Inxhinier Ikmet BRAMO/ Sa jetojnë hidroçentralet?

    324
    Sigal

    Ndjehem keq kur mendoj  që autorët dhe aktorët e projektimit dhe ndërtimit të këtyre veprave, njerëz me vlera më të mëdha se të miat, nuk prononcohen dhe nuk flasin për këtë problem, i cili ka rëndësi të madhe për ekonominë e vendit. Këto vepra do të mbahen mend përjetësisht si arritjet e popullit tonë në të gjitha kohërat. Ne krenohemi me to para shumë popujve të tjerë  të kontinentit tonë. Por historia do të na dënojë shumë ashpër për faktin që ne rrimë e sodisim indiferentë se si atop o shkatërrohen para kohe. Specialistët francezë që montonin tubinat e Komanit, nuk e besonin dhe madje nuk e besojnë as sot që, ne keto vepra i projektuam dhe i ndërtuam me forcat tona. Studiuesit dhe projektuesit tonë të famshëm e të mrekullueshëm të këtyre veprave e kane llogaritur që këto do të vdesin një ditë dhe kjo sillet mbas 100 vjeçarit, por që të garantohet kjo, ata kanë përcaktuar masa të rrepta dhe rigoroze të cilat ne sot duhet t’i zbatojmë në vijimësi dhe me rigorozitet dhe nuk duhet të lihen mbas dore asnjëherë. Problemi më i madh dhe më i prehtë është depozitimi i prurjeve të ngurta në shtratin e Baseneve (liqeneve), pa masat përkatëse dhe do te vijë një ditë që niveli i këtyre depozitimeve do mbërrijë në hyrjet e veprave të marjes dhe ky është fundi i  jetës së hidroçentralit. Dhe sa për dijeni duhet të dimë që veprat e Marjes,janë të vendosura nga mesi i lartësisë së digave. Për të vonuar këtë moment, ka pasur një program rigoroz për pyllësimin e baseneve ujëmbledhëse të çdo hidroçentrali.  Dhe të mendosh që kjo jo vetëm që nuk ështe bërë dhe nuk po bëhet, por janë prerë dhe po priten  edhe sot ato dëme që kanë qënë. Është dëm i madh ekonomik. Janë qindra mijëra euro në vit që prodhohen nga hiçi, është resursi më i madh i vendit tonë. Është vonë por ende jo shumë vonë që Parlamenti dhe Qeveria të vënë gishtin në plagë të këtij problemi, duhen marrë masa të veçanta në hartimin e freskuar të ligjit dhe veçanërisht në rigorozitetin e zbatimit të tij. Ne sot kemi Ministri Ekonomie, Ministri Bujqësie, Ministri Mjedisi, Korporatë Energjitike, Ente Rregullatore, Drejtori Pyjesh etj etj dhe askujt nuk i hyn ferra në këmbë për këtë problem. Është turp i madh për ne që nuk po mbrojmë monumente të tilla fitimprurëse, që na i ka zili bota. Do të vijë një ditë që do të na dënojë historia dhe gjithë populli shqiptar.