Irida Xheneti*: Diplomacia publike duhet përdorur në të mirë të imazhit të vendit

    512
    Sigal

    Diplomacia publike, instrument kyç i arritjes së objektivave të politikës së jashtme të një shteti

    Diplomacia publike është një degë e Diplomacisë, e cila ndryshon nga diplomacia tradicionale për faktin se, përfshin në vetvete bashkëveprimin jo vetëm me qeveritë, por edhe me individët apo organizatat jo qeveritare. Synimi i Diplomacisë publike është promovimi i interesave kombëtare të një shteti, përmes informimit të audiencës së huaj, me qëllim ndikimin e saj. Në këndvështrimin tradicional termin ‘diplomacia publike’ e ka përdorur për herë të parë në vitin 1965 Edmund Gallion, dekan i shkollës Fleçer të drejtësisë dhe diplomacisë, duke e përcaktuar atë si: ‘Program të financuar nga qeveria, të orientuar ndaj informimit dhe ndikimit në opinionin publik të shteteve të tjera’. Për herë të parë në Kongresin Amerikan, termi ‘diplomacia publike’ u shfrytëzua në vitin 1977 në raportin e Komisionit Mërfi për strukturimin e aparatit të politikës së jashtme, ndërsa më përpara ky koncept u përcaktua si ‘diplomacia kulturore’, ‘diplomacia e re’ apo ‘dimensioni i katërt i politikës së jashtme’. Siç theksoi në seancën dëgjimore, në kongresin amerikan, në vitin 1986 kreu i komitetit për çështjet e jashtme, D.Fossell: ‘Diplomacia publike ka qenë prezente në marrëdhëniet ndërkombëtare në të gjitha kohërat, asaj thjesht i është dhënë një emërtim të ri, për shkak të mospërcaktimit mjaftueshmërisht të qartë të saj. Më pas, me këtë temë u morr në mënyrë të detajuar politologu amerikan, profesori i Universitetit të Harvardit, autori i konceptit të ‘pushtetit të butë-soft poëer)’, Joseph S.Nye. Sipas vlerësimeve të tij, diplomacia publike është një ndër metodat më efikase të rritjes së potencialit të ‘pushtetit të butë’. Roli kryesor në realizimin e saj i përket burimeve të informacionit dhe kontrollit ndaj tyre. Diplomacia publike nuk përbën një reklamë të radhës, por synon përveç të tjerave vendosjen e marrëdhënieve afatgjata, që krijojnë kushtet e përshtatshme për politikën e një shteti. Sipas këtij politologu amerikan, ekzistojnë 3 dimensione të diplomacisë publike:

    1. Komunikimi i përditshëm, përmes së cilit sqarohet thelbi i vendimeve të politikës së brendshme e të jashtme të një shteti. Në këtë dimension përfshihet edhe përgatitja për luftën me krizat. Në rastin e ekzistencës së vakuumit të informacionit pas një çështjeje të caktuar, kontrollin mund ta marrin të tjerë lojtarë të arenës ndërkombëtare.

    2. Komunikimi strategjik, që nënkupton diskutimin e temave më të rëndësishme politike për një vend të caktuar, që kanë lidhje me fushatat politike apo ato të reklamave.

    3.Zhvillimi i marrëdhënieve me individë të një shteti të huaj, me ndihmën e bursave, programeve të shkëmbimeve ndërshkollore, seminareve, konferencave dhe aksesit në kanalet e informimit publik. Ky dimension cilësohet hapi i fundit vendimtar i Diplomacisë publike, që nënkupton komunikimin individual, të bazuar në një nivel të lartë besimi, duke krijuar marrëdhënie të ngushta.

    Sipas mendimit të një sërë studiuesve, lënda e parë e Diplomacisë publike janë: kultura, vlerat kombëtare, politika e jashtme dhe e brendshme e një vendi.

    Vetëm në kushtet e ekzistencës së një niveli të mjaftueshëm të sharmit, aftësisë së tyre për të tërhequr vëmendjen apo për t’u pranuar nga auditori i huaj, metodat e Diplomacisë publike lejojnë formimin e rrethanave të përshtatshme të promovimit të tyre në auditorin e huaj. Në të kundërt, përpjekjet mund të sjellin një rezultat të kundërt.

    Objektivat e Diplomacisë publike:

    -Realizimi i interesave kombëtare, mbrojtja e qëllimeve të politikës së jashtme kombëtare.

    -Forcimi i ndikimit të synuar në audiencën e huaj, vendosja e një mirëkuptimi/njohjeje më të madhe midis popujve;

    -Formimi i opinioneve pozitive përballë audiencës së huaj, me qëllim realizimit të objektivave të politikës së jashtme e të brendshme të një shteti.

    -Krijimi i kushteve të favorshme dhe arritja e mbështetjes nga opinioni publik i shteteve të tjera me veprime konkrete të shtetit të dhënë në arenën ndërkombëtare.

    -Ndërtimi i marrëdhënieve afatgjata dhe të besueshme me audiencën e huaj.

    -Arritja e një njohjeje më të mirë të vlerave dhe instituteve të shtetit përkatës jashtë;

    -Zgjerimi i dialogut ndërmjet qytetarëve të shtetit përkatës me partnerët e huaj.

    -Përmirësimi i imazhit të vendit. Një rëndësi të veçantë kanë mjetet e realizimit praktik të qëllimeve të diplomacisë publike, ndër të cilët përmendim:

    -Përvijimi i mesazhit që do të përcillet jashtë kufijve;

    -Informimi i auditorëve të huaj, duke përfshirë grupe të veçanta dhe individë;

    -Një pasqyrim/sqarim i argumentuar i politikës së jashtme dhe të brendshme të një shteti, përmes një dialogu të hapur.

    -Analiza e mënyrës të interpretimit së ‘mesazhit’ të transmetuar në audiencat e huaja, studimi i tendencave të opinionit publik të hua, etj;

    -Ndikimi mbi ata që formojnë opinionin publik të huaj;

    -Krijimi dhe zhvillimi i instrumenteve të komunikimit dhe bindje, kontaktet direkte midis instituteve publike, mjeteve të informimit publik, grupeve dhe individëve nga shtete të ndryshme;

    -Shkëmbimi ndërkombëtar aktiv, krijimi i strukturave të sponsorizuara kulturore shtetërore, programeve arsimore dhe informuese;

    -Tërheqja e studentëve në programet e shkëmbimit, organizimit të seminareve dhe takimeve me përfaqësues të shtetit, biznesit, komuniteteve kulturore dhe shkencore;

    -Propaganda e vlerave të një shteti përmes kinematografisë, televizionit, radios, muzikës, sportit, videolojërave, teatrit, turizmit, komunikimit në internet dhe formave të tjera të aktivitetit social dhe kulturor.

    Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik mbështeteshin fuqishëm në Diplomacinë publike, kur përpiqeshin të përhapnin ideologjitë respektive në arenën ndërkombëtare.

    SHBA shfrytëzonin një seri kompanish mediatike dhe organizatash, si Radio Free Europe/Radio Liberty, The Voice of America, etj. për të propaganduar vlerat dhe idealet perëndimore, duke u foskusuar te ‘demokracia’ dhe ‘të drejtat e njeriut’.

    Të gjitha këto përpjekje në njëfarë mënyre stimuluan ndoshta edhe dëshirën për ndryshime politike brenda Bashkimit Sovjetik, duke kontribuar në rënien e murit të Berlinit në vitin 1989. Me mbarimin e epokës së Luftës së Ftohtë, u krijua idea se rëndësia dhe vlera e diplomacisë publike në politikën ndërkombëtare u minimizua deri në ngjarjet e 11 shtatorit 2001 në SHBA dhe të ashtuquajturën ‘Luftën me Terrorin’, të deklaruar nga Presidenti G.Ë Bush. Këto ngjarje ndikuan në rishfaqjen e Diplomacisë Publike, si një armë e luftës politike, e shfrytëzuar për të joshur/ndikuar në zemrat e mendjet e audiencave të huaja.  Në rrethanat e ndryshimit të hartës gjeopolitike në 10-vjeçarët e fundit nën ndikimin e proceseve të ndryshme globale, tematika e diplomacisë publike si instrument i rëndësishëm i arritjes së objektivave të politikës së jashtme fiton një aktualitet të veçantë, duke u kthyer në një ndër sferat më dinamike të politikës botërore.

    Diplomacia Publike dhe Shqipëria.

    Nisur nga imazhi jo mjaftueshmërisht pozitiv i vendit tonë, i krijuar në vite, njohjen sipërfaqësore të tij nga audienca e huaj, do të ishte tejet me vlerë që Diplomacia publike të ishte gjithnjë e më thellësisht pjesë integrale dhe e pashmangshme e politikës së jashtme shqiptare. Aplikimi i Diplomacisë publike do të ndihmonte në promovimin më intensiv të vlerave, identitetit të saj kombëtar në botë, e mbi të gjitha përmirësimin e imazhit ekzistues. Me këtë synim, politikës së jashtme shqiptare ndoshta do t’i duhej një strategji e mirëmenduar e diplomacisë publike dhe jo thjesht hapa sporadikë e fragmentarë.

    Konkluzione…

    Me globalizimin, organizatat jo-qeveritare në rritje, sistemi/pushteti i marrëdhënieve ndërkombëtare po ndryshon. Bazuar në faktin se, bota po bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, ndoshta merr një rëndësi më të madhe se asnjëherë për qeveritë e shteteve të ndryshme, fokusimi në implementimin e strategjive të Diplomacisë Publike. Pushteti i joshjes/ndikimit në audiencat e huaja, që mund të arrihet përmes Diplomacisë Publike, ruan rëndësinë edhe për epokën e pas Luftës së Ftohtë. Shfrytëzimi i Pushtetit të butë (Soft Poëer) për të bërë idetë, normat e një shteti të caktuar interesante për qeveritë/audiencat e huaja, mund të ketë më shumë ndikim në një botë të globalizuar se shfrytëzimi i pushtetit të fortë (Hard Poëer), d.m.th shfrytëzimi i kapaciteteve ushtarake.

     *Master në Universitetin e Moskës ‘MGIMO’ për Politikën e Jashtme të shteteve  perëndimore dhe SHBA-së

    *Master në Universitetin ‘La Sapienza’-Romë për Gjeopolitikë dhe Siguri Globale