Ish-ministri Saimir Tahiri, publikon dokumentin e prokurorisë italiane dhe i kujton Bashës kunatin, Ramës baxhanakun, Xhafës vëllanë

523
Sigal

Petraq BARJAMI

Tahiri në intervistën e djeshme, Bashës – kunatin…Fatmir Xhafës i kujton vëllain, Ramës – baxhanakun

PD: Dokumenti i ish-ministrit Saimir Tahiri nga Italia nuk ka lidhje, akuzohet për krimet që ka kryer në Shqipëri

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, më në fund, dje ka dalë në një konferencë për shtyp, të cilën e quajti “konferenca e të vërtetës”. Në fakt, objekti i konferencës, ishte që të bënte me dije dokumentin që ka siguruar nga prokuroria e Katanias, në Itali për pushimin e hetimeve ndaj Saimir Tahiri, nga drejtësia italiane.

Ish-ministri i Brendshëm Tahiri: Ja dokumenti i pafajësisë sime

“Ju kujtohet se si më datë 24 tetor 2017, unë dola në konferencë për shtyp dhe deklarova, se ndaj meje nuk kishte hetim në Itali. Prokurori i anti mafias italiane në përfundim të hetimeve, i kërkoi gjykatës italiane pushimin e hetimeve për Saimir Tahirin dhe gjykata italiane e miratoi.” Pra, Saimir Tahiri, u tha shqiptarëve, se ai është hetuar në Itali dhe se drejtësia ka pushuar hetimet, kështu që ai është i pafajshëm. Por, fakti që drejtësia italiane ka pushuar hetimet ndaj Tahirit, nuk do të thotë se prokuroria në Shqipëri duhet t’i ndalë hetimet.

Ironitë e ish-ministrit Tahirit: Xhafës i kujton vëllain, Ramës – baxhanakun, Bashës – kunatin…

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dje tha se ka heshtur në respekt të hetimeve. Ai tha se kishin folur deri edhe ambasadorë për të, por nuk i ka kursyer kunjat. “Qeshja me disa që i kam njohur mirë dhe më kanë njohur mirë dhe bënin sikur s’më kanë njohur kurrë dhe me disa që nuk më kanë njohur kurrë dhe që bënin sikur më kanë njohur gjithë jetën. Me vrap pas tyre edhe ambasadorë, me vrap pas tyre dhe pa pasur aspak gajle, se në vendet e tyre s’ia vinte njeri veshin, nëse do të flisnin si këtu. E as do guxonin të flisnin në vendet e tyre për një proces ku heton prokuroria” – tha Tahiri. “Heshta e prita që të hetohej gjithçka që lidhej me mua, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. Këtu në vendin tonë, ku, kur ua do interesi politikanë, gazetarë dhe analistë çirren studiove, se nuk mund të mbahet përgjegjësi për vëllain, për motrën, gruan, bashkëshortin, djalin, për kunatin, për baxhanakun…” – tha Tahiri që theksoi, jo pa qëllim akuzat që u bëhen sot krerëve të politikës në Shqipëri për lidhjet e tyre familjare.

Pyetjet që ish-ministri la pa përgjigje

Por, pavarësisht nga ky zhvillim i çështjes ku pretendohet se nuk ka prova për Tahirin, nga kjo çështje mbeten disa enigma të mëdha:

  • Po kur Tahiri nuk paskësh pasur lidhje me “kushërinjtë e tij të largët”, si është e mundur që edhe pasi u denoncuan nga Zagani për trafiqe, Habilajt që përdornin Audin me emrin e Tahirit, vazhduan të shëtisnin të lirë?
  • Si shpjegohet që gjithë drejtuesit e policisë së Vlorës të vendosur prej tij, sot janë ende në arrati dhe i fshehen hetimeve?
  • Si ka mundësi që në makinën e Orest Sotës u gjetën qindra mijëra euro në të njëjtën veturë ku ishin edhe patentat e tij?

Ndoshta për këtë arsye, ngaqë s’i përgjigjej dot këtyre pyetjeve, Tahiri organizoi një konferencë shtypi pa pyetje nga gazetarët! Saimir Tahiri, me vendimin e gjykatës italiane, mund të ketë qetësuar dikë në qeveri, se ai nuk është një “vemje e padenjë për racën njerëzore”, por pse, në kohën kur ai drejtoi rendin, vendi u mbush me kanabis, kriminelët u forcuan dhe Habilajve, “kushërinjve të tij të largët” nuk u hyri gjemb në këmbë?

PD bën nul dokumentin e Tahirit: S’ka lidhje, krimin e kreu në Shqipëri

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i PD-së, Gazment Bardhi, zëdhënësi juridik i PD-së e quajti shfaqjen si një goditje të rëndë të reformës në drejtësi dhe i bëri thirrje ndërkombëtareve të mos lejojnë që Saimir Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar.

“Shfaqja e sotme e Saimir Tahirit është një goditje e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi. Është momenti që partnerët e huaj që i premtuan popullit shqiptar drejtësi të vërtetë dhe kapjen e peshqve të mëdhenj, të mbajnë premtimin dhe të mos lejojnë që një kriminel si Saimir Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar. Hetimi italian është i parëndësishëm dhe nuk ka lidhje FARE me hetimin në Shqipëri. Saimir Tahiri NUK i ka kryer krimet në Itali, por në Shqipëri: Ai bashkëpunoi me Habilajt në Shqipëri. U vuri atyre në dispozicion shefat e policisë në Vlorë që sot janë në arrati nga drejtësia. Vuri në dispozicion të trafikut të drogës të paktën 127 punonjës policie, u vuri në dispozicion policinë kufitare, u vuri në dispozicion makinën dhe skafin e tij personal.” Bardhi i bëri thirrje prokurorisë të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest me burg për Saimir Tahirin.

Elona Guri anëtare e kryesisë së LSI: Saimir Tahiri, nuk të shpëton dot as suxhuku i Ramës dhe as bifteku i Arta Markut!

Anëtarja e kryesisë së LSI-së, Elona Guri ka lëshuar akuza të rënda ndaj Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm që akuzohet për trafik droge me kushërinjtë e tij Habilaj dhe për korrupsion, pas daljes së tij të sotme publike, ku deklaroi se ndaj tij prokuroria italiane e ka pushuar çështjen e hetimit dhe është i pafajshëm. Guri shkruan në Facebook e tij se Tahirin nuk e shpëton dot as suxhuku i Ramës dhe as bifteku i Arta Markut. Statusi i plotë i Elona Gurit: Si një putanë kërkon virgjërinë, me kopilë fshehur nëpër botë t’i shpëtojnë drejtësisë, bilbilat këndojnë nëpër telefona, për varëse, byzylykë, kostume e miliona euro për të blerë zgjedhjet, ‘Kamionisti’ Saimir! Netët pa gjumë të duket sikur mbaruan, lotët e tua, tashmë të qenkan tharë, por mos harro janë me mijëra nëna që qajnë për fëmijët e tyre, që ti iu solle drogën në shtëpitë e tyre. Si një putane kërkon shpëtim, je gati të japësh çdo gjë, tepsi, kusi, gjellën dhe byrekun, por nuk të shpëton as ‘bakllavaja’ e Donikës, as byfteku i Artës dhe as suxhuku i Edi Ramës.

 

Ish-ministri Xhafaj:Nuk është faji im që nuk më keni kuptuar

Ish-ministrit i Brendshëm Fatmir Xhafaj, dje mori pjesë në punimet e Kuvendit, dhe është ulur nga fundi i sallës ku ka votuar të gjitha projektligjet e paraqitura në rendin e ditës. Nuk shkoi të ulej në karrigen e ministrit të Brendshëm, edhe pse akoma punon, derisa të zëvendësohet nga Sandër Lleshi. Në dalje, gazetarët i janë drejtuar me shpejtësi, për të marrë një reagim të parë nga ish-ministri, që nuk u prononcua me zë, por dha vetëm një deklaratë me shkrim në Fb për largimin e tij të beftë nga posti, në fillim të kësaj jave. Xhafaj ua ka prerë shkurt, gazetarëve: “Kam folur aq shumë sa është e kotë të bëj komente të tjera”. “Nuk kemi kuptuar asgjë”, i tha njëri prej gazetarëve, duke pritur një shpjegim për shkaqet e dorëheqjes apo shkarkimit të ministrit. “Aaaa nuk është faji im që nuk keni kuptuar ato që kam thënë” – ka reaguar Xhafaj me nënqeshje. Fatmir Xhafaj falënderoi ekipin, por jo kryeministrin, gjë që lë të kuptojë pakënaqësitë, kundërshtitë midis tyre. Xhafaj: “Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe.”