësishëm të politikës tonë nuk pranohen normat e demokracisë dhe nuk mund të presësh që këta njerëz të rastësishëm, të respektojnë kulturën demokratike.

 Dashamir Shehi: Kryeministri bullgar, një shembull

Në demokraci, përballë protestave popullore, jepet dorëheqja. Shembulli i Kryeministrit bullgar, për demokracitë e vogla, siç është Shqipëria, është një model i keq, që tregon që një njeri shumë i ulët, papritur bëhet Kryeministër. Ky duhet të jetë leksioni i parë. Të tjerat vijnë më vonë.

Arben Ahmetaj: I kemi kërkuar me kohë dorëheqjen

PS-ja, kohë më parë dëshmoi me fakte të pakundërshtueshme skandalet e qeverisë, të ERE-s, të cilat ndihmuan e favorizuan CEZ-in, që të sillej ashtu. Nuk dështoi CEZ-i, por dështoi politika e Berishës në privatizimin e CEZ-it. Ne në Kuvend kundërshtuam me të madhe aktin normativ të qeverisë, për të marrë kredi 100 milionë euro për importimin e energjisë elektrike nga KESH-i, ndërkohë, kur qeveria nuk donte të veprohej kundër CEZ-it.  Për këtë, PS-ja me kohë ka kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie dhe përballjen e saj me përgjegjësitë përpara ligjit!

 Pajtim Bello: Të hetohen, shtetarët që përfituan nga CEZ!

Ju siguroj që priten zhvillime negative dhe të dukshme. Kalimi nga një gjendje administrimi në një tjetër dhe rikthimi në gjendjen fillestare nuk bëhen si në letër. Ka shumë procese e procedura që vështirë se kapërcehen kaq lehtë sa thonë zyrtarët e ERE apo të METE. Nëse fillojnë gjyqet do të jetë edhe më keq. Por gjithsesi, kostot do t’i paguajnë shqiptarët. Realisht ne jemi ne krizë energjetike dhe komplekse. Tashmë kriza e borxheve në sistemin elektrik ka shkarkuar në buxhetin e shtetit. Pasojat do të jenë me kosto të lartë, rehabilitimi i tyre do të dojë fonde dhe kohë, që do të rëndojnë mbi shqiptarët. Qeveria ka pasur dijeni për këtë ndodhi dhe nuk e frenoi, kështu që edhe si aksionere, por edhe si monitoruese e kontratës së privatizimit, përgjegjësia është evidente. Ka pasur edhe akuza se nga këto kontrata kanë përfituar shtetarë të ndryshëm. Edhe kjo duhet të sqarohet, dhe nuk është vështirë të sqarohet.

  Blerim Çela: Në Shqipëri, kryeministrat rrinë sa t’u dojë qejfi

Në Shqipëri, kryeministrat rrinë sa t’u dojë qejfi dhe ata nuk janë mësuar të japin dorëheqjen”. Kështu u shpreh dje, ish kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë periudhës së qeverisjes së Partisë Demokratike, nga viti 92 deri në 1997. Sipas tij, kjo është një krizë aq  e madhe, saqë dorëheqja e kryeministrit, do të ishte një akt i natyrshëm, por këtu aq që mendohet, vetëlargimi i Berishës”. Dhe duke folur për shkaqet e këtij qëndrimi arrogant të pushtetarëve shqiptarë, Çela tha se: “I gjithë faji, në kuptimin figurativ është i popullit shqiptar, i cili e duron fyerjen shtypjen, varfërinë, çpersonalizimin dhe sakrificën, përtej kufijve të durimit njerëzor”.  Ndërsa, i pyetur për detyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në raste të tilla, Çela tha se, “Kontrolli duhet të verifikojë dokumentacionin shtetëror, që i ka dhënë CEZ-it, të drejtën e shpërndarjes. Nëse do të kisha qenë në detyrën e mëparshme unë do të bëja kontrollin e dokumentacionit, për të verifikuar, nëse në atë kohë, CEZ-i, i kishte kushtet për të marrë një detyrë kaq jetike, për shqiptarët. Ndërsa, në lidhje me dërgimin në gjyq, të dokumentacioneve ndaj CEZ-it, Çela tha, se, kjo gjë duhet bërë menjëherë në të gjitha instancat përkatëse gjyqësore.