Ismail Lesko Progonati, nderi i Laberisë

    649
    Sigal

    Figura të shquara në altarin e nderit të kombit shqiptar   

    Ismail Lesko Progonati, në një hark kohor relativisht të shkurtër 10-vjeçar, la gjurmë të pashlyera, duke i kthyer në 10 vite kujtesë historie. I dalluar për dhunti të veçanta, iu dha një bursë për një shkollë ushtarake në Stamboll që, si e mbaroi, filloi në Janinë punën si oficer karriere. Si oficer burgu, krijoi lidhje të fshehta me të burgosurit politikë shqiptarë. Ai u bë mik me Muharrem Rushitin dhe ndihmoi në rritjen e aktivitetit patriotik te çetës së tij. Për aftësitë e tij të veçanta, Ismail Lesko Progonati nga një oficer i thjesht ngjiti shpejt shkallët e karrierës, gjer në komandat i xhandarmërisë së Janinës. Në Janinë u lidh me patriotë të shquar si Kadri Gajtën, Tefik Sulejmanin, Hysen Potomin, Hysen Zadrinën, sheh Kadri Prevezën e Ali Janinën, si dhe me patriotët çamë, Muharrem Rushiti, Rexhep Musa Demi etj. Në bashkëpunim me patriotin Kadri Gjata, ngritën klubin patriotik të Janinës, “Bashkimi” që për rolin e tij të madh u quajt qeveria e shqiptarëve. Në këtë qeveri, Ismail Lesko Progonati ishte “ministri” i Mbrojtjes dhe i Brendshëm i saj. Në Meçovë, po në vitin 1908, direkt me nismën e Ismail Leskos, u ngrit një klub patriotik, si dhe shkolla shqipe. Në lidhje me patriotët progonatas Shaqo Buxo, Hajredin Qendro, Zenel Mehmeti, Nuredin Islami etj., me frymëzimin e Ismail Leskos u ngrit në Progonat klubi “Arbëria” dhe u hap shkolla shqipe në një kokë kur po ngriheshin klubet e para patriotike në qytetet kryesore të Shqipërisë. Fushë tjetër e veprimtarisë patriotike të Ismail Leskos, ishte ajo në mbrojtje të tërësisë së trojeve shqiptare në Jug, ku roli i tij qe parësor dhe vendimtar.  Ismail Lesko dha kontributin e tij në formimin e “Komitetit të Mbrojtjes së Trojeve të Jugut”, me qendër në Janinë. Gazetat e kohës shkruajnë për aksionet e guximshme të këtij patrioti në pastrimin e jugut nga çetat e andartëve, të shovinistëve grekë. Patrioti ynë i shquar u ndodh në mes dy zjarreve, të shovinistëve grekë që kërkonin kokën e tij si dhe të administratës turke që s’mund ta duronte veprimtarinë patriotike të një njeriu të veshur me rrobën e tyre ushtarake. Turqit e rinj që erdhën në fuqi me ndihmën e shqiptarëve, mohuan premtimet e dhëna dhe klubet e shkollat shqipe i quajtën rrezik për perandorinë dhe filluan reprezaljet ndaj tyre. E dënuan me 15 vjet burg patriotin e patrembur. Aq i madh edhe i menjëhershëm ishte reagimi i patriotëve shqiptarë, sa gjykata e apelit u detyrua ta hiqte dënimin, por jo për të mos e eleminuar atë. Në pritën për eleminimin fizik të Ismail Lesko Progonatit, organizuar nga shovinistët grekë, kishin gisht edhe turqit. Kur ai ndiqte çetat e andartëve grekë në krye të batalionit të ndjekjes, e hiqte petkun e oficerit të Turqisë dhe vishej me kostumin shqiptar të jugut, me ujëvarën e fustanellës së famshme, për të treguar se ai vepronte si një shqiptar në mbrojtje të trojeve të atdheut të tij. Populli në këngët e tij të tillë do ta përjetësonte birin e vet të shquar: “Fustanella palë-palë/e gjitha me gjak e larë”…  Me dhimbje të madhe u përcoll rënia e tij në vendlindje, në Progonat. Motra e Ismail Leskos përsëriti mitin e hershëm të dashurisë së motrës për vëllanë e trashëguar që nga legjenda e Gjergj Elez Alisë. Aq e madhe ishte dhimbja e motrës, sa vdiq duke qarë për vëllanë e saj…

    Para disa ditësh, ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi Ismail Lesko Progonatit (Pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit”.