Ismail Kadare/ Poezi

    833
    Sigal

    MALL

    Ca pika shiu ranë mbi qelq.
    Për ty unë befas ndjeva mall.
    Jetojmë të dy në një qytet,
    Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

    Edhe m’u duk pak e çuditshme
    Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
    Qiejt e ngrysur pa lejlekë
    Dhe shirat pa ylber në mes.

    Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
    Seç m’u kujtua sot për dreq:
    “Të zgjuarit janë bashkë në botë,
    Kurse të fjeturit janë veç”.

    Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
    Që dot s’po zgjohemi vallë?…
    Ca pika shiu ranë mbi qelq
    Dhe unë për ty seç ndjeva mall

    DITE VJESHTE

    Autobusët urbanë nga periferitë
    Drejt qendrës mbi xhama bien brymën
    Vjeshta si luaneshë krifëverdhë
    Ruan ditët e fundit nga dimri.

    Te vitrinat, tek xhamat e kafeve
    Kalimtare të shumtë ka
    Në reflekset e flokëve të tua
    Një nuancë e kuqërremtë ra.

    Pranë ditëve të tua të bardha
    Kalova sot rastësisht
    Ti u trembe…unë ujk nuk jam
    Po as dele nuk jam natyrisht.

    Po ti eja andej të shkojmë
    Pa i përfillur fjalët e botës
    Ku nga avulli xhamat e kafeneve
    Ngjajnë si pamje që s’janë në fokus

    Në autobusët urbane eja
    Të kalojmë periferive me brymë
    Të shohim se si vjeshta krifëverdhë
    Ruan ditët e fundit nga dimri.

    Ti qave

     

    Ti qave dhe më the me zë të ulët
    Se unë të trajtoja si prostitutë.
    Atëherë lotëve të tu s’ua vura veshin
    Të desha, pa e ditur se të desha.

    Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva
    Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
    Atëherë kuptova ç’kisha humbur,
    Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.

    Më rrëzëllente si smerald mërzia,
    Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re…
    Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
    Sepse secila m’ë bukur se tjetra qè.

    Se ish i tillë ky koleksion bizhush
    Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
    Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
    Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.