ISSH-ja e Vjollca Brahos, shembulli i shpërfilljes së vendimeve të gjykatave shqiptare

    454
    Sigal

     SKANDALI / Nëna me shumë fëmijë mbetet pa pension, megjithëse, ka fituar vendimin e Gjykatës të Shkallës së Parë dhe të Apelit

     Nuk kanë të mbaruar telashet dhe hallet e qytetarëve të thjeshtë për shkak të paaftësisë dhe burokracisë që shkaktohen prej sigurimeve shoqërore. Objekti i trajtimit të këtij shkrimi është një shqetësim që ka mbërritur në redaksinë e gazetës “Telegraf” nga shtetasja Hajrie Kasa, e cila si nënë me shumë fëmijë, e cila ka punuar mbi 30 vjet si dhe ka mbushur  moshën 50 vjeç, kërkon përfitimin e pensionit. Po çfarë tregojnë faktet skandaloze të sorollatjeve të kësaj shtetaseje. Zonja Hajrije Kasa nga Preza e Tiranës, e datëlindjes 10/04/1960 mbështetur në nenin 93 të ligjit të sigurimeve shoqërore, ka kërkuar rreth 3 vjet më parë pension si nënë me shumë fëmijë mbasi ka plotësuar moshën 50 vjeç dhe ka kryer mbi 30 vjet punë. Kjo kërkesë nuk është pranuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.

     E interesuara duke qenë e bindur se ka të drejtë i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të fituar të drejtën e saj. Gjykata e Tiranës pas shqyrtimit të çështjes dhe dokumenteve të paraqitura ka vendosur t’i jap të drejtë paditëses me vendimin nr. 938 dt. 07.02.2012, duke e urdhëruar të paditurin, që është Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, që t’i japë pension Hajrije Kasës prej datës 10.04.2010, datë në të cilën ajo ka plotësuar moshën për pension të plotë si nënë me shumë fëmijë. Shpenzimet gjyqësore gjithashtu, iu ngarkuan të paditurve.

    Vetë ligji për sigurimet shoqërore ka përcaktuar fare qartë se, në momentin që shtetasi fiton gjyqin në Shkallën e Parë atij i jepet menjëherë pensioni dhe kjo ka një arsye të fortë që ky person duhet të jetojë dhe të ushqehet ndaj i jepet pensioni sipas vendimit të gjykatës. Ndërkohë që, ISSH-ja mund të vazhdojë ankimimin në Apel dhe nëse e gjykata i jep të drejtë  sigurimeve shoqërore ajo ja mbanë nga pensioni sasinë e marrë tepër. Por vartësit e Drejtoreshës së ISSH-së, Vjollca Braho, që pa dyshim janë më të paaftit në historinë e Sigurimeve Shoqërore dhe që të vetmen meritë kanë se janë përfaqësues së Partisë PDIU dhe Shpëtim Idrizit, jo vetëm që nuk i lidhën pensionin, por e dërguan çështjen në Gjykatën e Apelit në kundërshtim të plotë me ligjin. Ndaj Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, jo vetëm që nuk e pranon dhe zbaton vendimin e Shkallës së Parë, por i drejtohet Gjykatë së Apelit për të hedhur poshtë vendimin e mësipërm, me arsyetimin se paditësja nuk ka plotësuar tërësisht kushtet për të marrë pensionin e kërkuar. Edhe Gjykata e Apelit me vendimin 2481 dt.23/10/2012 vendosi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, me nr.938 dt . 07.02.2012, duke detyruar sigurimet shoqërore që të interesuarës t’i paguhet pensioni nga dita që ka plotësuar moshën 50 vjeç.

    Përfundimi i çështjes në Apel duket se do i jepte fund historisë rraskapitëse dhe vuajtjeve të kësaj pensionisteje, për më tepër që vendimi i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë. Por nuk paska qenë e thënë që të paaftët të ndërgjegjësohen edhe nga ky vendim dhe nga një trup gjykues  prej tre gjyqtarësh. Dy janë rrugët e sorollatjes kur dikush shpërfill drejtësinë dhe vendimin e formës së prerë: Ose janë mjeranë partie dhe se të tillë të besuarit e Shpëtim Idrizit me Vjollca Brahon janë, ose nëpunësit e Drejtorisë Rajonale për qëllime të turpshme apo përfitime të ndryshme e sorollatin dhe shpërfillin vendimin e formës prerë të Gjykatës së Apelit. Po si ka mundësi që nga njëra anë Shpëtim Idrizi kërkon dhe paraqet në Parlamentin Shqiptar një Rezolutë për Çështjen Çame me 13 pika dhe nga ana tjetër përfaqësuesja e tij në ISSH zonja Vjollca Braho nuk respekton jetën e një nëne me shumë fëmijë që është duke vdekur për bukën e gojës dhe që e drejta është me ‘të, pasi ka fituar dy gjyqe në dy gjykatat shqiptare atë të Shkallës Parë dhe atë të Apelit. Megjithatë, pensionistja, e cila e fitoi këtë të drejtë me gjyq ende dhe sot e kësaj dite nuk merr pension.

    Edhe në këtë rast, megjithëse sipas legjislacionit vendimet e Gjykatës së Apelit janë të detyrueshme për t’u plotësuar,  Drejtoria Rajonale nuk e pranon dhe zbaton këtë vendim, duke iu drejtuar për vendim final Gjykatës së Lartë. Për rrjedhojë të kësaj sorollatjeje të padrejtë dhe kundërligjshme Hajrie Kasa, megjithëse ka fituar dy vendime gjykate nga data 10/04/2012, nuk merr fare pension edhe pse është nënë me shumë fëmijë. Por fakti më tronditës është se kur të mbarojë gjykimi në Gjykatën e Lartë duhen edhe nja 3 apo 4 vjet dhe larg qoftë të mos i ndodhi gjë kësaj pensionisteje, por edhe po s’i ndodhi dhe ajo të gëzojë shëndet të plotë, ISSH-ja, sipas ligjit, po ka kaluar mbi tre vjet nuk ja jep paratë për këtë periudhë dhe fukarai mbetet me gisht në gojë, për shkak të mungesës së shtetit ligjor . Qytetarët të vetmen gjë që kanë në dorë është të mendohen mirë kur të shkojnë tek kutia e votimit dhe duhet të ndëshkojnë me votë të gjithë banditët dhe përfaqësuesit e tyre politikë, duke filluar nga rasti konkret, ai i PDIU-së së Shpëtim Idrizit.