Ja 26 pronarët që përfitojnë 32 milion lekë

    393
    Sigal

    AKP zbardh listën e pronarëve përfitues që janë prekur nga ndërtimet informale

    Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave zbardh listën prej 26 personash, të prekur nga ndërtimet informate, të cilët përfitojnë kompensim në vlerën e 32 129 451,23 lekësh. AKP bën të ditur në njoftimin e saj se “më datë 09.05.2014, ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave”.

    Në përfundim të këtij procesi, është shpërndarë kësti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt (në total 57%) për 25 (njëzetepesë) kërkesa dhe kësti i katërt (10%) për 1 (një) kërkesë, të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në shumën e përgjithshme prej 32 129 451,23 (tridhjetë e dy milionë e njëqind e njëzet e nëntë mijë e katërqind e pesëdhjetë e një presje njëzet e tre) lekë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim.

    Legjislacioni

    Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar; ligjin nr.10239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar; dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.