Ja koncesionarja që ka fituar 70 milionë dollarë për depistimin e popullsisë

    413
    Sigal

    Koncesioni i paketës së shërbimit të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç. Falimentimi i shëndetësisë dhe gjunjëzimi i INSTAT

    70 milionë dollarë do i kushtojë qytetarëve shqiptarë, koncesioni i paketës së shërbimit të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç. Kompania fituese e këtij koncesioni, që është një bashkim i përkohshëm i firmave; të ofertuesit Marketing & Distribution dhe “Trimed” sh.p.k., është shpallur fituese edhe pse oferta e saj ishte më e lartë, 730 075 000 lekë, se e kompanive të tjera pjesëmarrëse në këtë procedurë, si p.sh. e kompanisë “Proton” e cila ka ofruar 617 025 000 lekë. Këto shifra janë të publikuara në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, e datës 27 tetor 2014. Kjo përbën shkelje të hapur të Ligjit “Për prokurimet”, sipas së cilës shpallet fituese kompania me ofertën më të ulët. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare është për 10 vjet, pra, 7 milionë dollarë për 10 vjet përbëjnë shumën prej 70 milionë dollarësh, të fituara tashmë nga kompania koncesionare Marketing & Distribution dhe “Trimed” sh.p.k..

     

    Privati versus shteti

    – Ajo çka përbën një konbtradiktë tepër të madhe është se në moshën 40-65 vjeç qytetarët shqiptarë paguajnë sigurime shëndetësore dhe bëjnë check up falas sa herë të duan. Atëherë lind pyetja, pse një strukturë e re private, e cila ka një kosto shumë më të lartë se shteti?

    – Është e çuditshme se buxheti për laboratorët e ambulancave të lagjeve nuk i kalon 5 000 dollarë në vit, ndërkohë që dhurohen 7 milionë dollarë. A nuk do të ishte më mirë që me 20 % të këtij fondi të furnizoheshin ambulancat (qendrat shëndetësore) deri në skajin më të largët të Shqipërisë me kite dhe reagente për laboratorin dhe EKG?

    – Po kështu, shërbimi shëndetësor publik shkon deri në zonat më të thella. Atëherë, pse duhet t’i paguajmë këtyre firmave private të sapoformuara miliona dollarë me kosto shumë më të lartë se në shtet me infrastrukturë tashmë të ngritur? Nëse Ministria e Shëndetësisë si përfaqësuese e shtetit nuk është e zonja të organizojë një check up të përgjithshëm fare të thjeshtë, por detyrohet të kthehet te firmat private, atëherë mos duhet të deklarojë falimentimin e vet? Ose të deklarojë se cilat janë motivet që e shtyjnë që për problemet më të vogla të organizohen tendera shërbimesh me kosto disa herë më të larta?

    – Çdokujt mund t’i lindë pyetja: Si ka mundësi që për tendera kaq të mëdha nuk kryhen parakualifikime me dokumentacione ose kërkesa nëpërmjet shprehjes së interesit? Por, çuditërish,t sipas burimeve të sigurta, brenda 20 ditëve që nga momenti i shpalljes së tenderit, disa firma pa eksperiencë pune dhe pa pasur kurrë laboratorë, janë në gjendje të bëjnë ofertë kompetitive.

    – Nga ana tjetër, si shpjegohet që INSTAT e cila bën të gjitha përpunimet statistikore në Shqipëri, nuk është në gjendje të bëjë këtë përpunim statistikor, por të ngrihen firma private?

     

    KONCESIONI

    Ministria e Shëndetësisë ka dhënë me koncesion paketën e shërbimit të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç. Ky projekt ka si objekt kryerjen e kontrollit mjekësor bazë. Paketa e kontrollit mjekësor bazë do të përfshijë këta komponentë:

    a) Vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje për faktorët e stilit të jetesës:

    i) Puna që kryen apo ka kryer;

    ii) Ushqyerja;

    iii) Konsumimi i duhanit;

    iv) Konsumimi i alkoolit;

    v) Niveli i stresit dhe depresionit.

    b) Matje, vlerësim, këshillim, referim dhe ndjekje e parametrave fiziologjikë:

    i) Tensioni arterial;

    ii) Pesha trupore;

    iii) Aktiviteti i zemrës.

    c) Matje, vlerësim, këshillim, trajtim, referim dhe ndjekje e parametrave biokimikë:

    i) Formula e gjakut;

    ii) Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC;

    iii) Kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride;

    iv) Glicemia;

    v) Feçe për gjak okult;

    vi) Albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë;

    vii) Bilirubinë totale dhe direkte, transaminaza (SGPT, SGOT).

    Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit do të jetë 10 vjet.

    Kriteret e përzgjedhjes së fituesit:

    Numri i laboratorëve 10 pikë
    Ndikimi social dhe mjedisor 3 pikë
     

    Çmimi për çdo kontroll.

     

    45 pikë
    Koha e vënies në shfrytëzim  

    10 pikë

    Plani i administrimit te transportit te mostrave ne laboratorë dhe koha ne funksion te saj.  

    17 pikë

     

    Vlera e riinvestimit ne aparatura.  

    15 pikë

    Cila është kompania fituese

     Kompania koncesionare është një bashkim kompanish:MARKETING & DISTRIBUTION SHPK, ku administratore me 100 % të kuotave është znj. Vilma Nushi dhe T R I M E D SHPK, ku në këtë rast znj. Vilma Nushi ka 50 % të kuotave. Nga objekti i aktivitetit të këtyre kompanive nuk rezulton të ketë ndonjë përvojë në fushën laboratorike.

    Ekstraktet e subjekteve

    – Në ekstraktin historik të subjektit MARKETING & DISTRIBUTION SHPK, e themeluar në 01/08/1997 me administratore Vilma Nushi, objekti i aktivitetit është:

    Të blejë apo të zotërojë në ndonjë mënyrë tjetër, të importojë, magazinojë, ruajë, eksportojë apo tregtojë me shumicë dhe pakicë mallra të ndryshme, përfshirë ato ushqimore, bujqësore e blegtorale, industriale, lendë të parë minerare, si dhe të çdo lloj malli tjetër…

    – Subjekti T R I M E D SHPK, sipas ekstraktit historik, është themeluar më 01/12/2004 dhe deri më vitin 2011 Ka pasur administrator me 100 % të kuotave, znj. Gentiana Peposhi. Kjo situatë ka ndryshuar më pas dhe do të kemi aktualisht 2 ortakë me nga 50 % të kuotave; Shani Peposhi dhe Vilma Nushi. Objekti i aktivitetit të kësaj kompanie është: Import-Eksport tranzit, Depo Farmaceutike, Përfaqësim në fushat farmaceutike, prodhim-përpunim-konfeksionim-import-eksport-tranzitim-tregtim me shumicë e pakicë të medikamenteve, materialeve mjekësore e aksesorëve të tyre, barnave, materialeve dentare e veterinare, higjenosanitare, barnave mjekësore popullore, artikujve të ndryshëm kozmetikë e produkteve të parukerisë.

    Shënim i redaksisë: Në ditët në vazhdim, “Telegraf” do të publikojë detaje të tjera, që gazeta i disponon, rreth skandalit të koncesionit të paketës së shërbimit të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç.