Ismail Kadare/ Poezi

    1136
    Sigal

    Kristal

    Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
    Si të harroj unë dalëngadalë
    Si vdes tek unë kujtimi yt
    Si vdesin flokët dhe gjithçka.

    Tani kërkoj poshtë e lart
    Një vend ku ty të të lëshoj
    Një strofë a notë, a një brilant
    Ku të të lë, të puth, të shkoj.

    Në s’të pranoftë asnjë varr
    Asnjë mermer, a morg kristal
    Mos duhet vallë prapë të të mbart
    Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë.

    Në s’gjetsha hon ku të të hedh
    Do gjej një fushë a një lulnajë
    Ku butësisht porsi polen
    Gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.

    Të të mashtroj ndoshta kështu
    Dhe të të puth të ik pa kthim
    Dhe nuk do dine as ne askush
    Harrim ish ky a s’ish harrim.

    Në Parkun që mbuluan fletët

    Në parkun q’ë mbuluan fletët
    Të dy ne ecim qetësisht,
    Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
    Qilim të verdhë natyrisht.

    Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
    Ju fanit një muzg i vonë
    Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
    Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

    Nga vagabondët me cigare
    Ti mos u tremb e dashur kot
    Imazhin tënd as dinosaurët
    Shekuj më parë s’e shtypën dot.

    Që ti të vije kaq e bukur
    Me këta flokë, me këtë hap
    Toka të egrën klimë e zbuti
    Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

    Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
    Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
    U desh të zhdukeshin përbindëshat
    Që te kjo botë të vije ti…

    Ti qave

    Ti qave dhe me the me zë të ulët
    Se unë të trajtoja si prostitutë.
    Atëherë lotëve të tu s’ua vura veshin
    Të desha, pa ditur së të desha.

    Veç një mëngjes te befte kur u gdhiva
    Pa ty dhe bota krejt e zbrazet m’u duk,
    Atëherë kuptova ç’kisha humbur,
    Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.

    Me rrëzëllinte si smerald mërzitja,
    Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re…
    Nuk dija ke te zgjidhja nga te dyja
    Sepse secila m’ë bukur se tjetra qe.

    Se ish i tille ky koleksion bizhush
    Qe drite e terr lëshonte njëkohësisht,
    Qe njëqindfish etjen për jetën shtonte,
    Por dhe qe vdekjen ndillte njëqindfish