Itali, shkatërrohet organizata somaleze, kishte lidhje me ISIS

478
Policia antimafia e antiterrorizëm e qytetit të Barit ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm maxi operacionin e koduar “Hawala.net” i cili ka çuar në arrestimin e disa shtetasve me etni somaleze në qytetet e Barit, Katanaia e Salerno, si anëtarë të një grupi kriminal që merrej me trafikun e qënieve njerëzore e në lidhje me organizatën terroriste somaleze Al Shabaab.

Ky grup kriminal falë lidhjeve me një nëpunës të komunës së Barit administronte trafikun e emigrantëve klandestinë në Itali e në vendet të tjera të Europës Veriore.

Akuza ndaj tyre është pjesëmarrje në organizim kriminal me qëllim qëndrimin ilegal në Itali e në vende të tjera të Europës të emigrantëve klandestinë, favorizim i emigracionit klandestin me qëllim përfitimi, përdorim i dokumentacioneve fallso, korrupsion i shërbimit publik e deklaratë të rreme të dokumentit publik.

Hetimet e operacionit “Hawala.net” kanë vërtetuar se si ky grup kriminal përdorte kanale ilegale të “money trasfer” sipas sistemit “hawala informatica” për të transferuar sasi parash të dërguar nga familjarët e emigrantëve e të përfituara nga trafikantët si cmim për udhëtimet e klandestinëve kryesisht në Veri të Europës.

Falë lidhjeve me një nëpunës në komunën e Barit, trafikantët e emigrantëve siguronin dokumentacion të rezidencave fallso për shtetas somalezë.

Operacioni “Hawala.net” ka vërtetuar gjithashtu lidhjet e këtij grupi kriminal me xhihadistë të ISIS e me organizatën terroriste “Al Shabaab”.

Përgjimet telefonike e në internet kanë zbuluar lidhjet e disa anëtërëve të këtij grupi me elementë xhihadistë mes të cilëve dhe një shtetas somalez i arrestuar më 2016 me motivin e favorizimit të hyrjes në territorin italian të dy foreign fighters , militantë të ISIS.
Sigal