ITALI/ Të kufizohet në gjashtëdhjetë ditë qëndrimi i emigrantëve të parregullt

    438
    Sigal

    Referendum i Radikalëve: “Qëndrim më i shkurtër në CIE dhe sanatore”

    Radikalët italianë depozitojnë në Gjykatën e Lartë dy çështje për referendum: një për heqjen e normave të futura me Bossi-Finin dhe nga paketat e sigurisë së vitit 2009. “Janë kriminale dhe detyrojnë emigrantët të bien pre e punëdhënësve”. Nis mbledhja e firmave

    – Të kufizohet në gjashtëdhjetë ditë qëndrimi i emigrantëve të parregullt në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit (CIE) dhe të zhduket marrëveshja e integrimit dhe kontrata e qëndrimit, duke thyer lidhjen, e futur nga ligji Bossi-Fini, mes kontratës së punës dhe qëndrimit në Itali.

    Është ky objektivi i dy prej gjashtë referendumeve të depozituar sot më 10 prill nga Radikalët italianë në Gjykatën e Lartë. Të tjerët kanë të bëjnë me shfuqizimin e financimit publik të partive, futjen e divorcit të shpejtë, depenalizimin e veprave penale të lidhura me përdorimin e drogave të lehta dhe ndarjen mes besimeve fetare të 8 për mijë të shumës së taksapaguesve që nuk kanë shprehur një zgjedhje. “Mbi emigracionin – shpjegojnë Radikalët italianë – kërkojmë të jemi si Europa. Duam të shfuqizojmë ato norma kriminale që angazhojnë një pjesë të madhe të forcave tona të policisë, duke e nisur nga qendrat e identifikimit dhe të dëbimit që duhet të identifikojnë e jo të kthehen në burg të ri që e bëjnë të paqëndrueshëm e pre të shantazheve statusin e punonjësit emigrant”. “U bëjmë apel të marrin “armët” demokratike të gjithë atyre që duan të reformojnë Shtetin duke vënë në qendër personat e jo partitë, duke eliminuar ligje që bllokojnë drejtësinë dhe kriminalizojnë dukuri sociale si emigracioni e konsumi i drogave e që të detyrojnë të presësh tre vjet për të kërkuar një divorc” ka shpjeguar sekretari i Radikalëve italianë Mario Staderini. Në veçanti, çështja e parë e referendumit dëshiron të zhdukë normat, e sjella në fuqi nga qendra e djathtë, që kanë zgjatur nga dy deri në tetëmbëdhjetë muaj mbajtjen e emigrantëve në CIE. “Me kosto tejet të lartë për shtetin, 18 milionë e 607 mijë euro vetëm gjatë vitit 2012 vetëm për shërbimet në brendësi të qendrave, me rezultate dështimi të plotë dhe shkeljen e të drejtave njerëzore” nënvizojnë promotorët, sipas të cilëve 60 ditë janë “të mjaftueshme në pjesën dërrmuese të rasteve për të kuptuar nëse identifikimi është realisht i mundshëm”. Çështja tjetër godet normat “që detyrojnë qindra mijëra emigrantë të jenë pre e shantazheve të vazhdueshme të punëdhënësve (duke krijuar efektin e “konkurrencës së pandershme” me punonjësit italianë) apo që i shtyjnë drejt punës në të zezë ose në shërbim të mkrokriminalitetit”. Në fakt, referendumi parashikon shfuqizimin e neneve 4 dhe 5 bis të tekstit unik për emigracionin (marrëveshja e integrimit dhe kontrata e qëndrimit) “që të dy ndikojnë mbi lejen e qëndrimit sepse e lidhin në mënyrë të pazgjidhshme mundësinë e qëndrimit në vendin tonë – edhe të qytetarëve prej vitesh në Itali – me kontratën e punës”. Nëse në referendum, italianët përgjigjen “PO” , sipas Radikalëve italianë do të jetë e mundur “një sanatore për 500 mijë punonjës të huaj pa leje qëndrimi, që janë tashmë në Itali”.Rrugëtimi i dy propozimeve për referendum sapo ka nisur, rruga është e gjatë e nuk është e thënë që të arrijnë deri në fund. Tani që kërkesat për referendum janë depozituar në Gjykatën e Lartë, do të nisë mbledhja e firmave: nevojiten 500 mijë për çdo kërkesë që referendumi të mbahet vërtet.

    Elvio Pasca

    ITALI

    SEL: “Të hiqet vepra penale e klandestinitetit”. Propozim në Dhomën e Deputetëve

    E kanë nënshkruar Daniele Farina dhe të gjithë deputetët e tjerë të partisë së Vendolës. Ka vetëm një nen, që shfuqizon “veprën penale të hyrjes dhe të qëndrimit të paligjshëm në territorin italian” të futur nga qendra e djathtë në vitin 2009

    – “Propozimi ynë i parë ligjor konsiston në shfuqizimin e ligjit famëkeq Bossi-Fini dhe të ligjeve të tjera pasuese që kanë përkeqësuar gjithnjë e më shumë kushtet e emigrantëve, duke shkelur të drejtat themelore njerëzore, siç është për shembull ligji që parashikon veprën penale të klandestinitetit…”. Kështu është shkruar në programin me të cilin Sinistra Ecologia e Libertà u paraqit në zgjedhjet e fundit.

    Bazuar në atë premtim, partia e Vendolës këtë fillimprilli ka depozituar në Dhomën e Deputetëve një projektligj për shfuqizimin e “veprës penale të hyrjes dhe të qëndrimit të paligjshëm në territorin e Shtetit” të futur nga qeveria PdL dhe Lega në vitin 2009, me një nga ligjet mbi sigurinë.

    Propozimi i SEL-it, me firmëtar të parë Daniele Farinën, ka vetëm një nen që thotë: “Neni 10-bis i tekstit unik i dispozitave mbi disiplinën e imigracionit dhe normat mbi të huajt, për të cilat flet dekreti legjislativ nr. 286 i 25 korrikut 1998, shfuqizohet”. Është një fjali e vetme që zhduk një nga bastionet e politikave mbi imigracionin të qeverisë së fundit të qendrës së djathtë: zgjedhjen e transformimit të qindra mijëra personave në kriminelë.

    Ajo vepër penale, kujtohet në premisën e projektligjit, “sjell që të gjithë zyrtarët shtetërorë dhe të ngarkuarit për të ofruar shërbim publik. Të jenë të detyruar të padisin personin që kanë përballë nëse është “fajtor” për mospasjen e dokumenteve të qëndrimit”. Vepra penale ka sjellë gjithashtu edhe “burgosjen e mëse 3 mijë personave”.

    Deputetët e SEL-it e konsiderojnë veprën penale të klandestinitetit antikushtetuese dhe në kundërshtim me normat europiane, sepse ndëshkon “personin jo për rrjedhojë të një sjelljeje të tij në kundërshtim me ligjin, por vetëm sepse nuk ka lejen e qëndrimit”. E kërkojnë nga Parlamenti një ligj mbi imigracionin “jashtë logjikës së emergjencës dhe të frikës nga e ndryshmja, e që të bazohet mbi respektin e të drejtave kushtetuese të personave dhe mbi zgjidhje të mundshme në të mirë të bashkëjetesës civile”.

    EP /