Ish i përndjekuri politik tenton të vetëdigjet para Parlamentit

    383
    Sigal

    FORUM/ Flasin Simon Mirakaj, Kurt Kola dhe Adem Allçi: Qeveria të marrë masa urgjente!

    Një ish i përndjekur politik tentoi të vetëdigjet para Parlamentit dje rreth orës 10:30 minuta. Policia arriti ta neutralizojë në momentin, kur Kujtim Kaziu hapi shishen (shishe e vogël plastike gjysmë litroshe), ku kishte benzinë dhe po tentonte të lyente trupin.

    Kaziu ishte pjesë e një grupi ish-të përndjekurish që ishin vendosur para Parlamentit për të protestuar, pasi pretendojnë se, në listën e ish të përndjekurve që do të dëmshpërblehen janë futur persona që nuk janë fare të përndjekur politik. Ata thonë se, nuk kanë marrë asnjë këst dhe qeveria po i mban vetëm me fjalë. Më pas Kaziu është shoqëruar në Komisariatin nr. 1, ku është mbajtur për dy orë. Pas kësaj ai është shprehur se, akti i vetëflijimit, vjen si pasojë e kushteve të rënda ekonomike dhe mosmarrjes së kësteve sipas ligjit.“Kam bërë 12 vjet burg. Jam nga Fushë -Kruja banoj në Shkozet të Durrësit. Me tre fëmijë, pa punë, jetoj me borxhe, me qira. Shteti të vëjë dorën në zemër. Jemi në gjendje shumë të keqe si moralisht ashtu dhe financiarisht”,-mësohet të jetë shprehur z. Kadiu. Para komisariatit janë vendosur edhe disa ish të përndjekur, të cilët kanë kërkuar lirimin e shokut të tyre. Disa prej tyre që kanë qenë dhe pjesëmarrës të grevës së urisë të tetorit 2012. Ata u shprehën të indinjuar nga moszgjidhja e çështjes së kompensimit të tyre financiar. “Ne të grevës së urisë s’kemi marrë asnjë lekë. Ne do digjemi dhe do të vdesim këtu. Nuk kemi bukë të hamë. Kam gruan dhe fëmijët në shtëpi. Nuk dua fjalë dua lekë”,- u shpreh njëri prej ish të burgosurve, duke i kërkuar Avokatit të Popullit të ndërhyjë në qeveri për të zgjidhur këtë çështje.

    Ministria e Mirëqenies: Kujtim Kaziu përfitoi dy këste dëmshpërblimi

    Ministria e Mirëqenies Sociale reagoi dje pas ngjarjes, duke thënë se, Kujtim Kaziu, ish i

    përndjekuri politik, i cili tentoi të vetëdigjej para Parlamentit, është pjesë e listës së personave që aktualisht ka përfituar dy këste të dëmshpërblimit. Javën e kaluar, Qeveria filloi shpërndarjen e fondit prej 18 milionë dollarësh për dëmshpërblimin e ish të përndjekur politikë, të cilët nuk e kishin marrë ende këstin e parë. Lidhur me këtë ngjarje, në një prononcim për “Telegraf” kanë reaguar dhe ish të përndjekur të tjerë si; z. Simon Mirakaj, Kryetari i Institutit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, z. Kurt Kola dhe z. Adem Allçi. Lidhur me ngjarjen e djeshme, ata shprehen se ky është një akt i turpshëm dhe qeveria duhet të marrë masa urgjente.

    PYETJET

    1-Si e shikoni ngjarjen e ditës së djeshme ku ish i përndjekuri, Kujtim Kaziu tentoi të vetëflijohet?

    2-Sipas mendimit tuaj, çfarë e shtyu z. Kaziu të ndërmerrte këtë veprim? A është i vërtetë fakti që nuk ka marrë ende as një këst shpërblimi, pasi ministria e Mirëqenies ka reaguar, duke thënë se tashmë ai është pjesë e grupit që kanë përfituar dy këste?

    3-A është i vërtet fakti që në listën e shpërblimeve për ish të përndjekurit të jenë përfshirë dhe persona që nuk janë të përndjekur politik?

    4-A mendoni se tashmë nuk ka më kohë për të pritur? Cila mendoni se është zgjidhja e këtij ngërçi? A mendoni se, është i drejt vendimi për dëmshpërblimin personave që janë ende gjallë, në bazë të moshës dhe më pas të trashëgimtarëve të të përndjekurve?

    Simon Mirakaj: Kemi qenë në grevë për 45 vjet, kemi nevojë që ta shijojmë demokracinë

     Përgjigja 1

    Personalisht jam pro dhe i mbështes protestat kur çdo gjë shkon në rrugë demokratike dhe në rrugë paqësore, në konfliktet që janë midis qeverisë dhe shtesës së ish të përndjekurve në lidhje me dëmshpërblimin. Unë jam për biseda, jo për masa ekstreme, dhe kur biseda nuk ja arrin qëllimit, sigurisht që  bëhen dhe protesta, por këto protesta duhet të jenë në rrugë paqësore. Thuajse gjatë gjithë periudhës gati 45 vjeçare shtresa e ish të përndjekurve, të burgosurit dhe të internuarit kanë qenë në protestë dhe në grevë, ndaj sot ne kemi nevojë që ta shijojmë demokracinë bashkë me defektet e saj.

    Përgjigja 2

    Sigurisht, z. Kaziu mendoj se, e ka shtyrë varfëria ekstreme, sepse janë njerëz që për fat të keq nuk e kanë shkollimin e duhur për një vend pune, sepse kanë qenë në burgje apo në kampe, ndërsa sot janë pa pension se nuk e kanë moshën e pensionit. Ndaj të arrish të kryesh një akt të tillë është një arsye jashtëzakonisht e madhe që të shtynë. Megjithatë, personalisht jam kundër këtyre masave ekstreme pavarësisht arsyes.

    Përgjigja 3

    Nuk jam në dijeni për emra. Të burgosurit që kanë bërë burg dhe kanë aplikuar brenda afatit ligjor, kanë marrë këstin e parë dhe këstin e dytë. Ka një pjesë të burgosurish, të cilët edhe pse kanë bërë burgun direkt, kanë aplikuar jashtë afatit kohor dhe këtyre nuk ju është marrë në shqyrtim dosja, janë të arkivuar në Ministrinë e Drejtësisë, por duke qenë se janë jashtë afatit kohor nuk janë shqyrtuar. Në kohën kur kam drejtuar institucionin, janë bërë kërkesa, është bërë një projektligj, ku kontestohej kjo masë aplikimi, në mënyrë që këto dosje që ishin jashtë afatit kohor të aplikimit të dënuarve politik shqyrtoheshin. Për fat të keq që nga viti 2012 që ju drejtuam kuvendit dhe deri më sot nuk është marrë në konsideratë, pavarësisht premtimeve.

    Përgjigja 3

    Absolutisht nuk është e vërtetë sepse aty ka një komision dhe ky komision ka ligjin përballë, në ligj thuhet dëmshpërblehen të burgosurit politik, pra të burgosurit për motive politike, të cilat vërtetohen nëpërmjet vendimeve të gjyqit, të cilat kanë akuzën dhe nenet përkatës. Nenet janë ato që së bashku me akuzën përcaktojnë atë nëse është i dënuar politik. Ka raste të tilla, kur ka dënime ordinere, ka dhe akuzë për motive politike dhe ai në bashkimin e neneve është dënuar në varësi të akuzës p.sh 10-15 dhe ky duhet të marrë pjesën e dënimit politik nëpërmjet një formule, të cilën e ka caktuar Ligji 9831 i “Dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë”.

    Përgjigja 4

    Për fatin tonë të keq është një numër i konsiderueshëm i të dënuarve politik. Ajo që mund ta përshpejtoj është vetëm buxheti i shtetit. Nuk mund të mbyllet me 18 milion dollarë apo me 20-30 milion në vit. Koha është tepër delikate sepse ata janë të moshuar, vdesin çdo ditë nga një e kaluar tepër e rënd vuajtjesh. Sigurisht,  pjesë e saj është dhe kjo që ndodhi sot. Janë një grup të rinjsh në moshë, rreth të 50 vjeç, në krahasim me ata 90 vjeç dhe që janë në varfëri të tejskajshme, pa pension, pazanat dhe shkollë për tu përplasur me jetën, për të nxjerrë bukën e përditshme, për më tepër kanë dhe familje. Për sa i përket dëmshpërblimit në bazë të moshës nuk mund të jap mendime të prera, pasi nuk mund të vësh kufij. Megjithatë unë jam pro faktit që të dëmshpërblehet ajo pjesë që janë pa pension e punë, njëkohësisht dhe për ata që janë rreth të 90-ave. Ka dhe familjarë të të pushkatuarve që janë në gjendje të keqe ekonomike dhe nuk mund të marrësh përsipër që të thuash të dëmshpërblehen këta që janë gjallë. Nuk besoj të jenë gjallë më tepër se 1000 të burgosur. Shtimi i buxhetit do të ishte i duhur për ta mbyllur këtë cikël, duke bërë një sakrificë për ata që sakrifikuan jetën e tyre, për ti dhënë mundësin e jetës kësaj shtrese.

    Kurt Kola: Qeveria po na mashtron, t’i japë zgjidhje ngërçit!

     Përgjigja 1

    E gjithë kjo është në vazhdën e gjithë periudhës së këtij tranzicioni të gjatë, lidhur me shtresën e të përndjekurve politik. Janë aprovuar ligjet e pafajësisë që në ndryshimet e para të pushtetit të diktaturash, që kur është krijuar pluralizmi politik, janë aprovuar ligjet të tjera për dëmshpërblim dhe vazhdohet me mashtro sot mashtro nesër. Ka kaluar gati një çerek shekulli që jemi në përrallën e politikës që shumë zhurmë e asgjë për ketë shtresë.

    Përgjigja 2

    Kur u aprovua ligji i dëmshpërblimit u përcaktua një kohë që brenda 8 viteve do të mbaronte dëmshpërblimi, dhe pavarësisht se kishte kaluar shumë kohë, njerëzit patën një farë optimizmi, mirëpo kur panë se, ky afat u shkel dhe ngeli pa caktim, atëherë njerëzit ranë në depresion sepse u shty afati. Pas kësaj ndodhën grevat dhe djegiet e të burgosurve politik dhe tashmë me ardhjen në pushtet të socialistëve u premtua gjatë fushatës që shtresa e të përndjekurve do të dëmshpërblehet gjatë mandatit të parë të kësaj qeverie. Por me miratimin e fondit prej 18 milion dollarësh, në bazë të një përllogaritje, duhen dhe 20 vjet të shlyhet dëmshpërblimi. Atëherë, ngelim në mes të një premtimi dhe një realizimi. Pra jemi në një mashtrim total. Kjo është arsyeja pse njerëzit bien në depresion sepse u është shuar shpresa që u krijua me propagandën elektorale. Këto janë pasojat, flijime, djegie, veprime që e shëmtojnë qeverinë dhe shoqërinë.

    Përgjigja 3

    Është e vërtetë, por është bërë seleksionimi, doli një listë me rreth 3000 veta që ishin të manipuluar pa dokumente, por kjo nuk përbën problem për ish të përndjekurit. Ato janë hequr, ndërsa dosjet e ish të përndjekurve janë pranuar nga ministria e Drejtësisë.

    Përgjigja 4

    Qeveria shqiptare ashtu siç mori borxh tek FMN-ja dhe po shlyen borxhet që ish-qeveria i ka kompanive të biznesit, ashtu i duhet të marrë një borxh nga Banka Botërore për të shlyer këtë shtresë që ka gjysmë shekulli që pret. Qeveria e ka për detyrë sepse janë lekët e taksapaguesve shqiptar, ajo nuk prodhon para. Vetëm marrja e borxhit do ta zgjidhte këtë çështje. Nuk e dimë nëse qeverisë i intereson ta kryej këtë detyrim ndaj kësaj shtrese. Për sa i përket vendimit për të dëmshpërblyer së pari ata që janë gjallë në varësi të moshës, më duket e drejtë sepse aktualisht nga ata që janë gjallë, ka njerëz që janë të sëmurë dhe në vështirësi dhe kështu i lehtëson dhe disa nevoja urgjente.

    Adem Allçi: Shumë shpejt në protesta, kërkojmë atë që na takon me ligj

     Përgjigja 1

    Kjo është një gjë mjaftë e rënd për shtetin shqiptar. T’i lësh njerëzit të digjen është turp, ata nuk po kërkojë asgjë më tepër, veç asaj që i takon me kushtetutë. Dëmshpërblimi është i padiskutueshëm, ashtu sikur se heqja e njerëzve nga puna. Por ne nuk do rijmë duarkryq, por do kërkojmë në mënyrë demokratike atë që na takon me ligj. Duhen të mbahen premtimet që janë bërë gjatë fushatës, pasi po sillen poshtërsisht ndaj kësaj shtrese. Njerëzit janë të detyruar t’i vënë flakën vetes.

    Përgjigja 2

    Të barkosurit kanë marrë këste, ka dhe nga ata që kanë marrë dy, ka dhe nga ata që nuk kanë marrë për shkak të mungesës së dokumentacionit. Por gjithsesi, kjo vonesë nuk e justifikon qeverinë dhe ne i bëjmë thirrje Kryeministrit që të dëmshpërblej të dënuarit politik sepse ky është një dënim për herë të dytë dhe të mos të detyroj njerëzit t’i vënë flakën vetes.

    Përgjigja 3

    Nuk e di me saktësi, mund të ketë prej atyre që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, por ky është faji i ministrisë së Drejtësisë, e cila i ka të gjitha dokumentacionet përkatëse.

    Përgjigja 4

    Qeveris i takon të dëmshpërblejë këdo pa përjashtim. Nëse nuk do këtë një zgjidhje shumë shpejtë ne do të grumbullohemi të gjithë të dënuarit pa përjashtim dhe do të kërkojmë atë që na takon me ligj dhe na është mohuar nga qeveria.