Inxhinier Dhimitër Stefo: Si na arrestuan e dënuan ne 7 “armiqtë e grupit të naftës”

    1419
    Sigal

     Tetëdhjetë vjeçari: Lipe Nashin e shpëtoi nga pushkatimi Mehmet Shehu. Dy u ekzekutuam, ne të tjerët u dënuam me burgime të ndryshme

    Inxhinier Dhimitër Stefo, po afron tek të 80 vitet e jetës, vite të mbushura me punë, vuajtje dhe suksese. E gjejmë të përpiktë në orar në lokalin e preferuar me mikun e tij, në pasionin e rinisë, duke luajtur shah. Modest dhe i vështirë për të biseduar me ‘të rreth grupit sabotator dhe armiqësor i etiketuar si “grupi i naftës”, por mundëm t’i marrim disa detaje rreth këtij grupi të bujshëm e misterioz që ‘hëngri’ shumë kuadro nga Byroja Politike e deri në nivelin e bazë. Dhimitri flet i qetë me vështrimin e ngulur diku në një pikë midis horizontit dhe ujërave të kaltra të detit Jon. I pyetur se çfarë qe ky grup, ai përgjigjet se ‘asnjëherë nuk ka ekzistuar grup sabotator në naftë, gjithçka qe fantazi dhe e planifikuar për të ngrënë koka të mëdha si: “Koço Theodhosi e Abdyl Këllezi”. Po më tej-shton ai-u dogjëm edhe ne, tetë inxhinierë dhe drejtues kryesor të Institutit të Naftës, se nafta kishte statusin e një ministrie dhe kishim si rrethet sekretar të parë. Kush ishim ne të tetë, -vijon rrëfimin Dhimitri,- ishin të gjithë inxhinierët dhe drejtues kryesor që ishim diplomuar jashtë shtetit: 1-Lipe Nashi, drejtor i Përgjithshëm. 2-Beqir Alia-inxhinier i përgjithshëm i kërkim shpimit të naftës. 3-Protoko Murati-inxh.. Shef sektori në institut. 4-Koço Plaku- inxh. gjeolog, shef kabineti. 5-Milto Gjikopulli-inxhinier. 6-Jani Konomi-inxh. shfrytëzimi,7-Nuredin Skrapari- inxh. Gjeolog (ky u riarrestua nga burgu, pasi qe dënuar më parë për agjitacion e propagandë se në dhomë me shokët, i pirë nga flakja e shishes u thye portreti i Enverit dhe shokët e raportuan) dhe unë Dhimitër Stefo-inxh., shef grupi. Pra, siç e shikoni, u arrestua gjithë elita drejtuese e naftës në Shqipëri. Unë u dënova dhe kreva burg në Spaç e të gjitha burgjet shqiptare, plotë 16 vjet pa një muaj, nga 17 Prill 1975 deri në 17 Mars 1991, nga këto 1.5 vjet hetuesi, po një hetuesi formale, pa tortura, se vet hetuesia qe torturë më vete, po nuk na bënë tortura të diferencuara siç dëgjojmë nga bashkëvuajtësit tanë të tjerë. Gjyqin dhe pretencën tonë e kishte parapërgatitur vet Enver Hoxha. Përgjigja e pyetjes se pse ndodhi kështu, Dok. Inxh. Dhimitër Stefo i përgjigjet qartë se: Ishin vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Neve parashikuam që nga viti 1971 e deri më 1975, projekt i planit pesëvjeçarë që do miratohej në kongresin e Gjashtë të PPSH-së, të arrinim 1 milion e 800 mijë ton naftë prodhim. Me këtë planifikim shkuam në ministrinë tonë përkatëse, ku u miratua. Ministria e çoi në Qeveri planifikimin tonë, e cila e rriti shifrën e parashikuar nga 1 milion e 800 mijë ton në 2 milionë, pra shtoi 200 ton. Nuk bëmë zë, ulëm kokën dhe pritëm. Po nuk përfundoi këtu e keqja. Mesa duket guri kishte marrë rrokullimën dhe nuk dihej kë do zinte e do vinte përpara, ashtu si dhe ndodhi. Madje, kujtoj se kur shkuam tek zëvendëskryeministri Adil Çarçani, ai na tha se, partia nuk ka varur njeri në naftë, ndaj duhet planifikuar me guxim. Përsëri kuptuam se diçka nuk shkonte…po nuk folëm. Qeveria këtë planifikim, të rritur edhe nga vet ajo, e çoi në Byronë Politike të KQ të PPSH-së, e cila shifrën e pritshme të vitit 1975 e çoi në nivelin e 2 milionë e 400 mijë tonëve naftë. Po nuk mbaroi këtu maratona e rritjes së planifikimit të prodhimit të naftës, jo! Byroja politike e çoi në Kongres, i cili e rriti shifrën në 2 milionë e 700 mijë tonëve. Vërtet u trembëm, ishte e parealizueshme për ne si specialistë. Pra gati –gati u dyfishua sasia e tonëve të prodhimit nga planifikimi i specialistëve. U shtuan 900 mijë ton, jo pak. Këtu filloi e keqja. Byroja politike nuk pranonte gabimin, kurrë! Por qe edhe qëllimi tjetër i saj për goditjen e Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit. Dhe më 1975-n na arrestuan. Po si erdhëm nga 1971 deri më 1975? Mbledhje e stërmbledhje. Ditë e natë nëpër puse të naftës. Shtrydh e super shtrydh rezervat. Harruam shtëpitë tona. Kaq shumë u lidhëm me puset e naftës sa edhe sot, pas 40 viteve i shkëputur nga nafta, shoh ëndrra me puse nafte. Deri më 1974-n arritëm të mbijetonim me realizim të planit. Më tutje nuk kishte mundësi të ecej. Kështu në vitin 1974 realizuam 2 milionë e 242 mijë ton naftë. Na mungonin 300 mijë ton nga vendimi i kongresit. Kjo pritej. Dhe furtuna erdhi. Kjo ka qenë dhe shifra më e lartë e prodhimit të naftës në Shqipëri, se në 1975-n, pas arrestimit tonë, u realizua 1 milion e 700 mijë tonë, aq sa kishim planifikuar fillimisht, ne grupi i specialistëve, por askush nuk tha gjë e ne mbetëm në burg. Madje, këtu dua të shtoj edhe një detaj domethënës se me rastin e festave të 28-29 Nëntorit më 1974, Lipe Nashi u dekorua me titullin e lart “Hero i Punës Socialiste” dhe Koço Plakut i dhanë Çmimin e Parë të Republikës, por pas katër muajsh filloi “cunami” dhe Lipe përfundoi në burg e Koço në plumb. Lipe Nashi qe shumë njerëzor e zemërmirë, organizator i shkëlqyer e me iniciativë. Dhe kishte një cilësi që përgjegjësinë e mbante për vete, nuk e delegonte tek vartësit. Mund të përmend një fakt se kur qe në detyrën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së naftës, se nafta kishte statusin e një rrethi, një inxhi. Kadri Zalla i shkruan letër për të marrë shtëpi, por midis të tjerash i shkruan edhe “…a nuk është më e mirë jeta e zezakut në Amerikë?…”. Qe fjalë rëndë e përfundoje edhe në plumb. Lipe bëri mbledhje dhe ai përfundoi përgjegjës sektori. Qe virtyti i rrallë i tij, por mund të shtoj se nuk dëgjoi llomotitjet siç qenë rëndom në këto raste, por vendosi propozimin tim. Nga ne u pushkatuan dy veta, Milto Gjikopuli dhe Koço Plaku, të tjerët me burg. Përmend edhe një fakt që Enver Hoxha thirri një inxhi., të quajtur Paskal Sinani, ishte drejtor nafte në Sarandë, miku im. Por ky kishte inat Beqir Alinë dhe kjo ndikoi tek përgjigjja që i dha Enverit se në vend t’i thoshte që nuk ka grup sabotator dhe armiqësor në naftë, nga inati i Beqirit, i tha, ka. Kaq u desh. Paskali kur u kthye nga takimi me Enverin, më tregoi shënimet. Po më pas doli vendimi i byrosë politike për goditjen e grupit të naftës dhe ne përfunduam në burgjet e Shqipërisë. Dhimitër Stefo tregon se është takuar tri herë me Enver Hoxhën dhe dy herë me Mehmet Shehun, por për Mehmetin thotë se qe burrë i mirë, i ashpër, por i drejtë. I përpiktë dhe e njihte mirë situatën. Nuk të binte në qafë kot. Madje ai shton se, Lipe Nashin ai e shpëtoi nga pushkatimi i sigurt. Enveri qe teorik, nuk futej në detaje ekonomike shumë, prezantonte politikën e partisë. Këtu,- thotë z. Stefo, Mehmeti qe më i kompletuar. Nuk bëhej shaka të diskutoje me të. Duke kujtuar detaje të shumta nga takimet me udhëheqësit, ai kujton se më shumë ka qëndruar me Adil Çarçanin, duke e gdhirë në lojëra me letra. Por edhe një fakt interesant vjen pas atij propozimi dhe zbatimi të sjelljes së ujit nga Poçemi në Ballsh. Ai kujton se kur qe në hetuesi, hetuesit i dhanë detyrë të bëja studim-kërkimin tim për naftën në Shqipëri. Plot 40 ditë punova dhe gjatë këtyre ditëve nuk pata hetuesi. Por në Kongresin e 7 të PPSH-së, studimi im u përmend në raportin e mbajtur nga Enver Hoxha, natyrisht pa emrin tim, qe pjesë e raportit të tij Në fund të bisedës, Dok. Inxh. Dhimitër Stefo, thotë se vendi ynë është naftëmbajtës. Sot jemi futur në ekonominë e tregut dhe kjo industri duhet zhvilluar në këto korniza. Jam optimist dhe e them me bindje se shteti ynë do të ketë të ardhura të konsiderueshme nga shfrytëzimi i këtyre potencialeve, por politika t’i përdorë për së mbari në interes të popullit dhe të vendit. Edhe deti Jon ka naftë dhe këtë e them me përgjegjësi profesionale. Dhe këtë do ta vërtetoni dhe shikoni në të ardhmen. Shfrytëzimi i saj nuk ka asnjë rrezik për ekologjinë, florën dhe faunën detare, pasi me teknologjinë e sotme bën mrekulli. Ta kishim ne atëherë këtë teknologji, do kishim bërë çudira. Kështu e përfundon bisedën e tij Dok. Inxh. Dhimitër Stefo për “Telegraf”, lidhur me grupin sabotator dhe armiqësor në naftë, në vitin 1975.