Islam Cani/ Rrezikohemi nga përhapja e malaries. Qeveria të marrë masa profilaktike!

    424
    Sigal

    Shoqata e Konsumatorit Shqiptar: Shenja të malaries në Fier, Lushnje, Korçë, Sarandë, Durrës, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër

    Malarja ka mundësi që të rikthehet, pavarësisht se rastet janë të importuara, por kushtet e mjedisit të krijuara prej shumë vitesh e favorizojnë atë. Shoqata e Konsumatorit Shqiptar i bën apel institucioneve shëndetësore, bujqësore, pushtetit lokal dhe vetë banorëve të marrin masa sa nuk është vonë për të mbrojtur popullsinë nga një rrezik i mundshëm. SHKSH vlerëson rrezikun e malarjes si sëmundje që dëmton rëndë shëndetin, me pasoja ekonomike dhe me pasoja për vendin. Sipas informacioneve të publikuara në media nga organet shëndetësore na rezultojnë 50 raste të personave të prekur që do të thotë se situata është alarmante. Importimi i sëmundjes nga vendet e tjera na bën të mendojmë për marrjen e masave të rrepta profilaktike nga organet kompetente ose në të kundërt rrezikohemi. Ajo që duhet të dimë është se sëmundja nuk transmetohet nga njeriu te njeriu. Transmetimi ndodh vetëm në qoftë se ka mushkonjë anofeles pranë të prekurit, e cila mund të pickojë njeriun e shëndoshë dhe mjafton kjo për të infektuar personin dhe për t’u përhapur sëmundja. Pra infeksioni kalon nëpërmjet mushkonjës. Një ndër faktorët ndihmës është ndjeshmëria e personit dhe kushtet hijeno-sanitare, ku jeton dhe të ambientit rrethues.

    Vendet moçalore rrezik për malarien

    Kjo mushkonjë duke u infektuar nga njerëzit e sëmurë mund të strehohet në vende të përshtatshme dhe të lëshojë larvat nëpër vende moçalike, sepse siç raportojnë konsumatorët me informacionet e tyre na rezulton se në rrethe e rajone të shumta të vendit ka shqetësime të tilla mbi këtë sëmundje. Edhe kur ne dëshirojmë të rezervojmë ujë në depozita për raste rrezik zjarri, aty ka mundësi të bëhet vatër malarie, edhe ne rastet kur nuk hiqen mbeturinat prandaj masat higjieno-sanitare e mjedisore janë të domosdoshme. Prej kohësh kemi informuar organet përkatëse shtetërore mbi rrezikun e rishfaqjes së sëmundjes së malaries në disa zona të vendit tonë. Themi se jemi në një fazë të shtimit të rasteve të sëmundjes. Kjo nisur nga shqetësimet që kanë ardhur në Shoqatë nga informacionet e koordinatorëve tanë në këto rrethe, ku të dhënat flasin për shenja të malaries në vendet burimore e moçalore të disa zonave si: Fieri, Lushnja, Korça, Saranda, Durrësi, Lezha, Tirana dhe Shkodra. Në zonat e ulëta që dikur ishin moçalishte, sipas konsumatorëve, janë formuar dhe po formohen pellgje uji dhe këneta (ujëra të qëndrueshme), madje dhe liqenet artificiale siç thonë banorët, duke krijuar mundësi e fole për mushkonjat, (kur dihet se mushkonja e infektuar është dhe burimi i infeksionit). Ne mendojmë se gjendja duhet vlerësuar përderisa kemi patur raste të importuara, nuk mund të themi se rikthimi i disa moçalishteve të mos jetë baza dhe strofka për sëmundjet infektive.

    Çfarë do të sugjeronim për autoritetet qeverisëse?

    Vlerësimi ynë rreth malaries janë masat profilaktike, më pak të kushtueshme nga ana ekonomike e ndër to do të rreshtoja:

    – Luftën kundër mushkonjave. Masat kundër mushkonjave konsistojnë në inkurajimin e masave, pra të popullatës me qëllimin e zhdukjes së ujërave te ndenjura, ku zhvillohen larvat e mushkonjave.

    – Përdorimin e larvicideve apo të peshqve larvivore, të cilët eliminojnë mushkonjat duke u ushqyer me ta, e theksoj në ato raste kur nuk ka mundësi të zhduken këta ujëmbledhës.

    Mund të përdoren dezinfektimet me insekticidet rezidual me plan të caktuar nga organet kompetente shtetërore. Një ndër masat më të mira do të ishte përdorimi nëpër banesa i preparateve insekticide në formë sprajti në kohë qetësie (natën).

    – Në zonat endemike mund të përdoren rrjetat e shtratit të lagura, apo të imprenjuara me insekticidë të tipit pyretrum etj..

    – Këtë fillim pranverë të angazhojnë specialistët si në spitale, ashtu dhe në qendrat shëndetësore rajonale e rurale për të ndjekur rastet e shfaqura.

    Në qoftë se nuk do të marrim këto masa sëmundja do të komplikohet dhe do  të rritet numri i të prekurve, pra do të shkojmë dhe ne rastin e kimio-profilaksisë dhe kështu do të kemi kosto më të lartë për të ndërprerë sëmundjen.

     Shenjat klinike të sëmundjes

    Megjithëse, diagnoza diferenciale është e vështirë, shenjat bazë janë:

    -Temperatura e lartë është ajo që konstatohet e para që duhet të shqetësojë qytetarët. Temperatura në fillim të sëmundjes është e ngjashme me shumë sëmundje të tjera bakteriale ose virale. Malaria më serioze që shkaktohet nga plasmodium falciparium, mund të paraqitet me format fillestare shumë variabël. Nëse ajo nuk zbret për së paku tre-katër ditë, të sëmurët duhet të bëjnë kontrolle pranë Spitalit Infektiv.

    -Ethja është e pranishme gjithmonë. Në fillim ethja është e lehtë dhe e parregullt, më vonë ajo rritet. Të dridhurat nuk janë gjithmonë të pranishme, sidomos për malarien falciparium. Në qoftë se, sëmundja kapet në këtë fazë ose i sëmuri paraqitet te mjeku në këtë fazë dhe diagnostikohet e të mjekohet, atëherë procesi ndërpritet (sëmundja ndërpritet). Sëmundja shoqërohet me zmadhimin e shpretkës, anemi të të sëmurit, e nganjëherë dhe një zverdhje të lëkurës. Kemi një prekje të organeve të barkut (abdomenit). Ne ju bëjmë apel qytetarëve që kanë dyshime për këtë sëmundje infektive, duhet t’u drejtohen mjekëve më të afërt të zonës, ku ata banojnë.