Ish-minatorët, kërkojnë nga institucionet shtetërore, të shpallet statusi i minatorit dhe të rishikohet skema e pensioneve

    606
    Sigal

    Ministria e Ekonomisë dhe  Kryeministria nuk kanë njoftuar për transparencë në lidhje me koncesionet, për shfrytëzimin e minierave në Shqipëri

    Po e nis shkrimin me premtime të pambajtura: kujtoj që Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, në 16 mars 2010 ka sqaruar  publikisht, lidhur me ngritjen e grupit të punës, për të studiuar mundësitë për realizimin konkret të statusit të minatorit. Sipas Alibalit, ky grup ka nisur nga puna me legjislacionin për çështjen e statusit të minatorit. Por, jemi në fund të shtatorit 2013 dhe përsëri, nuk është bërë asgjë në lidhje me statusin e minatorit. Deri kur do të vazhdojnë mashtrimet për këtë kategori, e cila meriton vëmendje të padiskutueshme?? Qeveria “Berisha” ka shitur minierat ku ka rezerva ari të konsiderueshme për të shpëtuar nga rënia ekonomike. Dhe këtë herë është zgjedhur si territor i preferuar për shfrytëzim mineral pikërisht koncesionet në zonën e Mirditës, kryesisht për kërkime ari. Por, duhet theksuar se Ministria e Ekonomisë dhe  Kryeministria nuk kanë njoftuar për transparencë në lidhje me këtë koncesion. Ndërkohë  kompania “Tirex resources” konfirmon se ka marrë lejen e Ministrisë së Ekonomisë për kërkime të arit dhe zinkut në këtë territor. Ata shprehen: “Jemi të kënaqur të njoftojmë se kemi marrë garancinë dhe lejen nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë në Shqipëri për koncesionet dhe kërkimet në 6 prej minierave në zonën e Mirditës në minerale, kryesisht zink dhe ar. Kompania “Tirex resources”, mësohet se prej 5 vitesh kishte nisur kërkime shkencore në këtë zonë të Shqipërisë, e interesuar kryesisht për arin. Firma njoftoi për zhvillim dhe punësim të zonës, por jo për kushtet e koncesionit dhe përfitimin që do të ketë qeveria. Në njoftimin e kompanisë përmendet vetëm taksa 10 për qind e korporatave dhe ajo personale, e anëtarësisë në NATO, apo si kandidate e BE-së.  Padrejtësive në lidhje me përfitimet disa milionëshe euro, u shtohet edhe mungesa absolute e vëmendjes për punonjësit që kanë punuar në këto miniera. Hajredin Cera, një zotëri që ka punuar për vite të tëra në  minierën e Valiasit, i zhgënjyer, shprehet: “MINATORËT, janë të parët që duhet të kishin një trajtim special nga çdo qeveri që ka ardhur, sepse minatorët, kanë punuar vite të tëra në nëntoke dhe kjo është një gjë sfilitëse. Mirëpo, asnjë qeveri nuk i ka trajtuar ashtu siç e meritojnë. Për Minatorët, nuk ekziston as Statusi i Minatorit, as rritje e pensionit. Për dikë që ka punuar si minator, mosha minimale e daljes në pension që është 60 vjeç, është  shumë e lartë, sepse minatorët, kanë bërë punë shumë të vështirë dhe janë shumë të dëmtuar. Trupi i tij, nga puna në nëntokë kalbet. Edhe trungun po ta fusësh në nëntokë, do të kalbet. Pra, problem tjetër për minatorët, është që duhet të ulet mosha e daljes në pension. Mosha e pensionit për minatorët, duhet të jetë 50-55 vjeç për burrat dhe 45 vjeç për gratë. Në kohën e Enver Hoxhës, minatori 10 vjet duhet të punonte nëntoke dhe vitet e tjera duhet të punonte mbitokë dhe merrte një pension shumë të lartë, që nuk mund të krahasohet me thërrimet që u japin sot. Gjithashtu, për punën e vështirë dhe të rrezikshme që bënin, minatorët, duhet të shpallen Dëshmorë të Punës. Gjithashtu, duhet t’u sigurohet një pension i posaçëm familjar.  Ish –minatori 58-vjeçar, me të cilin unë kam zhvilluar këtë bisedë, ndër të tjera, shprehet: “Unë dua edhe 2 vjet që të dal në pension, ndërsa në kohën e Enver Hoxhës, unë do kisha 10 vjet që do kisha dalë në pension dhe do të merrja një pension shumë më të lartë se sa ky i sotmi. Mosdhënia e Statusit të Minatorit, është një shqetësim i madh për këtë shtresë dhe me të drejtë, ata pyesin: Pse shteti nuk na jep statusin e Minatorit, të cilin në  Kohen e komunizmit e kemi pasur?  Në kohën e Enver Hoxhës, një punëtor i thjeshtë miniere, një punëtor lopate, merrte 7000 lekë rroge, që ishte një rrogë e barabartë me një drejtor. Madje, punëtori i minierës, merrte 300 lekë më shumë se drejtori. Paga e një minatori që kishte 10 vjet që punonte në nëntokë në Minierën e Valiasit, si rrogë bazë kishte: 550 lekë në ditë + 15 % vjetërsi pune. Rroga bazë, punëtorit shkonte 14.300 lekë (550*26) kësaj i shtohet edhe 15 % që ai merrte për vjetërsi pune, pra: 14.300*15 % è 14.300*200= 16500. Pra, kjo ishte rroga fikse e një minatori. Në qoftë se një minator, bënte dy norma, rroga e tij dyfishohej, d.m.th: 16.500*2=32.000 lekë në muaj. Kjo ishte një rrogë shumë e lartë, krahasuar me rrogat që kishin në atë kohë punonjësit që punonin në sektorë të tjerë. Me pensionin që i kanë caktuar sot një punonjësi miniere, atij nuk i del për asgjë, imagjino që trupi i tij është kalbur duke punuar nëntokë dhe ka nevojë për trajtim special mjekësor. Në kohën e komunizmit, minatorët kishin edhe trajtim të veçantë ushqimor. Çdo minatori, i caktohej 25 lekë në ditë trajtim special ushqimor. Në Valias, një racion mish ishte 9 lekë, për ata që punonin në minierë. Pra, me 25 lekë, çdo minatori, i takonte që të merrte 3 racione mish në ditë. Gjithashtu qumështin e kishin të domosdoshëm dhe të garantuar. Një punëtor miniere që punon nëntoke, e kishte të domosdoshme qumështin pasi dilte nga miniera, sepse i pastronte mushkëritë që i ishin bllokuar nga tymi dhe helmi i nëntokës. Ish minatori Hajredin Cera, tregon për “Telegraf”: “Në vitin 2000 kam marrë një librezë, për trajtim të veçantë punonjësi nëntoke, në bazë të të cilit më japin një pagesë mujore qesharake, prej 5148 lekë në muaj.”

    Kërkesat kryesore të minatorëve, janë: 

    1-Duhet të rishikohen pensionet e minatorëve, sipas vjetërsisë së punës.

    2-Duhet t’u jepet minatorëve, statusi, që e kishin në kohën e Komunizmit.

    3-Duhet të ulet mosha e daljes në pension për pensionistët.

    4-Minatorët, duhet të kenë një trajtim special, nga të gjitha qeveritë që vijnë në pushtet.