Ja kuotat dhe tarifat e studimit për të përndjekurit dhe dokumentet që duhen për këstin e dytë

    418
    Sigal

    Flet kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, flet për dëmshpërblimin e të përndjekurve

    Ashtu siç do vit tjetër edhe këtë vit qeveria ka miratuar kuotat e studimit për kategorinë e të përndjekurve politikë, për sistemin e part-time. Sipas kreut të Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, për këtë vit janë përcaktuar 150 kuota për këtë kategori. Ai ka theksuar në një intervistë për “Telegraf” se pritet që të bëhen edhe shtesa të tjera për këtë kategori dhe për shtesën ato i kanë dërguar një kërkesë qeverisë. Sipas tij tarifa për këtë kategori është e përgjysmuar. Ndërsa në lidhje me marrjen e këstit të dytë për personat që nuk jetojnë ai ka bërë të ditur dokumentet që duhen.

    -Zoti Miraka, sa është numri i kuotave që është përcaktuar për kategorinë e të përndjekurve politikë për vitin e ri akademik?

    -Po, ashtu siç do vit kuotat e studimit për kategorinë e të përndjekurve politikë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ne për këtë vit na janë përcaktuar kuotat e studimit për sistemin part-time. Si fillim janë përcaktuar 150 kuota.

    -A janë të mjaftueshme këto kuota dhe a është i madh numri i kërkesave nga kjo kategori?

    -Në fakt numri i kërkesave është më i madhe nga sa janë kuotat. Ne për këtë kemi bërë dhe një kërkesë për shtimin e numrit të kuotave. I kemi dërguar qeverisë një kërkesë dhe jemi në pritje të marrjes së ndonjë përgjigje pozitive. Të paktën ne kërkojmë që të na shtohen edhe 100 kuota të tjera për sistemin part-time, për vitin e ri akademik që sapo ka filluar.

    -Sa është tarifa që duhet të paguajë një student që vjen nga kjo kategori?

    -Po tarifa janë më të vogla për këtë kategori në krahasim me personat e tjerë. Një person që vjen nga kategoria e të përndjekurve politikë dhe ndjek studimet duhet të paguajë 50 për qind të tarifës që paguan një person tjetër.

    -Po shpërndarja e këstit të dytë si po vijon dhe kur do të fillojë për personat që nuk janë gjallë?

    -Po vazhdon normalisht shpërndarja e dëmshpërblimit për këstin e dytë për të përndjekurit politikë. Deri më tani kanë marrë rreth 1600 të përndjekur politikë këstin e dytë të dëmshpërblimit. Ndërkohë që janë afërsisht 700 persona që kanë për të marrë dëmshpërblimet brenda këtij viti. Viti 2012 do të përmbylli tërë fazën e dytë të dëmshpërblimeve për të gjithë të përndjekurit politikë që janë gjallë. Sipas informacioneve që kam deri në këto momente që po flasim ka kaluar më shumë se gjysma për të burgosurit  që janë gjallë, dhe në ditët e ardhshme do të vijojnë të dalin emrat e tjerë. Po ashtu kanë pasur përparësi në dëmshpërblim edhe personat që janë të sëmurë apo kanë pasur probleme të tjera.

    -Ministria e Financave ka publikuar disa dokumente për këstin e dytë, a ka ndonjë ndryshim?

    -Po, janë kërkuar që të dërgohen dokumentet e sakta për shkak të dosjeve me mangësi. Nëse ish të dënuarit politikë ose trashëgimtarët ligjore, kanë ndryshime të gjendjes civile, duhet të dërgojnë pranë Ministrisë së Financave dokumentacionin shtesë, që duhet të jenë:

    – Certifikatën e vdekjes,

    – Akt trashëgimie për të vdekurit,

    – Certifikatë trungu,

    – Fotokopje e kartës së identitetit sipas përfituesve ose përfaqësuesit të autorizuar

    – Vërtetim banke për numrin e llogarisë, për secilin përfitues ose të përfaqësuesit ligjor,

    – Nëse ish të dënuarit apo përfituesit ligjorë, kanë ndryshuar numat e llogarisë bankare, ju lutemi të dërgojnë zyrtarisht:

    – Vërtetim banke për numrin e llogarisë, të shoqëruar me një kërkesë me shkrim, së bashku me informacionin e mëposhtëm.