Ja çfarë do të ketë testi i Gjuhës Shqipe

    610
    Sigal

    Arsim/Provimet e Lirimit, testohen 47 500 nxënës në lëndën e Gjuhës Shqipe

    Nesër do t’i nënshtrohen provimit  të Gjuhës Shqipes rreth 47 500 nxënës të klasave të nënta, nga të cilët 500 janë mbetës nga viti i kaluar. Ky është dhe hapi i parë për të finalizuar arsimin e detyruar. Gjithçka më pas, do të jetë në dëshirën e nxënësve, nëse duan të vazhdojnë më tej apo jo. Provimi fillon në orën 10.00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Testi do të ketë 25 pyetje në total dhe vlerësimi maksimal do të jetë me 50 pikë. Nga këto, 13 pyetje janë me alternativë dhe 12 me zhvillim. “Testi është i një shkalle vështirësie mesatare. Por, sigurisht që për pretendentët ka një shkallë vështirësie më të lartë, duke qenë se 20 për qind e testit është e nivelit mbi mesatar. Pra, ka një nëndarje të tillë që 40 për qind e pyetjeve janë të nivelit nën mesatar, 40 për qind e pyetjeve janë të nivelit mesatar, ndërsa 20 për qind e pyetjeve i përket nivelit mbi mesatar”, shprehet për  gazetën “Telegraf”,  Fatmir Vejsiu, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH. Sipas Vejsiut,  provimet do të zhvillohen kryesisht në shkollat përkatëse. Në rastet kur shkolla ka shumë pak nxënës dhe kryesisht këto janë shkollat në zonat e thella, atëherë ato duhet të vendosen në një klasë të përbashkët me shkollën më të afërt. Meqë ata janë në moshë të mitur, jo si maturantët, nuk mund të lëvizen në distanca të mëdha. “Testi hartohet nga AKP në kushte sigurie, por jo me ngujimin e njerëzve. Testi, një ditë para provimit, pra sot, merret nga Drejtuesi i Zyrës Arsimore dhe shpërndahet të nesërmen. Administrimi gjatë provimit është i njëjtë me maturën shtetërore nga Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar (IKAP). Edhe provimet e lirimit janë të përqendruara, por jo si matura, ka më shumë qendra provimesh. Ndërsa  vlerësimi bëhet në DAR /ZA, pra në 38 qendra dhe vëzhgohet nga IKAP” shprehet Vejsiu. Drejtori i Arsimit Parauniversitari i bën apel për sa i përket shkollave dhe monitorimit që të vlerësojnë  me seriozitet maksimal respektimin e rregullave dhe ruajtjen e sekretit.

    Vlerësimi

    Sipas rregullores së shpallur në faqen zyrtare të MASH, për provimet e lirimit 2013, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Kështu, vlerësimi i c do përgjigjeje të dhënë  nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë Drejtorive Arsimore ose Zyrave Arsimore, skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota. Pas çdo provimi, dërgohet skema e vlerësimit ne Komisionin Shkollor të Provimeve të Lirimit, e cila afishohet dhe informon çdo nxënës për të. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga DAR/ZA, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është  përfundimtar. Ndërkaq, DAR/ZA ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Së fundi, nga sa përcakton rregullorja, shpallja e rezultateve do të bëhet jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi. Sa i përket ambienteve se ku do të zhvillohen Provimet e Lirimit, MASH ka vendosur që si mjedise të Provimeve të Lirimit, të shërbejnë vetëm shkollat publike.

    JA ÇFARË DUHET TË KENË KUJDES NXËNËSIT NË PROVIMIN E GJUHËS SHQIPE

    Ka kohë që nëpër shkolla janë shpërndarë  Programet Orientuese nga MASH. Kështu që si mësuesit ashtu dhe nxënësit janë të  mirinformuar. Programi orientues për këtë lëndë, synon të japë përmbledhjen e njohurive kryesore që zënë peshën më të madhe gjatë viteve të shkollimit. Programi orientues është hartuar duke u mbështetur te programet e lëndës së gjuhës shqipe, klasa II-IX. Ndërsa kërkesat që duhen marrë parasysh për testin e provimit të gjuhës shqipe janë: Integrimi i gjuhës shqipe dhe leximit, pesha specifike e linjave, konceptet, njohuritë dhe shprehitë e linjave, fragmenti ose fragmentet e përzgjedhura mund të jenë të llojit letrar ose joletrar, por nuk duhet të jenë pjesë përbërëse e alterteksteve. Ndërsa fragmenti ose fragmentet e përzgjedhura duhet të jenë detyrimisht në përshtatje me moshën. Gjatë vitit nxënësit kanë pasur konsultime të cilat janë intensifikuar tani para provimeve. Kjo bëhet në mënyrë që nxënësit të dalin me rezultate sa më të larta.

    TESTI I GJUHËS DHE NIVELI I VËSHTIRËSISË

    Këtë vit japin provimin e lirimit për herë të parë (pra nxënësit që mbarojnë klasat e nënta pa vit-mbetje) 47 000 nxënës dhe 500 mbetës nga viti i kaluar. Provimi i parë për ta është provimi i gjuhës shqipe në 12 qershor, kurse provimi i matematikës është pas një jave e pikërisht në datën 19 qershor. Testi do të ketë 25 pyetje në total dhe vlerësimi maksimal do të jetë me 50 pikë. Nga këto, 13 pyetje janë me alternativë dhe 12 me zhvillim. Testi është i një shkalle vështirësie mesatare. Por, sigurisht që për pretendentët ka një shkallë vështirësie më të lartë, duke qenë se 20 për qind e testit është e nivelit mbi mesatar. Pra, ka një nëndarje të tillë që 40 për qind e pyetjeve janë të nivelit nën mesatar, 40 për qind e pyetjeve janë të nivelit mesatar, ndërsa 20 për qind e pyetjeve i përket nivelit mbi mesatar.