Itali, nderohet Presidenti i “Ora News”, shpallet Doktor në menaxhim biznesi dhe media

    395
    Sigal

    Presidenti i RTV “Ora News” dhe “Channel One”, Ylli Ndroqi është nderuar me titullin akademik  Doktor “Honoris Causa” në Menaxhim  Biznesi dhe Media nga Universiteti Konstandin në Romë. Titulli biznesmenit të njohur shqiptar iu dorëzua në një ceremoni solemne të zhvilluar në Romë, ndërsa i ishte akorduar nga Senati Akademik i Universitetit. Ceremonia e rastit u drejtua nga doktor Siriano Silvestre, i cili tha se kandidatët për këtë vlerësim të rëndësishëm janë përzgjedhur nga Dhomat më të rëndësishme të Tregtisë. Silvestre shtoi se kandidatët, që përzgjidhen nga fusha të ndryshme vëzhgohen për një periudhë 2 vjeçare për të parë ecurinë e veprimtarisë së tyre. Ai shtoi se z. Ylli Ndroqi e meriton plotësisht këtë çmim sepse është një njeri suksesi dhe ka bërë shumë për vendin e tij. Simbolikisht Zoti. Ndroqi e mori titullin nga princi i Malit të Zi, Stefan. Në këtë mënyrë, presidenti i RTV “Ora News”, bëhet shqiptari i parë që vlerësohet me një titull kaq të rëndësishëm nga një prej Universiteteve më të famshme në të gjithë botën.  Titulli “Honoris Causa” që jepet nga Universiteti Kostandin është një vlerësim shumë i lartë që jepet për figura dhe personalitete nga e gjithë bota. Kjo traditë ka nisur më 30 nëntor të vitit 1966 dhe deri më sot me këtë çmim janë vlerësuar 10 personalitete nga vende të ndryshme të botës, për kontribute në fushat e tyre të veprimit, si biznes, mjekësi, arkitekturë, etj.. Ky Universitet i cili daton që nga viti 330 para erës sonë mendohet të jetë më i lashti me një të kaluar brilante, ndërsa sot është në thelb një institucion nderi. Ceremonia e  ndarjes së çmimeve në Universitetin e Konstandinit bëhet me pjesëmarrjen e gjerë të publikut dhe në Kishën e Shenjtë të Perandoreshës Teodora.