Ish-të përndjekurit, 22 vjet mashtrim e tallje me 1120 ligje, vendime, udhëzime, formularë fals

    401
    Sigal

    Ish-të përndjekurit politikë shqiptarë i kanë kërkuar Papa Françeskut, të ndërhyjë tek qeveria shqiptare për të respektuar të drejtat e tyre të zvarritura, të shkelura e të mohuara. Po kështu, nga ana e saj, qeveria dhe politika shqiptare, për të bindur Papa Françeskun që janë anti-komunistë të tërbuar dhe respektojnë viktimat e diktaturës, kanë publikuar në rrugë portrete të klerikëve të dënuar nga ish-diktatura komuniste. Në fakt, respekti dhe vlerësimi zyrtar shqiptar, ndaj kësaj shtrese mungon totalisht, madje sakrificat e tyre vazhdojnë të përdhosen me shpërfillje, mashtrime e tallje, duke mos zbatuar madje as Kushtetutën.

    Çfarë ka ndodhur e po ndodh realisht, me ish-të përndjekurit politikë në Shqipëri?

    Po vazhdon tallja politike qeverisëse 22-vjeçare, me ish-të përndjekurit politikë, lidhur me dhënien e dëmshpërblimit financiar për vitet e burgut. Qeverisjet po mashtrojnë turpshëm lidhur me të drejtën kushtetuese të këtij detyrimi, duke mos e ndalur lojën e talljes dhe mashtrimit me këtë kategori sociale. Si “formulë” talljeje e mashtrimi, politika dhe qeverisjet e 22 viteve djathtas e majtas, kanë zgjedhur e po realizojnë me sukses, skemën e nxjerrjes, rishikimit, amendimit të ligjeve, vendimeve, formularëve, udhëzimeve e marifete të tjera, të cilat janë përdorur e po vazhdojnë të përdoren mjeshtërisht, si mjete vonese për mos dhënien e dëmshpërblimeve. Këtë gjë po bën edhe qeveria aktuale “Rama”, duke ndjekur modelin e ish-qeverisjes “Berisha”. Për të përligjur mashtrimin, vonesat dhe paaftësinë për të mos bërë pagesat e ish-të përndjekurve politikë, kjo qeveri në vazhdim të traditës mashtruese 22-vjeçare, ka nxjerr disa ligje e vendime për transferimin e trajtimit të tyre nga Ministria e Drejtësisë, tek Ministria e Punës, nga ministria e Punës tek Komiteti i Ish të Përndjekurve. Loja po vazhdon duke nxjerr formularë e udhëzime për moshat, radhën e pagesave, verifikimin e listave, verifikimin e dosjeve, për evidentimin e trashëgimtarëve, për ripërgatitjen e dosjeve, verifikimin e abuzimeve, në radhë pagese grash të parat, me përgatitjen e dokumenteve të reja, verifikimin e të vdekurve dhe të mbeturve gjallë, e lloj-lloj marifetesh. Një marifet të tillë të ri mashtrues e zvarritës, përdori qeveria edhe para katër ditësh, me ish-të përndjekurit politikë.

     

    Udhëzimi i ri dhe maratona e legjislacionit për të përndjekurit

     Doli një udhëzim i ri qeveritar, sipas të cilit duke nisur nga data 14 shtator 2014, pagesa do të bëhet me formulë të re, por me ligj të ndryshuar. Vetëm një fakt: Që prej vitit 1992 e deri në shtator 2014, skema e mashtrimit ka kaluar një “maratonë” vendimesh, urdhëresash, shtesas ligjore, udhëzimesh e formularësh që nuk zbatohen kurrë, ose më saktë që janë falsë.

    Konkretisht, në 22 vjet janë nxjerrë: 47 ligje, 219 vendime qeverie, 327 formularë, 123 udhëzime, 41 amendime ligjesh, 85 verifikime dosjesh, 213 verifikime listash. Një duzinë letrash zvarritëse këto, që kanë sjellë e po vazhdojnë të sjellin vërdallë ish-të përndjekurit politikë. Në këto 22 vite, kanë dalë gjithsej 1120 ligje, vendime, udhëzime, formularë e urdhëresa qeveritare, që nuk kanë zgjidhur, por po mbajnë peng problemin e dëmshpërblimit.

    Sa për dekor publik, shteti ka bërë sikur ka qenë gjoja “mbështetës” i ish-të dënuarve politikë dhe me fondet e Bankës Botërore, gjatë viteve 1992-1996 u bënë disa zgjidhje sociale formale e gjysmake me pagesa vitesh burgu për pak persona, përzgjedhur me klientelizëm politik, familjar e krahinor, shoqëruar edhe me pak strehim, shkollim, punësim, emigracion etj.. Më pas, gjithçka u fut në lojën e zvarritjeve zyrtare, pa realizuar asgjë, duke i tallur e mashtruar. Çdo qeveri ka sajuar ligje, rregullore, udhëzime, vendime e formularë defter bakalli, pa asnjë fuqi ligjore, duke e mbajtur “peng” problemin e dëmshpërblimit financiar për vitet e burgut. Edhe ata që kanë marrë pagesat për vitet e burgut kanë qenë dhe janë viktimë e demagogjisë qeveritare, mbasi janë ish-të dënuar që kanë bërë nga 3, 5, 9 muaj e 1 vit burg dhe që kanë shuma të vogla për të marrë. Parlamenti i parë pluralist shqiptar, me konsensus të plotë të 250 deputetëve, miratoi Ligjin Nr.7514, datë 30.09.1991: “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të Përndjekurve Politikë”, ligj i cili sanksiononte pafajësinë e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë. Në mbështetje të këtij ligji, pas vitit 1992, Parlamenti miratoi 16 ligje të tjera, ndërsa gjatë viteve 1992-1997, në vazhdim nxori 13 ligje të tjerë, shpalli 44 vendime të Këshillit të Ministrave, 73 udhëzime e nxori 35 lloje formularësh për çështjen e ish të përndjekurve politikë. Këto u zbatuan vetëm 20-25% deri në vitin 1997. Kanë kaluar 20 vjet dhe problemi i dëmshpërblimit të tyre nuk është zgjidhur. Ish të burgosurit politikë kërkojnë një të drejtë ligjore, politika dhe qeverisjet bëjnë ligje që nuk i zbatojnë, paçka se kjo e drejtë e tyre financiare e zvarritur prej 22 vjetësh, garantohet nga Neni 44 i Kushtetutës, nga Neni 268 i Kodit Penal, mbështetur në Nenin 57 të Kodit Penal dhe në 11 Konventat Ndërkombëtare, të pranuara e të firmosura nga Shqipëria si palë, të detyrueshme për zbatim. Por katër ditë më parë, ashtu si në 22 vjet, qeveria doli përsëri, se ka dalë një formular dhe udhëzim i ri!

    box

    Ja 54, nga 1120 ligjet, vendimet, udhëzimet e formularët tallës

    1. Prill 1992: Njoftim për paraqitje dokumentesh që vërtetonin motivin e dënimit dhe vitet e burgut

    2. Qershor 1992: Hapje e zyrës së dëmshpërblimit financiar për të përndjekurit pranë Ministrisë e Financave.

    3. Korrik 1992: Transferimi i zyrës së dëmshpërblimit financiar për të përndjekurit nga Ministrisë e Financave, në Ministrinë e Drejtësisë.

    4. Gusht 1992: Vendim për njohjen e viteve të burgut si efekt dëmshpërblimi për të dënuarit politik

    5. Shtator 1992: Ligj për evidentimin e numrit të të burgosurve politikë

    6. Dhjetor 1992: Ligj për vlerësimin numrit të viteve të burgut në total

    7. Shkurt 1993: Vendim, për shtesa në vendimin për miratimin e numrit të të burgosurve

    8. Prill 1993: Vendim për hapjen e zyrave në qarqe, të trajtimit të listave

    9. Qershor 1993: Vendim për shtesë numri, në vendimin për vlerësimin miratimit të viteve të burgut në total

    10. Shtator 1993: Ligj për përcaktimin e shtrirjes familjare të përfituesve

    11. Janar 1994: Ligj për përcaktimin, nëse quhej dënim edhe internimi

    12. Mars 1994: Vendim qeverie për caktimin e masës së pagesës, për çdo ditë burg

    13. Tetor 1994: Vendim për verifikimin e listave të përfituesve nga ministria e drejtësisë

    14. Dhjetor 1994: Ligj, për përcaktimin e shtrirjes familjare të përfituesve

    15. Mars 1995: Ligj, për kufizimin e skemës familjare të përfituesve

    16. Shtator 1995: Formular përfundimtar që do plotësohet nga çdo person

    17. Mars 1995: Ligj për kufizimin e skemës familjare të përfituesve

    18. Shtator 1995: Formulari i ri përfundimtar i korrigjuar, që do plotësohet nga çdo person

    19. Janar 1996: Ligj për përfshirjen në buxhet, të pagesës për vitet e burgut

    20. Prill 1996: Vendim për llogaritjen e pagesës për vitet e burgut të çdo personi

    21. Tetor 1996: Vendim për ngritjen e grupit të punës për llogaritjen totale të fondit

    22. Nëntor 1998: Ligj që rrëzon vendimin, për ngritjen e grupit të punës për llogaritjen totale të fondit

    23. Dhjetor 2000: Formular i ri shtesë, për deklarimet e viteve të burgut

    24. Mars 2000: Ligj që shfuqizon dy ligjet e para 1993, disa shtesa për specifikim pagesash

    25. Nëntor 2000: Formular i ri për vetëdeklarimin e viteve të burgut

    26. Janar 2001: Vendim për të paguar fillimisht ish-të dënuarit që janë mbi 60 vjeç

    27. Shkurt 2001: Ligj për rishikimin e masës së pagesës së çdo dite burgim

    28. Mars 2001: Ligj për verifikimin e deklarimeve të bëra deri në vitin 2000

    29. Qershor 2001: Vendim qeverie për miratimin e formularit tip sipas kërkesave të BE

    30. Shtator 2001: Miratim i fondit shtesë të dalë pas verifikimit të viteve shtesë të dënimit.

    31. Janar 2002: Vendim për miratimin e listave të pagesave që do shkojnë në bankë

    32. Korrik 2003: Formular i ri për deklarimet, sipas dosjeve që ka Ministria e Drejtësisë

    33. Dhjetor 2003: Formular shtesë, ku specifikohen të dhëna personale për ish-të dënuarit

    34. Maj 2004: Njoftim për paraqitje dokumentesh shtesë, lidhur me identitetet personale të rikonfirmuara nga zyrat e gjendjeve civile, të vendbanimeve përpara dënimit.

    35. Tetor 2005: Formular i ri sipas modelit të përparuar europian, bazuar në përvojën e ish-vendeve të lindjes komuniste.

    36. Janar 2006: Vendim qeverie për të pastruar listat nga abuzimet me vitet e burgut dhe emrat e të dënuarve

    37. Qershor 2006: Rishikim fondesh financiare, në bazë të ndryshimit të listave të reja hartuar pas verifikimeve të bëra

    38. Dhjetor 2006: Ndryshim i modelit të formularit të vetë-deklarimit për vitet e burgut dhe vendbanimin e ri të ish-të përndjekurve

    39. Prill 2007: Udhëzim për saktësimin e realizimit të procedurave të kalimit të fondeve të pagesave për miratim në parlament e qeveri

    40. Shtator 2007: Formular i ri që duhet plotësuar në bankë, pasi të shkojnë listat e pagesave

    41. Shkurt 2008: Ndryshim vendimesh të nxjerra deri në vitin 2007, për shkak të ndryshimit të ligjit mbi metodën e re të pagesave të dëmshpërblimit

    42. Korrik 2008: Formular i ri, për moshat e vjetra t ish-të burgosurve, që do shlyhen të parët

    43. Tetor 2008: Udhëzim i ri, për të hartuar listat e sakta t ish-të përndjekurve që nuk jetojnë, me synim pagesat për trashëgimtarët e afërt

    44. Dhjetor 2008: Vendim për ndryshim të masës së pagesës së dëmshpërblimit për të vdekurit dhe të pushkatuarit në burgje

    45. Qershor 2009: Vendim për të futur në zbatim, udhëzimet e reja të BE, lidhur me kohën dhe masën e dëmshpërblimit

    46. Nëntor 2009: Rikontroll i zbatimit të vendimeve dhe verifikim i listave nga fillimi, duke nisur me plotësim formulari të ri, model i pafalsifikueshëm

    47. Shkurt 2011: Ndryshim ligjor, lidhur me përshpejtimin e kryerjes së pagesave brenda vitit 2013

    48. Tetor 2011: Rikthim për debat të ligjit të dëmshpërblimit në kuvend, për shkak të paketës së re ligjore, sipas konventave të BE për krimet e diktaturave

    49. Mars 2012: Kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë, për të riverifikuar dosjet penale të ish-të përndjekurve politikë dhe sasinë totale të viteve të burgut

    50. Shtator 2012: Vendim për të përshpejtuar shlyerjen e pagesave për ish-të dënuarat femra të moshës mbi 65 vjeç dhe të meshkujve mbi 70 vjeç

    51. Prill 2013: Vendim për të kryer gjithë pagesat financiare, brenda muajit qershor të vitit 2014

    52. Tetor 2013: Formular i ri, për gjithë ish-të përndjekurit që nuk kanë marrë asnjë këst pagese dhe për të moshuarit mbi moshën 75 vjeç

    53. Mars 2014: Vendim për të shlyer pagesat e prapambetura të këstit të parë dhe krejt këstin e dytë brenda vitit 2014.

    54. Shtator 2014: Ligj, për shpërndarjen e dëmshpërblimit për kategorinë e subjekteve përfituese parësore, për të njëjtin këst

    Përparim HALILI