Ismail Qemali kapërceu 4122 kilometra përmes ushtrive pushtuese për të ngritur flamurin e Pavarësisë në Vlorë

    1053
    Sigal

    Itinerari i Plakut të Vlorës në nëntorin e vitit 1912 ishte ky:  Stamboll-Konstancë- Bukuresht-Vjenë- Budapest-Vjenë-Trieste-Durrës-Vlorë

    Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

    Alma Golemi

    Pavarësia shqiptare dhe epoka e rilindjes shqiptare dhe e rilindësve nuk mund të ndahen. Pavarësia udhëtoi nga shteti i Skënderbeut tek ai i Ismail Qemalit 4 shekuj e 63 vjet. (1443-1912). Rilindësit bënë që të piqeshin kushtet historike të një transformimi të madh. Platforma e parë e Ismail Qemalit të parë në vitin 1928 nuk mundi të triumfonte. Por stafeta e shqiptarizmës do të dorëzohej dorë më dorë nga gjyshi tek nipi.  Ismail Qemali mblodhi në Taksim të Stambollit jo një mbledhje të thjeshtë patriotësh e korifenj të shqiptarizmës, por amanetin e gjeneratave shqiptare të të gjithë shekujve.

    Me udhëtimin e tij të famshëm, plaku i bardhë të flamurit, Ismail Qemali në nëntorin e vitit 1912 bëri plot 4122 kilometra nga Stambolli në Vlorë. Ai me patriot të tjerë përshkruan rrugën Stamboll-Konstancë- Bukuresht; nga Bukureshti në Vjenë; nga Vjena në Budapest; nga Budapesti sërish në Vjenë; nga Vjena në Trieste; nga Trieste në Durrës për tu finalizuar në Vlorën e përjetësuar të flamurit.

    Pavarësia për shqiptarët ka qenë shpesh në rend të ditës, në penën e intelektualizmit shqiptar, në mendjen gjeniale të rilindjes shqiptare të frymëzuar edhe nga iluminizmi francez. Por nga ana tjetër Pavarësia ka qenë edhe në grykën e pushkës e në majën e jataganit në qindra beteja nëpër shekuj. Amaneti i gjakut të shqiptarëve udhëtoi përmes shekujsh për t’u naltuar në 1912.

    Stacionet e veprimit politiko-diplomatik për pavarësinë e shqiptarëve ishin Stambolli, Bukureshti, Vjena, Budapesti, Trieste, Durrësi dhe Vlora. Një rrugëtim i vështirë me anije, me tren dhe me karrocë që zgjati nga data 2 nëntor 1912 deri në 27 nëntori 1912.

    Në 3 nëntor 1912 Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, arriti në Bukuresht të Rumanisë, pas një pritje disaorëshe në Konstancë në stacionin hekurudhor.

    Në 5 nëntor 1912 Ismail Qemali në Bukuresht bën takim me  koloninë shqiptare të Bukureshtit ku mori mesazhin e madh mbështetës për Shqipërinë e pavarur.

    Në 7.11.1912 delegacioni i plotësuar edhe me katër përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, u nis për në Vjenë. Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku, me dedikimin: “Për ngritjen e shtetit shqiptar”. Në 9 nëntor 1912 në Vjenë, Ismail Qemali pritet nga Gjeneralmajor Blasius Schemua Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura austro-hungareze, takim që ka qenë topsekret.  Sapo ka dalë nga takimi Ismail Qemali shkruan një telegram për Vlorën: “Përpara së premtes jemi në Durrës. Të mbledhurit e Delegatëve në Durrës ose Vlorë është krejt i nevojshëm. I ftoni të gjithë, deri sa të vij unë mbani qetësinë dhe bashkimin. Çështja jonë politike u sigurua fare”. Në 13 nëntor 1912 Ismail Qemali nga Vjena, me ftesë të Kontit Andrassy shkoi në Budapest, ku takohet me kontin Janos Hadik ish-nënsekretar shteti dhe me Kontin Leopold Berchtold, Ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, nga njerëzit më të fuqishëm të diplomacisë evropiane. Po në 13 nëntor 1912 Ish-Ministër i Brendshëm i Austro-Hungarisë do shprehej: “Pavarësia e Shqipërisë është në interes të rangut të parë për Monarkinë tonë…”, ndërsa Konti Berchtold duke u shprehur për çështjen shqiptare shprehej: “nëse si Ministër i Jashtëm Austriak do të nënshkruante një deklaratë të tillë (që Serbia të kishte dalje në Adriatik) meritonte të vritej”. Njoftimet dokumentare bëjnë të ditur se Ismail Qemali ju shpreh Kontit Berchtold: “Flamurin e kam por nuk kam shtizën ku ta naltoj dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn në Ballkan. Përgjigjja e kontit ishte “Për shtizë të flamurit tuaj keni bajonetën austriake”. Pas takimit me Berchtold, Ismail Qemali përsëri do t’i shkruante Vlorës: “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar. Telegrafoni kudo të kenë besim të plotë për fatin e atdheut”. Do të vijonte udhëtimi i tij historik nga Budapesti sërish në Vjenë. Më 18 nëntor 1912  Ismail Qemali u nis nga Vjena dhe mëngjesin e 19 nëntorit 1912 arriti në Trieste, në atë kohë qytet austro-hungarez. Pas një ndalese të shkurtër, në “Excelsior Palace-Hotel”, në orën 14:00, shoqëruar nga 14 patriotë, midis të cilëve i biri i tij Qazim Vlora, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Spiridon Ilo, etj., Ismail Qemali u nis nga Trieste për në skelën e qytetit të Tristes nga do të niseshin në Durrës.

    Më 19 nëntor 1912 Ismail Qemali i drejtohet me një telegram komitetit përgatitor për shpalljen e Pavarësisë, dhe kërkon që të sigurohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit, për Mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që mendohej të mbahet në Durrës ose në Vlorë. Në këtë telegram thuhej: “Mbledhja e përfaqësuesve në Durrës apo Vlorë është shumë e rëndësishme. I thirrni të gjithë. Gjersa të arrij unë, mbani qetësinë e ruani bashkimin. Çështja jonë politike është siguruar përfundimisht”. Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes nga Trieste për në Durrës, gazetës italiane “Piçolo”, i deklaroi, se: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”. Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, delegacioni shqiptar në krye me Isamail Qemalin, me vaporin austriak “Baron Bruck” niset nga qyteti i Triestes drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës 21 nëntor 1912. Ndonëse ishte menduar që ngritja e Flamurit të bëhet më 22 nëntor 1912 në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të evitonin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç’pritej. Deti ishte bllokuar nga flota greke. Kompromisi i dhespotit Jakov me Myftiun e qytetit nuk lejuan ngritjen e flamurit dhe mbajtjen e një kuvendi të parashikuar në Durrës. Këtu qëndrimi dhe akti i shpalljes u bë i pamundur, prandaj me karroca dhe kuaj në rrugët e përbaltura të Myzeqesë do të kalonin Ismail Qemali dhe ëndrrat e gjithë shqiptarëve. Nga gjendja e nderë që mbretëronte në Durrës, Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t’i nisin për në qytetin e tij të lindjes në Vlorë. Në Durrës Ismail Qemali qëndroi 3ditë 22 deri 24 nëntor 1912. Në datën 24 nëntor u nisën dhe nuk u futën në Lushnjë, por natën e kaluan në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut.  Rifilluan lëvizjen dhe në mbrëmje të datës 25 nëntor Ismail Qemali qëndroi tek Omer Pasha në Fier. Në datën 26 nëntor nga Fieri shkuan në Mifol, ku delegacioni i Ismail Qemalit udhëtonte me dy karroca dhe pas shumë peripecive, në të gdhirë të 27 nëntorit 1912 arrijnë në Vlorë, ku delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë, u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëri i Ismail Qemalit. Nga Vlora, ky moment vendimtar në historinë e kombit, u propozua Shqipëria e pavarur, një qeveri të përkohshme dhe një pleqësi në ndihmë e kontroll të qeverisë.

    Kuvendi i Vlorës zhvilloi punimet për 10 ditë, nga 28 nëntor 1912 ora 14.00 deri 7 dhjetor 1912. Fatet e Shqipërisë i vendosën 63 delegatë, ku firmëtarë të dokumentit të pavarësisë ishin 40 vetë. Rexhep Mitrovica kërkoi që kryetar i Kuvendit të jetë Ismail Qemali; shkronjës i parë Luigj Gurakuqi dhe shkronjës i dytë Shefqet Daiu, që u miratuan njëzëri. Ismail Qemali zgjidhet kryeministër dhe merr miratimin nga delegatët të formojë qeverinë e parë të re të përkohshme, qeveri që shpall në 4 dhjetor 1912 dhe shtriu aktivitetin e vet deri në 22 janar 1914. Qeveria e parë e shtetit shqiptar e drejtuar nga 68- vjeçari Ismail Qemali e nisi jetën e tij me kabinet qeveritar me përfshirje të gjerë, me marrëveshje me përfaqësimin e baraspeshuar me intelektualë nga gjithë hapësira shqiptare dhe gjeografikisht me përfaqësim të barabartë besimesh. Kabineti përbëhej nga Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri, Myfit Bej Libohova, Petro Poga, Pandeli Cale, Abdi Bej Toptani, Luigj Gurakuqi, Mehmet Pashë Dërralla, Mit’hat Frashëri, Lef Nosi. Por në qeverinë e Vlorës shërbyen edhe Preng Bibë Doda, Esat Pashë Toptani, Hasan Prishtina, Fejzi Alizoti, Azis Vrioni, Gjergj Çako dhe Qemal Karaosmani (Elbasani). Asambleja Kombëtare zgjodhi senatin ose siç quhej pleqësinë me 18 anëtarë. Eklipsi i diellit me hënën që kishte ndodhur në 17 prill 1912 errësoi botën për 12 minuta, por ishte shenjë positive se eklipsi i shqiponjës në fushën gjak të flamurit shqiptar nuk mund të vazhdonte më shumë se 5 shekuj. Kishte ardhur ora e Shqipërisë. Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar lindi mbi bazën e traditës së lashtë shtetformuese, duke filluar nga shteti ilir i shekullit IV-II para Krishtit;, shteti i Arbërit në shekullin e XII, shteti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në shekullin e XV, Shtet-Pashallqet e Bushatllinjve në Veri dhe Pashallëku i Janinës i Ali Pashë Tepelenës në Jug si dhe tendencat e shtetformimit me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në periudhën 10 qershor 1878 deri në vitit 1881. Shteti i parë shqiptar nuk mundi të shtrihej në gjithë trevat shqiptare, por pati rëndësinë historike që hodhi themelet e kërkimit të së drejtës historike të Shqipërisë natyrale, kudo ku flitej shqip. Qeveria doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike. Qeveria e Vlorës siguroi kufijtë në një hapësirë të vogël dhe u shtri më vonë edhe në troje të tjera; vendosi administratë shqiptare dhe gjuhën shqipe, krijoi Shtabin madhor, formacionet e para ushtarake me uniforma të porositura në shtetin fqinjë, Itali. Shpallja e pavarësisë  finalizoi gjakun e derdhur në shekuj. Ai ishte një akt madhor unik me rëndësi jetike për shqiptarët sepse mbylli një epokë luftërash për të jetuar të lirë kundër pushtuesve të huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin shqiptar. Pas udhëtimit historik të Ismail Qemalit nga Stambolli në Vlorë kemi një epokë të re për shqiptarët. Kuvendi i burrave në Vlorë e shpalli pavarësinë legjitime në prezencë të të gjithë të përzgjedhurve nga të gjitha krahinat shqiptare duke përfaqësuar të gjithë trevat shqiptare, duke e parë Shqipërinë si një e te pandarë. Ndërkohë që Fuqitë e Mëdha mblodhën Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 17 dhjetor 1912 dhe po diskutonin për statusin dhe kufijtë e Shqipërisë, Qeveria e Vlorës kërkonte shtirjen në 57 mijë km², atje ku shtriheshin territoret e popullsisë shqiptare. Nisma politike “është koha të punojmë për Shqipërinë”, e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës dhe patriotëve të tjerë shqiptarë rezultoi e suksesshme. Performanca e diplomatit vizionar dhe politikanit të regjur me mendime liberale doli në pah duke vërtetuar thënien e Edit Durham për shqiptarët: “Kostandinopoja është çelësi i Lindjes së afërt, ndërsa Shqipëria ishte çelësi i Kostandinopojës”.

    Fuqitë e Mëdha dhe “mëkatet” historike.

    Në 29 korrik, 1913, shtatë muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Fuqitë e Mëdha shpallën vendimin për Shqipërinë, për kufijtë e saj. Edhe pse kishte mjaft kufizime ishte esencialisht i rëndësisë së veçantë për fatet e kombit shqiptar. Pavarësinë nuk mundën ta gëzonin të gjithë shqiptarët por vetëm gjysma e popullsisë së trojeve shqiptare. Vendimet që u morën për kufijtë e shtetit shqiptar ishin simbolike dhe shqiptarët u gjendën nën problemeve të shumta me katër shtete fqinjë. Por 29 korriku nuk mund të ngatërrohet me vendimet e protokollet për caktimin e kufijve të shtetit të parë të shqiptarëve në shek. XX. Shteti shqiptar kaloi një shekull të ekzistencës së tij dhe referenca e veprimtarisë së atij viti dhe viteve pasues i shërbejnë pasurimit të përvojës historike shqiptare. Pra tradita tonë shtetformuese ka referencat e saj në kuadrin politik, administrativ, juridik, financiar, diplomatik, arsimor, shkencor, letrar, muzikor, artistik etj.. Menjëherë pas pavarësisë shqiptarët hodhën vështrimin nga institucioni i diplomacisë evropiane që ishte e shumëpritura “Konferenca e Londrës”, në rang ambasadorësh. Për herë të parë çështja shqiptare u mor “seriozisht” me problematikën e çështjes shqiptare. Londra mori vendime jetike për fatet e shqiptarëve me pasojat që vijojnë edhe aktualisht me të mirat dhe me të këqijat e natyrshme. Por ndërkohë që Ismail Qemali ushtronte funksionet kryeministrore si i pari shqiptar shtetar më 29 korrik 1913 ambasadorët në Londër ndryshuan vendimin e 17.12.1912. Fuqitë e Mëdha përkëdhelën fatin e fqinjëve tanë dhe shtatë muaj injoruan pavarësinë e shpallur në Vlorë. Burrat diplomat të Fuqive të Mëdha i njohën vetëm autonominë Shqipërisë, por gjithmonë nën nën sulltanatin osman. Cilat ishin të rejat e vendimit të ri të 29 korrikut 1913? Dokumentet arkivore flasin për  një Shqipëri të pavarur, asnjanëse, nën kontrollin kolektiv të Fuqive të Mëdha të Europës. Kontrollin do ta ushtronte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) për dhjetë vjet dhe në Shqipërinë e përvuajtur e të sfilitur nga luftërat do të vinte një princ i huaj. Ky ishte një kompromis i Fuqive të Mëdha ndërkohë që lufta botërore ishte në prag. Në fakt ky ishte kompromis dhe pazarllëk bashkë në radhë të parë për kufijtë. Shqipëria u copëtua rëndë, por fqinjët tanë aq të ethshëm në qëllimet e tyre nuk mundën ta zhbënin. Nga këndvështrimi i ftohtë historiografik qëndrimet e Fuqive të Mëdha duhet të shikohen në kontekstin historiko-realist. Fakt është që “Pavarësia” nuk ishte një “dhuratë e Evropianëve” dhe as e “Shën Adriatikut”. Shqiptarët ishin dhe janë një popull evropian në të drejtën historike në truallin e tyre. Konferenca e Londrës është tashmë një çështje historike. Politizimi nuk e ndihmon procesin e integrimit të Ballkanit. Duhet të njihen paradokset ballkanike. Përzierja e ngjarjeve të një shekullit do ta bënte më komplekse çështjen. Tashmë rrugën që nisi Ismail Qemali pas 101 vjetësh patën kohë ta kuptojnë gjithë shqiptarët dh eta vetëvlerësojnë fatin e tyre që është i lidhur me fatet integruese të kombit shqiptar. Gjykojmë se “krimet” dhe “gjynahet”, edhe ato shekullore i përkasin së djeshmes. Ndjesa ndoshta ndaj shqiptarëve është integrimi i shpejtë me mekanizma realë që e ndihmojnë procesin. Edhe analiza reale dhe shkencore e ngjarjeve kanë një sinergjizëm me fokus ardhmërinë. Kjo ishte ideja e parealizuar e Ismail Qemalit të parë platformë e vrarë me dy plumba në muret e kalasë së Janinës në fillim të shekullit XIX. Kjo ishte platforma e nipit të tij, Ismail Qemal Bej Vlorës që realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve.

    Ballafaqim historik përballë shifrash. Është fakt se Ismail Qemali nuk ishte zgjedhja e kancelarive të mëdha por ju imponua me zotësinë, oratorinë e diplomacinë e tij të arrirë. Personazhet historikë si Feldmarrshalli Blasius Schemua, Konti Andrassy, dy ministrat e jashtëm të Habsburgëve konti Leopold Berchtold dhe ministri i jashtëm Italian Markezi San Guliano kishin një platformë në tavolinat diplomatike dhe ushtarake për “Shqipërinë–shtet i pavarur”. Por jo të gjithë fuqitë biseduese ishin në një mendje. Por europianët Shqipërinë e njohën de jure por të gjymtuar në shifra të frikshme. Konferenca e Ambasadorëve e njohu Shqipërinë si shtet të pavarur nën kontrollin e Fuqive të Mëdha, por i bëri një copëtim të tillë, saqë i la brenda kufijve vetëm zonat më pa zhvillim, kryesisht Ultësirën tonë, atëherë një moçalishte e pafundme dhe malet e larta. Popullsia shqiptare jetonte e ndarë në katër vilajete. Dy nga këto vilajete veç e veç ishin më të mëdha se Shqipëria e sotme; ndërsa dy të tjerat ishin gati sa ajo e sotmja. Vilajeti i Kosovës ishte 32.000 km²; Vilajeti i Shkodrës 10.987 km², Vilajeti i Manastirit 28.500 km², dhe Vilajeti i Janinës 17.900 km². Nga burimet osmane, popullsia e Shqipërisë në prag të Luftës Ballkanike numëronte rreth 3.000.000 banorë. Fuqitë e Mëdha i dhuruan Serbisë 34.000 km² me 1.090.000 banorë, Greqisë 10.794 km² me 425.000 banorë dhe Malit të Zi 7000 km² me 260.000 banorë. Ndërkombëtarët e para një shekulli realizonin më së mirë platformën e shekujve: “nuk ka miq ka interesa”. Për këto interesa në shtatë muaj mbledhje të ambasadorëve hyn në lojë miq e mikesha, pse jo edhe shpesh herë debate vijonte në kafenetë e lokalet e argëtimit të Londrës. Të dhënat më të shumta dritëhedhëse për ngjarjen e para një shekulli janë të dokumentuara në letërkëmbimet e shumta të sekretarit të jashtëm britanik, Sir Edward Grey me homologët e tij. Grey ishte “shpirti i konferencës”. Fuqitë e Mëdha dhe sidomos austriakët ishin negociatorët kryesorë. Imazhi i vërtetë i Fuqive të Mëdha, dukej nga  politikat që ndiqnin ndaj “të vegjëlve”. Konferenca hodhi idenë se, “Kush do ta administronte Shqipërinë?”. Thuhet e shkruhet se edhe fuqitë evropiane e patën të vështirë; ndërkohë që ishin suedezët që u tërhoqën menjëherë nga administrimi për t’ua lënë barrën e administrimit të xhandarmërisë holandezëve. Ambasadori amerikan në Greqi fliste për “mrekulli e paaftësisë”, “lëmsh gjërash të paqëndrueshme”, “skemë absolutisht e papajtueshme”. Por fakt është se shqiptarët mbijetuan me përpjekje shumë të mëdha për të ruajtur identitetin në pritje të kompromisit evropian. Shqiptarët kapërcyen mentalitetet, e konjukturat dhe përjetojnë sot një realitet krejt të ri në Ballkan e më gjerë si pjesë e Aleancës së NATO-s. Padrejtësitë janë fiksuar në axhendat historike.

    Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar sepse mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar veprën e Rilindjes. Por Pavarësia hapi një epokë të re luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.

    Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare që morën pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën formimit të shtetit shqiptar. Kuvendi në Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Qeveria e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë serbe e greke. Qeveria kërkoi largimin e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake nga trojet e pushtuara shqiptare. Akti i pavarësisë sanksionoi të drejtat e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur si dhe hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar. 28 Nëntori 1912 ishte sfidë ndaj politikës së Fuqive të Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes Tripalëshe, megjithëse roli i Austro-Hungarisë dhe Italisë pavarësisht interesave ishte i konsiderueshëm për kohën.  “Pavarësinë” e saj ato e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet, si mjetin që do t’u hapte rrugën për të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë, për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë. Pavarësia ishte ngjarje madhështore, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX. Shteti i ri i Pavarur Shqiptar mbajti të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan, ku korrigjimi historik ka nisur me 17 shkurtin e vitit 2008. Koshienca e Europës është e vonuar ndaj çështjes shqiptare. Konferenca e Ambasadorëve, që kryesohej nga Sir Edward Grey, Sekretari Britanik për punët e Jashtme, nuk lejoi daljen e Serbisë në det si dhe diskutoi statusin ndërkombëtar të Shqipërisë, organizimin e shtetit të ri dhe përcaktuan një kufi ndërkombëtarisht të pranuar, por të gjymtuar rëndë, megjithë punën e madhe të delegacionit shqiptar të autorizuar nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Filip Noga, Rasih Dino dhe Mehmet Konica, argumentoi me dokumente historikë ekzistencën e një Shqipërie kompakte, etnike që përfshinte qytetet e rajonet e Malësisë, Pejës, Gjakovës, Prizrendit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Manastirit, Follorinës, Resnes, Kosturit, Çamerisë dhe Prevezës. Veprimtaria e Qeverisë së Vlorës ka qenë e kufizuar për një sërë kushtesh dhe faktorësh megjithëse Ismail Qemali ngelet kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë duke bërë një veprim tejet të mençur edhe me dorëzimin e mandatit në KNK. Qeveria e Vlorës punoi në plan të brendshëm dhe në plan të jashtëm edhe pse veprimtaria e Qeverise se Vlorës ka qene e kufizuar për një sërë kushtesh dhe faktorësh: Vetëm në fund të marsit 1913, u krijuan mundësitë që Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini të vizitonin kryeqytetet kryesore të Evropës: Romë, Vjenë, Paris, Londër, në përpjekje të njohjes së Qeverisë së Vlorës edhe pse qeveria e parë e përkohshme e Vlorës mbante lidhje me përfaqësues të huaj me konsujt e fuqive, që ndodheshin në Vlorë prej kohësh ose ishin dërguar pranë tyre. Edhe pse Fuqitë e Mëdha nuk e njohën asnjëherë qeverinë e Vlorës, Vjena dhe Roma premtuan dhe dhanë një farë përkrahje, megjithëse aftësinë shtetformuese e kompetencën e drejtimit të shtetit e dhanë vetë shqiptarët.

    Krijimi i Shtatmadhorisë dhe ushtrisë. Shteti i parë shqiptar ngriti që me krijimin e tij instrumentin e vet të garancisë. Ushtria Kombëtare u krijua më 4.12.1912, ditë kur u krijua Ministria e Luftës, 6 ditë pas shpalljes së Pavarësisë. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Luftës e drejtuar nga Mehmet Pashë Dërralla. Në qeverinë e parë të Vlorës strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë, forcat vullnetare dhe Xhandarmëria. Gjatë kësaj periudhe buxheti për ushtrinë ishte fare simbolik. Vetëm në vitet që pasuan u shënuan zhvillime të rëndësishme, ku Forcat e Armatosura u ndanë në Forca Tokësore, Forca Detare dhe Forca Ajrore; megjithëse forcat nuk u organizuan në nivelin e planifikuar dhe të dëshiruar. Konceptimi dhe realizimi i mbrojtjes në vitet 1912-1920 nuk mund të konceptohet pa veprimtarinë e Shtabit të Parë Madhor, i cili hodhi bazat ushtarake mbi të cilat do të ngriheshin të gjitha Forcat e Armatosura të së ardhmes. Siguria kombëtare e truallit shqiptar ka qenë çështja themelore e çdo patrioti shqiptar në të gjitha periudhat e ngritjes dhe ringritjes së shtetit shqiptar. Shtabi Madhor i ngritur më 4 maj 1913 në Vlorë, me miratim nga Qeveria e Përkohshme të Ismail Qemalit ishte organizatori i parë i formacioneve luftarake, në funksion të mbrojtjes së shtetit të parë shqiptar. Kryetar i parë i Shtabit Madhor ishte major Ali Shefqet Shkupi, që kishte qenë komandant i garnizonit të Stambollit e që ju përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit për të shërbyer si kryetar i Shtabit të parë Madhor. Selia e Shtabit ishte me qendër në Vlorë, pranë Ministrisë së Luftës në Skelë të Vlorës. Shtabi Madhor shënoi një nivel të ri organizimi të përparuar, modern e bashkëkohor për kohën dhe dëshmoi nivel të lartë kulturor, politik e ushtarak të drejtuesve të shtetit dhe të atyre ushtarakë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Shtabi ishte përgjegjësi kryesor për organizimin, përgatitjen dhe drejtimin profesional të veprimtarisë luftarake të Forcave të Armatosura Shqiptare. Shtabi Madhor përkujdesej për furnizimin me armatime e municione në zonat e veprimeve luftarake. Shtabi Madhor merrej me organizimin e forcave dhe strukturave ushtarake, me hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve mbi organizimin, jetesën, stërvitjen dhe veprimtarinë e ushtrisë dhe të Xhandarmërisë; kujdesej dhe ndiqte edhe kompletimin e forcave dhe të reparteve me veshje, me armë të rënda dhe me hartimin e fjalorëve me terma shpjeguese ushtarake në gjuhën shqipe. Ndër gjurmët që paraqet interes është kontributi i ushtarakëve holandezë në Shqipëri, të cilët në vitet ‘20, ndikuan fuqishëm në formonin katër detashmente secili i përbërë më 300 xhandarë. Faqe të ndritura rezistence dhe qëndrese shqiptarët shkruajtën edhe në vitet që pasuan dhe deri në ringritjen e shtetit të tyre pas Luftës së Parë Botërore. Shqiptarët i qëndruan pushtimit të mbi 250 mijë ushtarësh të huaj nga ushtritë austro-hungareze, italiane, serbe, malazese, Greke, Bullgare dhe Franceze në zonën e Korçës. Vetëm pas Kongresit të Lushnjës do të fillonte një epokë e re në ringritjen dhe mbrojtjen e shtetit të ri shqiptar më të organizuar. Siguria komplekse dhe e brishtë e para një shekulli ja ka lënë vendin bashkëpunimit e integrimit euroatlantik të orientuar drejt strukturave ekonomike evropiane si dhe instrumenteve të sigurisë. Sot sikurse gjithë ballkanasit edhe shqiptarët punojnë për të përballuar sfidat që ka sjellë shekull të ri.

    Fjalimi i Plakut të Vlorës

    Fjalimi i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, zgjati rreth pesë minuta. Fjalimi përmbante 450 fjalë dhe u ndërpre disa herë nga thirrjet e njerëzve që ishin mbledhur në sheshin e qytetit. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!”.

    Detaje të jetës së Ismail Qemalit

    Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten. Ismail Qemali u lind më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose  2628 ditë.