Inxh. Myhedin PIRANAJ*/ Kur do të merren pagesat e paaftësisë?

    430
    Sigal

    Muajt e fundit, invalidët e punës po ndeshen me vonesa në pagesën e përfitimit të paaftësisë

    Unë si kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës, dega Shkodër, dua të ngre një shqetësim për Invalidët e Punës në përgjithësi dhe për ato të Shkodrës në veçanti.

    Të qenurit invalid pune nuk është ndonjë aftësi apo meritë, por fatkeqësi dhe vuajtje pafund. Janë invalidët e punës ata që, për shumë vite kanë kontribuar në këtë vend duke sakrifikuar gjithçka nga shëndeti i tyre dhe fatkeqësisht e kanë të pamundur të kontribuojnë më, dhe çfarë është më e keqja e më e dhimbshmja, janë të cenuar vazhdimisht nga sëmundja dhe vdekja.

    Nisur nga këto ne kërkojmë nga shoqëria dhe shteti më shumë vëmendje, respekt dhe përkrahje. Që nga fundi i vitit 2012, ashtu dhe në këto muajt e fundit, invalidët e punës po ndeshen me vonesa në pagesën e përfitimit të paaftësisë.

    Që në vitin 2003 në bazë të Ligjit Nr. 9143, datë 10.10.2003 “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 7889, datë 14. 12. 1994  “Për Statusin e Invalidëve”  i ndryshuar, në nenin 7 të tij thuhet se: Invalidët e Punës përfitojnë një shtesë mujore mbi pensionin e invaliditetit si përfitim paaftësie. Sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave kjo shtesë paaftësie jepet çdo muaj nga organet e pushtetit vendor. Por çfarë është më e rëndësishmja për ne dhe që na shqetëson më shumë është se këto pak të ardhura që na jepen nëpërmjet pushtetit vendor,nga zyrat e shërbimit social në të shumtën e rasteve na vonohen, në disa raste në komuna të ndryshme edhe me muaj të terë. Lind pyetja: Kush përgjigjet për këtë problem? Kush e mban një përgjegjësi të tillë dhe kujt duhet t’i drejtohemi? Sepse të gjithë thonë që nuk ka lek nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kur të vijnë do t’i merrni etj., etj. Pse leket tona nuk dihet kur do të merren në një kohë që administrata e shtetit i merr rregullisht në data të caktuara? Pse vetëm për ne invalidët nuk paska lekë? Po të shohësh pagesat që bëhen nëpërmjet Drejtorisë së Thesarit nga Buxheti i Shtetit në fillim të çdo muaji shikon vetëm paga e pagesa për administratën kurse për ne invalidët shumë ditë më vonë ose edhe muaj. A nuk ju duhen invalidëve të punës këto pak lekë për vizita mjekësore, barna, analiza etj., etj? Kush e vlerëson këtë ashtu si duhet? Të mos harrojmë se Parlamenti Shqiptar në muajin Nëntor të vitit 2012 ka ratifikuar Konventën Ndërkombëtare të OKB-së për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe nga Këshilli i Ministrave dhe asnjë institucion tjetër i shtetit nuk kanë dalë akte nënligjore për zbatimin e kësaj konvente. Megjithëse ratifikimi i kësaj konvente ishte kërkesë dhe kusht i faktorit ndërkombëtar, në zbatim të saj nuk është bërë asgjë.

    Ne si invalidë pune presim shumë nga shteti. Duhet të na krijohen mundësi punësimi për invalidët e pjesshëm, duhet të na rritet pensioni i invaliditetit dhe përfitimi i paaftësisë për një jetë sa më normale sepse ka invalidë pune të grupit të plotë në Shkodër që e kanë pensionin e invaliditetit vetëm 1410 lekë. A jetohet me këtë pension? Besoj se do i habisë të gjithë ato që do e dëgjojnë.

    Duhet theksuar se me invalidët e punës edhe bankat ku merret përfitimi i paaftësisë nuk sillen në mënyrë korrekte. Ndodh shpesh që pagesat, edhe pse thesari i shtetit i kalon në bankë në datat 1, 2, 3 të muajit, lekët për invalidët e punës fillojnë të ndahen vetëm më datën 8 të atij muaji. Është njoftuar edhe Bashkia Shkodër, institucion i cili ka përzgjedhur këtë bankë për pagesat tona, por nuk kemi parë ndonjë ndryshim pozitiv.

    Shpresojmë që qeveria e re t’i marrë seriozisht problemet e invalidëve të punës, të kërkojë me forcë nga institucionet e veta që të zbatohen ligjet dhe aktet nënligjore që mbrojnë invalidët e punës dhe të mendojë një zgjidhje të re për procedurat e pagesave të përfitimit të paaftësisë dhe jo t`u lihet në dorë disa zyrtarëve të shërbimit social që asgjë si lidh me invalidët e punës dhe këshillave bashkiake apo komunale, të cilat në disa raste duke i vonuar mbledhjet e tyre vonojnë edhe pagesat e paaftësisë së invalidëve të punës.

    *KRYETAR I SH.I.P. SHKODËR