Ismail Kadare/ Kënga…

    1206
    Sigal

    (Tregim)

     Përherë e më shpesh ai ëndërronte vetëm një gjë: t’i ngrinin një këngë. Një këngë që të mund ta dëgjonte kur të binte mbrëmja në mal dhe në qiell të kishte re. Por kishin kaluar kaq vjet dhe atij askush nuk po i ngrinte këngë. Vallë asnjëherë, asnjëri nuk do të ngrejë këngë për mua? Mendonte, megjithëse ishte ende i ri dhe një pjesë të jetës e kishte përpara. Ëndrra për një këngë i kishte lindur disa vjet më parë, ndërsa udhëtonte një natë vjeshte vetëm, midis maleve, për në bajrakun e tij. Në të katër horizontet nata e shtonte lartësinë e frikshme të maleve dhe, tek ecte ashtu i vetëm, me pushkën në krah, atij nisi t’i dukej vetja i vogël nën peshën e errët të maleve të mëdha. Pikërisht atëherë, teksa e ndiente shpirtin të dërrmuar nga vogëlsia e tij, dëgjoi një këngë diku larg. Një zë i zvargur, i thekshëm këndonte një këngë trimërie, diku në një kasolle, që e kishte mbuluar errësira. Era ndryshonte drejtimin e zërit, dhe ai nuk e kuptoi dot se në ç’ anë këndohej kjo këngë, gjersa ajo i shua dalëngadalë dhe mbeti diku, prapa maleve, më e pakapshme dhe më e përjetshme se malet vetë. Dhe papritur atij i lindi ëndrra e tij e madhe: të këndohej emri i tij në një këngë, në një këngë të zvargur, tronditëse, në gjirin e zi të natës. Që atëherë kishin kaluar vite dhe jeta e tij kishte mbetur pa këngë.

    ….

    për më tepër lexoni Gazetën Telegraf