Islam Cani: Mashtrimi me reklamën e pijes dietike të artiçokës

    482
    Sigal

    SHKSH/ Produktet dietike që tregtohen nëpërmjet mediave çorientojnë konsumatorët

    Produktet dietike në vendin tonë që po tregtohen nëpërmjet mediave dhe komunikimit telefonik po çorientojnë konsumatorët. A janë brenda kufijve ligjore dhe standardeve, a janë të ligjshme për t’u tregtuar? Të gjitha produktet natyrore apo bio janë brenda kufijve të përdorimit dhe kur themi janë brenda standardit të tregtimit, mund të përdoren në popull si ushqim, si dietetikë apo dhe në farmaci të rekomanduar si mjekim popullor. Në rastin tonë bëhet fjalë për disa lloje çajrash bimore apo tableta nga produktet bimore si p.sh; argjinarja, (Silybum marianum) ose gjembagomari siç e njeh populli, ndërsa zona të tjera si Shkodra e njohin si “artiçoka”; ashtu dhe për bimë të tjera me veti medicinale e kurative me përdorim në formë çajrash, formë tabletash apo pilulash, masash të përziera kremoze të qumështit etj..

     Artiçoka si mjekim popullor

    Herbalizmi është një traditë e mjekësisë popullore që bazohet në përdorimin e bimëve dhe ekstrakteve bimore, të cilat shpesh përdoren edhe me termin “ilaçe me përmbajtje bimore”. Po i referohemi kësaj bime (Silybum marianum) ose siç njihet dhe si artiçoka kurative. Farat e kësaj bime përmbajnë një substancë të hidhur, esencë, flavones dhe amina biogjene (tiraminë, silibinë, histaminë) etj. kanë veti të rrisin sasinë e tëmthit, (idhtina dhe esenca), të përmirësojnë punën e mëlçisë, të ulin temperaturën e lartë dhe dobësojnë veprimin e simpatikut. Përdoren si koleretikë, kolagogë, dhe sedative në sëmundjen e të verdhit, në sëmundjet e mëlçisë e të fshikëzës së tëmthit, në gurët e tëmthit që shkaktojnë dhimbje, si dhe pezmatime të mëlçisë dhe në cirrozë. Është provuar se artiçoka është e efektshme edhe kundër të gjitha dëmtimeve parenkimatoze të mëlçisë, ku frytet jepen si mjet ndihmës krahas dietës së përshtatshme dhe kimioterapisë. Nga jashtë, çajrat  përdoret për injektimin e majasëllit, në ngërçe të venave etj..

    Ku qëndron rreziku

    Po kush është ana jo ligjore, jo standardeve, por dhe herë-herë e rrezikshme?

    Paraqitja e produkteve me mungesë informacioni, me konfuzitet, me paqartësi, reklama e pandershme, mashtruese, çorientuese, sjellin çoroditjen e konsumatorit. Dezinformomi bën që konsumatori të marrë vendime të gabuara në dëm të shëndetit dhe të ekonomisë në familje e më gjerë. Zakonisht, në këto forma tregtimi me reklama të fryra dhe mashtruese, konsumatori përfiton shërbim apo produkte on-line, i cili nuk faturohet, pra konsumatori humbet të drejtën e ankesës të dëmshpërblimit për dëmet dhe pasojat që i ka sjellë produkti për kurim, si në rastin e artiçokës aq shumë të publikuar në TV, nga i cili shumë përdorues janë nën efektin e jo reales të publikuar, por me pasoja shëndetësore. Kur një produkt apo shërbim reklamohet, duhet të publikojë me transparencë: standardin që ai ka përdorur si prodhues; garancinë për konsumatorin përdorues sipas moshave, gjinisë etj., që produkti/shërbimi të jetë i parrezikshëm; të jetë i qartë në përbërjen e produktit dhe shtesat në produkt, formën që ka marrë produkti, prej kujt dhe sa përmban lëndë të tjera; garancinë e produktit, e cila i mungon dhe kjo përgjegjësi i takon reklamuesit. Porsa i përket të drejtës për informim ka ligje në mbrojtje të konsumatorit ku përfshihet dhe Reklama e Pandershme ndaj tij me mënyra e forma të ndryshme tregtimi.

    Po ç’thonë ligjet

    Në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Nenet: 4, 5, 6,7, 14, 15, 23, 24 në mbrojtje të interesave të konsumatorëve flasin për sigurinë, informimin, detyrimin e tregtarit, praktikat e padrejta, praktikat çorientuese, etj.. Kur nuk përmendet receptura, standardi, kur nuk ka adresim e transparencë në K.Civil përcaktohen masa të rrepta ndëshkuese.

    Porositë nga interneti dhe me telefon i produkteve dhe i shërbimeve “kur nuk janë transparente, nuk sigurojnë cilësinë dhe sigurinë, nuk plotësojnë standardet dhe që sjellin dëm në shëndetin e konsumatorit” përfshihen gjithashtu në Kodin Penal, Neni  293/ç.

    Në Kodin Civil Neni 628 “Përgjegjësia e Prodhuesit” ( pika a, b, d, ë); Neni 630 “Kur një produkt apo send është me të meta, kur nuk jep sigurinë që pritet prej tij”; Neni  635  “Publikimi Mashtrues” kur kryen një veprim të paligjshëm në publikim, njoftim, etj., merren masa.

    Të gjitha këto që thamë më lart, sikurse bëhet fjalë për Nenin 5 të Ligjit të Konsumatorit flasin për sigurinë e produktit/shërbimit për konsumatorin, gjë që reklama nuk i përmend pra nuk bën fjalë për sigurinë dhe garancinë, nuk bën fjalë për adresimin, prodhuesin, shitësin. Në këtë rast, kur nuk ka transparencë, atëherë konsumatorit inteligjent i shkon në mend që ka dëgjuar, ashtu siç ka ankesa në mediat vizive, SHKSH. etj, ku përmenden raste më dëmtim të shëndetit dhe me raste vdekje në SHBA dhe në vende të tjera si ato në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Sepse duhet t’i referohemi dhe mënyrës së kultivimit; pra bëhet fjalë për plehra kimike, pesticide e më shumë dhe përdorimi pa kriter bën që produkti i përfituar të ketë veti kancerogjene. Reklama nuk të njeh më shumë me pasojat dhe efektet anësore të këtyre produkteve, gjoja me efekte çudibërëse.

    Siç bëhet fjalë për suksesin e artiçokës që për 3 javë normalizon apo shkrin yndyrat e tepërta në organizëm; konsumatorët inteligjentë nuk i pranojnë këto efekte fantazmë, sepse siç kemi thënë nga shkenca mjekësore, veprimet që ndodhin në organizëm për të stimuluar prodhimin normal biliar të tëmthit apo të gjëndrave të tjera që e sekretojnë dhe stimulojnë atë; nuk ka baza dhe logjikë që këto yndyra për tre javë të largohen pa efekte të tjera nga trupi ynë. Pra, vërtetë këto produkte bimore janë përdorur që nga lashtësia e deri më sot, por janë disa faktorë të tjerë shtesa e përbërës që japin efektin e duhur në kohën e përshtatshme e jo në kohë rekord!?