Islam Cani/ Zanati i vjetër nuk po harrohet!

    362
    Sigal

    CEZ Shpërndarje, Ujësjellësi dhe doganat janë një shqetësim i vazhdueshëm për konsumatorët

    Zanati i vjetër nuk po harrohet! Ai kamuflohet, por herë pas here shfaqet në forma të ndryshme, le të shërbejë si një vëmendje për organet e kontrollit! Në disa sektorë si tek energjia elektrike, ujësjellësi, dogana, nuk po harrohet zanati i vjetër, pasi kohët e fundit kemi patur shumë ankesa nga konsumatorët. Edhe pse konsumatorët kanë paguar rregullisht dhe me shënimet e firmosura në librezë, përsëri u kërkohet dhe i bëjnë fajtorë si mospagues të para 5-7-10 vjetësh, duke i nxjerrë debitorë.

     CEZ Shpërndarje

    Ka raste, kur në SHKSH janë paraqitur konsumatorë për ankesa ndaj abuzimit të bërë nga punonjësit e sektorit të energjisë duke u ndërprerë energjinë elektrike, me pretendimin se janë debitorë. Edhe pse konsumatori kërkon dhe bën ballafaqime, përsëri lexuesit dhe punonjësit e sektorit të energjisë, kërkojnë me të padrejtë të vjelin detyrime jo të drejta. Është i dhimbshëm rasti i një invalideje, e cila erdhi për t’u ankuar pranë zyrës sonë, se i kishin prerë me të padrejtë energjinë elektrike duke e klasifikuar si debitore në vitin 2007. Trauma që i kishte shkaktuar ky veprim arbitrar, është e pafalshme nga ana e CEZ Shpërndarje. Nuk mund të ndëshkohet një invalide për një lajthitje të sistemit të para 6 viteve me errësirë tani para festave të fundvitit. Ne, si e vetmja shoqatë në mbrojtje të konsumatorit e kemi shprehur dhe e shprehim qartë shqetësimin tonë për këto vendime arbitrare të marra nga një kompani serioze siç duhet të jetë CEZ Shpërndarje. Konsumatori nuk ka si të jetë debitor i viteve më parë, ndërkohë që nëse sistemi do e nxirrte si të tillë, ndërprerja e  energjisë duhej të kishte ndodhur në atë vit dhe jo tani pas 6 vjetësh. Kjo nuk ka kuptim. Dhe për më tepër, në kategorinë e invalidëve të cilët kanë dhe muaj pa marrë pagesën e tyre, e cila është e vetmja e ardhur për të mbajtur frymën gjallë.

     Ujësjellësi

    Kështu ndodh dhe me punonjësit e Ujësjellësit, që pa shkak të ndërpresin ujin, dhe kur je i rregullt në pagesa. Të shumta kanë qenë ankesat në SHKSH nga konsumatorët edhe për lexuesit e matësve të ujit. Konsumatorët ankohen se lexuesit e sahateve nuk u shkelin kurrë në shtëpi, duke i nxjerrë faturat nga komoditeti i karriges së zyrës së tyre. Shpeshherë konsumatorët përballen me fatura të majme dhe afrofe, të papërballueshme për xhepin e tyre.  Një tjetër problem shqetësues i konsumatorëve janë dhe heqja e matësve me pretendimin e kolaudimit ose të zëvendësimit të tyre dhe kundrejt pagesave. Shumë ankesa janë se matësit nuk punojnë dhe mbifaturohen, të tjerë thonë që na i heqin padrejtësisht që t’u ndryshojnë shpejtësinë e matjes, etj.. Ndërkohë që konsumatorët nuk marrin ujë dhe paguajnë për shërbimet ndaj Ujësjellësit.

     Doganat

    Një tjetër shqetësim që shoqata jonë kërkon të ngrejë është pikërisht korrupsioni i disa punonjësve/kontrollues të doganave. Ata janë të gatshëm mos të vjelin taksat e televizioneve, aparaturave elektronike dhe të sendeve te tjera, boll që i interesuari “të lyejë pak rrotën”. Mjafton që, për këto pajisje apo ngarkesa, t’u japësh punonjësve të doganës gjysmën e pagesës në dorë dhe të lejohet kalimi pa dokument dhe faturë. Janë një numër i konsiderueshëm ankesash, por konsumatorët ankues, kanë frikë të ankohen apo të ballafaqohen, se i frikësohen hakmarrjes së ditëve në vazhdim.