Ja 30 “zilet” e problemeve të lëna “peng” prej 20 vitesh, me të cilat nisi edhe ky vit shkollor

    465
    Dje nisi viti mësimor 2015-2016 për sistemin shkollor para-universitar, ku përfshihen 3 cikle: Parashkollorët (kopshtet e fëmijëve), nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe nxënësit e shkollës së mesme. U tha nga “udhëheqësit” qeverisë, partisë e të arsimit në qendër, qytete e rrethe, madje u tha dhe në “tribunat” e shkollave që janë edhe pa dyer e pa dritare, se ky vit mësimor “po nis mbarë në çdo drejtim”! Po a ka nisur mbarë në çdo drejtim? Prej askujt, nuk u përmend asnjë “sektor” ku ka ose mund të ketë probleme, shqetësime, mangësi që kanë lidhje me procesin e mësimdhënies normale, me frekuentimin, me bazën didaktike mësimore, me kualitetin e mësuesve, me kompletimin e shkollave me staf profesional sipas lëndëve, me cilësinë dhe përmbajtjen e teksteve që janë përzgjedhur, me kompletimin e nxënësve ta varfër me libra e pajsisje shkollore, me kompletimin e klasave me tavolina e çdo element tjetër që nevojitet për një proces mësimi normal. Po cilat janë disa nga “plagët” e pa treguara, të nisjes së këtij viti mësimor në sistemin para-universitar? 
    Ja disa nga punët, që ministria deklaron se ka bërë për nisjen mbarë të vitit mësimor 2015-2016
    Në bilancin që Ministria e Arsimit, që dje e ka deklaruar publikisht për punët që ka bërë për fillimin normal të vitit mësimor 2015-2016, thuhet se janë ndërtuar 18 shkolla të reja të përfunduara totalisht, të cilat janë futur në funksion të mësimit në zonat ku janë ndërtuar. Janë rikonstruktuar 44 shkolla, të cilat tashmë janë futur në funksion dhe janë në dispozicion të nxënësve e mësuesve për këtë vit mësimor. Janë ndërtuar 44 terrene sportive, që do të garantojnë zhvillimin cilësor të orës së edukimit fizik, si dhe orët e sportit në shkolla, në kuadër të programeve “Shkolla, Qendër Komunitare”. Janë gati 120 laboratorë me infrastrukturë bashkëkohore, për procesin e digjitalizimit (klasat inteligjente), ku mësimi i lëndëve të Matematikës, Letërsisë, Kimisë, Biologjisë , Arteve dhe IT-së, do të “pilotohet” në 60 shkolla për klasat e 10-ta, nga të cilat përfitojnë 16 mijë nxënës. Platformat dhe librat digjitalë për klasat e 6-ta, këto lëndë do të jenë në shërbim të mësuesit dhe nxënësit. Garantohet transporti për 32.000 nxënës që kanë vend-banimni mbi 2 km larg nga shkolla si dhe transportin e 12.000 mësuesve që punojnë mbi 5 km larg nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë”. Në kuadër të reformës së re kurikulare, për herë të parë këtë vit shkollor do të jenë 76 mijë nxënës, të cilët do të mësojnë me tekste të reja të klasës së I e të VI, botime të emrave të mëdhenj siç janë “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”. Ndërsa, siç deklaroi Ministria e Arsimit, këtë vit mësimor janë “pastruar” nga programet mësimore të nxënësve të arsimit para-universitar 600 tituj tekstesh shkollorë me probleme, ndërkohë që është shtuar gama e familjeve që përfitojnë tekste falas, duke futur në skemën e përfitimit edhe ato familje me 3 e më tepër fëmijë… 
    Braktisja e shkollës/ 48 mijë fëmijë në arsimin 9 vjeçar, 31 mijë në arsimin e mesëm
    Ministria e Arsimit, përveç bilancit që përmend në këtë ditë fillimi të shkollës, padyshim që ka realizuar suksesshëm edhe punë të tjera, të cilat kanë lidhje me gjëra teknike brenda strategjisë së saj, në funksion të rilindjes së arsimit. Por ka edhe një fakt, që ky bilanc i publikuar si “arritje e nisjes normale” të vitit shkollor 2015-2016, ka prapa “dekorit” shumë probleme të tjera, të cilat, që të jemi të saktë, duhet thënë se jo të gjitha varen prej punës së Ministrisë së Arsimit, por që janë pjesë e arsimit para-universitar. Sot, po publikojmë një realitet i cili edhe pse është fakt në dosjet e Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe të pushtetit lokal si “problematikë serioze në arsimin shqiptar”, u mbajt “sekret”, por që “Telegraf” e disponon me statistika të nxjerra nga terreni, prej gjithë sistemit të institucioneve që monitorojnë dhe menaxhojnë arsimin para-universitar. Gjithsej, sipas shifrës së deklaruar prej Ministrisë së Arsimit, në shkollat e sistemit para-universitar, janë regjistruar 488 mijë e 938 nxënës. Nga këta 58 mijë e 32 fëmijë janë në arsimin parashkollor, 319 mijë e 66 nxënës janë në arsimin bazë 9 vjeçar, ndërsa 108 mijë e 636 nxënës janë në arsimin e mesëm me kohë të plotë. Por, ka edhe një kontigjent tjetër prej 3204 nxënësish që do të studiojnë në arsimin e mesëm me kohë të pjesshme. Ajo që nuk thuhet është fakti, që këtë vit mësimor, nuk do të frekuentojnë shkollën mbi 48 mijë fëmijë të arsimit 9 vjeçar dhe mbi 31 mijë fëmijë të arsimit të mesëm. Numri më i madh i atyre që kanë braktisur shkollën është në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Berat, Korçë, Kukës, Peshkopi, Gjirokastër. Shkaqet janë të shumta, por kryesori mbetet shkaku ekonomik që i nis fëmijët drejt punës, por edhe varfëria që nuk i lejon të shkojnë në shkollë mbasi nuk përballojnë dot shpenzimet. 
    ———————————————————————–
    Fakti/ 17% e fëmijëve nuk kanë shkollë në zonat e tyre
    Një tjetër plagë e cila nuk është “”mjekuar” dot as këtë vit mësimor që nisi është infrastruktura e arsimit. Në shumë zona të vendit mungojnë shkollat, të cilat ose janë rrafshuar, ose janë jashtë funksionit. Kjo gjendje e cila tashmë dihet se ekziston në 30% të zonave të e vendit, prej vitesh ka krijuar kontigjentin e analfabetëve të moshës 3-12 vjeçar, të cilët që prej lindjes e deri në këtë moshë nuk kanë pasur e nuk kanë kontakt me librin, aq sa e njohin si objekt “letër”! sipas statistikave që pushteti lokal në zonat pa shkolla ose me shkolla deri në 5-8 kilometër larg qendrës së banuar ku fëmijët nuk mund të shkojnë dot, rezulton se 17% e fëmijëve të moshës deri në 14 vjeç nuk frekuentojnë shkollën. Pse? Nuk ka shkolla nëpër zona. Mbyllja e shkollave fillore e 9 vjeçare nëpër fshatra dhe “kolektivizimi” i nxënësve dhjetëra kilometra larg qendrave të banuara të tyre në shkollat në qendër të ish-kooperativave, ua mbylli atyre mundësinë për shkollim, mbasi viti shkollor nga 9 muaj proces mësimor, 5 muaj i ka dimër. Por, të mos harrojmë edhe faktin, që 70% e zonave rurale nuk janë të lidhura me rrugë makine e kjo krijon atë që quhet: Pamundësi fizike moshore e kohore, për të përballuar dy herë në ditë “marshimin” drejt shkollës që ndodhet… atje ku e ka çuar ministria: Prapa… malit”! 
    Sigal