Irena Islami: Partneriteti i KLSH me homologët evropianë

440

 

Ballafaqimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit me
institucionet ndërkombëtare

 

Sigal

 

Në bazë të Deklaratës së Limës,
e cila është Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit në botë,  Neni 15 «Shkëmbimi ndërkombëtar i
përvojave”, Pika 1, e cila shprehimisht thotë
“Shkëmbimi ndërkombëtar i ideve dhe përvojave brenda Institucioneve
Supreme të Auditimit është një mjet efektiv për të ndihmuar Institucionet
Supreme të Auditimit të përmbushin detyrat e tyre”,
si dhe me iniciativën
personale të titullarit të institucionit, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë pesë
viteve të fundit 2012-2016 ka realizuar partneritete strategjike me institucionet
e tij homologe në Evropë dhe më gjerë. Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t)
janë burime të rëndësishme informacioni objektiv. Ato janë gjithashtu partnerë
potencialisht të rëndësishëm në nxitjen e qeverisjes së mirë në një vend. Secili
SAI ka mënyrat e tij se si e kryen këtë rol dhe të mësosh nga eksperienca e
suksesshme e institucioneve të tjera homologe për KLSH ka qenë dhe është një përparësi
strategjike. Të mësuarit nga eksperiencat e njëri-tjetrit  është edhe moto e organizatës botërore të
institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI-t,
“Experentia mutua Omnibus prodest” (“Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë
të gjithë ».
KLSH e ka shndërruar këtë moto në një plan ambicioz pune,
i cili është konkretizuar, duke e bërë institucionin të përfitojë me dhjetëra
orë trajnimi cilësor për standardet ndërkombëtare të auditimit (ISSAI) dhe
eksperiencat e auditimeve më cilësore të përputhshmërisë, financiare, të
performancës e teknologjisë së informacionit. Gati të gjithë audituesit e KLSH
në këto pesë vite kanë pasur mundësinë të shkojnë në vizita pune dhe trajnime
jashtë vendit, pranë SAI-ve të zhvilluara të Evropës. Një SAI është një nga
institucionet publike më të besuara. SAI-t sigurojnë jo vetëm për Parlamentin,
por edhe për qytetarët, informacione lidhur me performancën e  qeverisë, të lidhura me efektivitetin, efiçiencën
dhe ekonomicitetin e qeverisjes publike. Ato janë të vendosura në vijën e parë të
luftës kundër korrupsionit, duke bashkëpunuar me institucione të tjera të
shtetit. Një nga SAI-t me të cilat KLSH ka një partneritet relativisht të gjatë
(që nga muaji maj i vitit  2012) është
Zyra Shtetërore e Auditimit Suprem të Polonisë (NIK), e njohur në të gjithë
komunitetin e SAI-ve, si atë evropian edhe më gjerë, për eksperiencën e saj të
gjerë dhe të suksesshme në luftën kundër korrupsionit. Të dyja institucionet e
auditimit, ai i Polonisë dhe i Shqipërisë, kanë ndarë eksperiencat e tyre në këtë
fushë, krahas eksperiencave në auditime.



Gjatë periudhës 2012-2016, KLSH
ka lidhur 11 marrëveshje bashkëpunimi dhe partneritete me  institucionet homologe europiane:  Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, me NIK-un
polak, me Zyrën Shtetërore te Auditimit të Kroacisë, me Gjykatën e Auditimit të
Sllovenisë, me Gjykatën e Llogarive të Turqisë, me Gjykatën e Auditimit të
Austrisë, me Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, me
Institucionin Shtetëror të Auditimit të Maqedonisë, me Zyrën e Auditimit të
Institucioneve të Bosnjë Hercegovinës, me
Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës Çeke dhe
së fundi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Bullgarisë.


Veçanërisht
me SAI-t e Polonisë, të Kroacisë dhe të Turqisë, marrëveshjet janë shndërruar në
trajnime të shumta dhe me vlerë të jashtëzakonshme për audituesit e KLSH, të
cilët kanë parë nga afër dhe kanë përfituar nga eksperienca e kolegëve të këtyre
SAI-ve. Një bashkëpunim shumë i frytshëm i KLSH-së ka qene ai me Gjykatën
Evropiane të Audituesve, në të cilën deri tani kanë qenë për trajnime afat-gjatë
(5 mujore), tetë auditues nga KLSH.
KLSH ka rivendosur
bashkëpunimin me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të
Amerikës (GAO) dhe duke filluar nga viti 2015 auditues të KLSH-së kanë marrë  dhe do të marrin pjesë në felloëship-e 4 mujore pranë kësaj zyre,
që është pa dyshim një eksperiencë pozitive dhe shumë dobi prurëse për KLSH.
E ardhmja flet qartë për konsolidimin e
partneriteteve të KLSH me institucionet homologe dhe për vijimin e këtij
partneriteti në forma të reja. Në shkurt të vitit 2016 filloi Projekti i Binjakëzimit,
IPA 2013 për KLSH, i përqendruar në ngritjen e kapaciteteve audituese të
institucionit dhe në modernizimin e mëtejshëm të tij. Ky projekt ka në themel
partneritetin e krijuar mes SAI-t polak (NIK), SAI-t kroat dhe KLSH,
të cilët do të punojnë për këtë projekt të
përbashkët për një periudhë dy vjeçare.
Dobia më e
madhe dhe  vlera e shtuar e këtij
Projekti, të financuar nga BE, qëndron në faktin se ai projekton audituesin suprem
publik shqiptar te viteve 2020-2025, kohë kur sigurisht vendi ynë do të jetë
bëre vend anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Të gjitha
këto bashkëpunime kanë ndikuar pa dyshim në rritjen e kapaciteteve profesionale
të audituesve të KLSH dhe gjithashtu kanë motivuar punonjësit në punën e tyre
të përditshme sepse ndihen të vlerësuar për kontributin që japin në realizimin
e objektivave të institucionit.