Ja faturat që do paguajnë shqiptarët me çmimin e ri

    434
    Sigal

    ERE merr sot vendimin për çmimin e energjisë elektrike. Mendohet të jetë rreth 10 lekë/kilovat

    Rreth 10 lekë për kilovat (pa përfshirë TVSH-në) mendohet të jetë çmimi i ri i energjisë elektrike pas 1 janarit për qytetarët shqiptarë. Qytetarët presin sot vendimin zyrtar të Entit Rregullator të Energjisë për të mësuar çmimin që do të duhet të paguajnë nga 1 janari, për çdo kilovat energji të harxhuar. Fakti që, qeveria ka parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm një fond prej 16 milionë dollarësh për rimbursimin e çmimit të ri të energjisë elektrike, është në mënyrë jo të drejtpërdrejtë vetë përcaktimi i çmimit, që pritet të jetë rreth 10 lekë për kilovator, pa përfshirë këtu TVSH-në prej 20 % të vlerës, (duke llogaritur TVSH-në, çmimi shkon në 12 lekë). Operatorët energjetikë shprehën në kërkesat e tyre një rritje të çmimit, pasi, sipas tyre, në kushtet aktuale është e pamundur të funksionojnë në tregun energjetik shqiptar. Për më tepër, përfaqësues të qeverisë, janë shprehur se, operimi me dy tarifa të ndryshme për çmimin e energjisë që paguan konsumatori final lë vend për abuzime, por edhe vështirëson situatën energjetike përsa i takon përllogaritjes së kostove.

     Paradoksi i kërkesës për rritje të çmimit nga KESH dhe OST

    KESH dhe OST duan të rritet tarifa që të mbulojnë kosto, ndërkohë që janë me fitime rekord?! Paradoksi më i madh me kërkesën për rritjen e tarifave i takon KESH, që, për vitin 2015, ka kërkuar që tarifa e furnizimit me shumicë të energjisë elektrike të rritet 2.2 në 3.34 lekë/kwh, ndërkohë që ka rezultatin financiar me fitim dhe është ndër kompanitë me fitime më të larta në Shqipëri për vitin 2013. KESH justifikoi kërkesën për rritje nën arsyetimin e mbulimit të shpenzimeve dhe kryerjen e investimeve, duke kërkuar një rritje të çmimit në vlerën e gati 50 %.

    Gjithashtu me fitim është edhe OST, në nivelin e rreth 2.3-2.4 miliardë lekëve ose rreth 23 milionë dollarë, ndërkohë që duhet që tarifat të jenë të orientuar drejt kostos. Nëse OST ka realizuar fitime të kënaqshme vitet e fundit, përse nuk ka realizuar investime që parashikon për vitin e ardhshëm dhe këtë e justifikon me rritjen e tarifës së transmetimit nga 0.65 në 0.75 lekë/kw orë?

    Ndërsa Operatori i Shpërndarjes (OSHEE) ka kërkuar rritjen e çmimit në 12 lekë.

     

    Me çmimin e ri, përfitojnë ata që konsumojnë mbi 500 kw

    Aktualisht, çmimi i energjisë për familjarët është i përshkallëzuar me dy nivele; ku 300 kilovat/orët e para paguhen me 7.7 lekë, ndërsa sasia sipër këtij niveli konsumi, tarifohet me 13.5 lekë. Në këtë mënyrë, do të rritet çmimi nga 7.7 lekë në 10 lekë, për ata që konsumojnë deri në 300 kilovat/orë energji elektrike në muaj. Sipas INSTAT, këta zënë rreth 70 për qind të abonentëve familjarë. Ndërkohë abonentët që konsumojnë më shumë se 500 kilovatë (me çmimin e ri) pritet të përfitojnë ulje, pasi ata paguajnë deri në fund të vitit 2014, 13.5 lekë për kilovat pas 300 kilovatëve të parë. Duket se qeveria, si me reformën e pensioneve, ashtu edhe me këtë të energjisë, po punon për vete (ata që kanë një nivel jetese mbi mesataren), duke lënë në mëshirë të fatit 70 % të popullsisë, të cilët mezi nxjerrin muajin. Gjithsesi, për të parë çmimin e ri të energjisë me të cilin do të përballen qytetarët shqiptarë, na duhet të presim vendimin e Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë.

    Ja sa do të shkojnë faturat sipas kilovatëve:

     Një familje që konsumon 300 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 2770 lekë; Nga 1 janari 2015 do të paguajë 3600 lekë.

    Një familje që konsumon 350 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 3582 lekë; Nga 1 janari 2015 do të paguajë 4200 lekë.

    Një familje që konsumon 400 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 4392 lekë; Nga 1 janari 2015 do të paguajë 4 800 lekë.

    Një familje që konsumon 450 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 5202 lekë; Nga 1 janari 2015 do të paguajë 5400 lekë.

    Një familje që konsumon 500 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 6012 lekë; Nga 1 janari 2015 do të paguajë 6000 lekë.

    Një familje që konsumon 600 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 7632 lekë: Nga 1 janari 2015 do të paguajë 7200 lekë.