Inxhi. Jani Capo: Si ta kursejmë energjinë elektrike për ndriçim në shtëpitë tona?

    385

    Ndriçimi përbën 15 deri 20 % të konsumit të energjisë elektrike në faturën e çdo familjeje. Jo të gjithë e dinë se ky konsum mund të zvogëlohet në ¼, duke ruajtur të njëjtin ndriçim- shpjegon Ing. Capo për Gazetën Telegraf . Kjo arrihet shumë thjesht, duke zëvendësuar llambat inkandeshente (kështu quhen llambat e zakonshme që përdorim sot) me llamba fluorishente (të quajtura llamba ekonomike)

     Tek llamba e zakonshme, vetëm 4% të energjisë që konsumon ajo, kthehet në ndriçim, ndërsa 96 % e saj shkon në humbje, në nxehtësi (prandaj llamba nxehet).  Kështu tek një llambë e tillë me fuqi 100 W  (W = vat), vetëm 4 W shërbejnë për ndriçim, kurse 96 W shkojnë në humbje (nxehtësi).

    Tek llambat ekonomike, 20% e energjisë që konsumon ajo, kthehet në ndriçim, ndërsa 80 % e sajë shkon në humbje. Kështu, te një llambë e tillë me fuqi 100W,  20 W shërbejnë për ndriçim, kurse 80 W shkojnë në humbje. Pra në këtë rast, ndriçimi që arrihet me një llambë ekonomike me fuqi 100 W është 5 herë më i madh se sa ndriçimi që arrihet me një llambë të zakonshme me fuqi 100 W.

    Kjo do të thotë se për të arritur të njëjtin ndriçim që arrihet me një  llambë të zakonshme me fuqi 100 W, mjafton të vëmë në vend të saj një llambë ekonomike me fuqi 20 W. Pra kursimi në konsumin e energjisë është 5 herë.

           Po ashtu, jetëgjatësia e një llambe të zakonshme është 1000 orë punë, (pra ajo mund të punojë deri 1000 orë), ndërsa ajo e një llambe ekonomike është 8000 orë punë. Pra, për 8000 orë punë nevojitet vetëm një llambë ekonomike, ndërsa llamba të zakonshme nevojiten 8 copë.

    Duhet thënë se çmimi i një llambe ekonomike është më i lartë se ai i  një llambe të zakonshme, Kështu, p.sh, nëse një llambë e zakonshme kushton sot 50-80 lekë, një llambë ekonomike e cilësisë së lartë kushton 300-600 lekë. Megjithatë, ky çmim i lartë kompensohet shpejt nga kursimi i energjisë elektrike që sjell llamba ekonomike.

    Nga sa u tha më sipër, le ta ilustrojmë me një shembull llogaritjeje për të kuptuar më mirë leverdinë e përdorimit të llambave ekonomike:

    BOX

    Kursimi në Energji:

    Një llambë e zakonshme me fuqi 100 W për 8000 orë punë konsumon një energji prej: 100 W x 8000 orë = 800.000 Wh (vatorë) = 800 kWh (kilovatorë)(1 kWh = 1000 Wh).

           Të vëmë tani në vend të kësaj llambe një llambë ekonomike me fuqi 20 W, e cila për 8000 orë punë do të konsumojë një energji prej: 20 W x 8000 orë = 160.000 Wh = 160 kWh.

    Pra duke e zëvendësuar llambën e zakonshme me një llambë ekonomike do të kemi, për 8000 orë pune, një kursim të energjisë elektrike prej 800-160 = 640 kWh.

           Kursimi në lekë:

    Duke marrë çmimin mesatar të energjisë elektrike me të cilin ajo faturohet sot për konsumatorët familjar prej 10.6 lekë për 1kWh, rezulton si më poshtë:

    Në rastin e llambës së zakonshme me fuqi 100 W, për 8000 orë pune, do të kemi:  800 kWh x 10.6 lekë = 8 480 lekë. Duke shtuar këtu edhe çmimin e blerjes së 8 llambave x 65 lekë = 520 lekë, atëherë do të shpenzonim gjithsej 8 480 + 520 = 9 000 lekë.

    Tani, duke përdorur një llambë ekonomike 20 W, për 8000 orë pune, do të kemi:  160 kWh x 10.6 lekë = 1 696 lekë dhe duke shtuar këtu edhe çmimin e blerjes së llambës (po marrim çmimin më të lartë të blerjes prej  600 lekë), do të shpenzonim gjithsej: 1 696 + 600 = 2 296 lekë.

    Pra kursimi në lekë do të jetë:  9 000-2 296 = 6 704 lekë

     

     

    Siç shihet nga ky zëvendësim kemi dy përfitime:

    E para, familja kursen 6 704 lelë (67 840 lekë të vjetra), dhe e dyta – prodhuesi i energjisë elektrike kursen 640 kWh. Pra për këtë zëvendësim janë të interesuar si konsumatori (familjarët) ashtu dhe prodhuesi i energjisë elektrike, në rastin tonë Elektriku (Shteti).

    Përfitimi i më sipërm në energji (për Elektrikun) dhe në lekë (për familjarin) arrihet duke zëvendësuar vetëm një llambë të zakonshme me fuqi 100 W me një llambë ekonomike me fuqi 20 W. Mendoni njëherë se sa i madh do të ishte kursimi në energji elektrike (për Elektrikun) dhe në  lekë për familjen nëse kjo e fundit do t’i zëvendësonte të gjitha llambat e shtëpisë.

    Po sikur në të gjithë vendin  të zëvendësoheshim llambat e zakonshme me llamba ekonomike, atëherë do të kishim një kursim kolosal..

    Duhet thënë se edhe në vendin tonë ka filluar përdorimi i llambave ekonomike, por krahas llambave me cilësi të mirë, kanë hyrë edhe shumë llamba me cilësi të dobët që në mjaft raste kanë sjellë zhgënjim tek konsumatorët si për cilësinë e ndriçimit ashtu edhe për jetëgjatësinë e tyre

    Në përdorimin e llambave ekonomike duhet pasur kujdes se ato përmbajnë sasi të vogla zhive (rreth 5 miligram) dhe po të hidhen në gropën e mbeturinave, zhiva rrjedh nga to, duke infektuar tokën dhe ujërat nëntokësor. prandaj ato nuk duhet të hidhen në plehra kur hiqen nga puna por të dërgohen për riciklim.  Duke pasur parasysh kursimin që sjell përdorimi i llambave ekonomike, Komisioni Europian, vite më parë, miratoi një program për vendet anëtare të Bashkimit Europian (BE) për zëvendësimin gradual të llambave të zakonshme me llamba ekonomike.

    Kështu, nga1 shtatori i vitit 2010 u ndalua në të gjitha vendet e BE  përdorimi i llambave të zakonshme me fuqi mbi 75 – 100 W; nga 1 shtatori i vitit 2011 u ndalua përdorimi i llambave të zakonshme me fuqi 60 W, dhe nga 1 shtatori i vitit 2012 u ndalua përdorimi i llambave të zakonshme me fuqi 15 W, 25 W, 40 W. Mbas vitit 2016 nuk do të ketë asnjë llambë të zakonshme.

    Sipas një llogaritje të përafërt, zëvendësimi i llambave të zakonshme me llamba ekonomike do të sjellë një kursim të energjisë elektrike në të gjithë vendet e BE prej 15 %, pra një kursim kolosal që është në interes të prodhuesve të energjisë elektrike dhe të konsumatorit.

    Së fundi duhet thënë se ka filluar përdorimi për ndriçim edhe i llambave LED (Dioda emetuese drite) qe jane teknologjia e fundit dhe nuk përmbajnë zhivë. Me këto llamba arrihet një kursim akoma më i madh i energjisë elektrike. Gjithashtu, këto llamba  kanë një jetëgjatësi mesatare prej 20-25 vjetësh, por aktualisht çmimin e kane paksa te larte për standardet shqiptare – rreth 15 euro. Shtojmë se llambat LED paraqesin ndriçimin ekologjik të së ardhmes.