Investimet e huaja bien me 25% në tremujorin e dytë

683
BSH: Investimet e huaja 200 milionë euro, ose 25% më pak se vitin e kaluar
Investimet e huaja direkte pësuan rënie në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja kishin vlerën e 200 milionë eurove, 25% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Frenimi i tremujorit të dytë e ka përkeqësuar bilancin e gjashtëmujorit të parë, që tashmë është në rënie me 29 milionë euro ose 7% më pak krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2016.
Investimet duket se nuk po mbajnë ritmin e vitit të kaluar, kur prekën vlerën rekord të 943 milionë eurove.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e dytë të vitit investimet e huaja u përqendruan në sektorin e energjetikës, me rreth 35% të totalit, të ndjekura nga hidrokarburet me 17% dhe investimet në sistemin bankar, me 13%.
Mbështetur në të dhënat sektoriale, duket se edhe këtë vit investimet e huaja po mbështeten nga ndërmarrjet dhe projektet ekzistuese, ndërkohë që nuk duket të ketë nisma të reja për investime të rëndësishme.
Vlerat e larta të investimeve të huaja kanë qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit.
Tremujori i dytë i vitit ishte më pozitiv për sa i takon të ardhurave dytësore në ekonominë shqiptare dhe sidomos dërgesave të emigrantëve.
Remitancat prekën vlerën e 163 milionë eurove, 9 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për gjashtëmujorin e parë, dërgesat e emigrantëve arritën në 298 milionë euro, në rritje të lehtë me 2.7% krahasuar me një vit më parë.
Në rritje për këtë vit janë edhe të ardhurat nga turizmi. Për tremujorin e dytë, bilanci neto i të ardhurave mes turizmit hyrës dhe dalës ishte pozitiv për 80 milionë euro.
Për gjashtëmujorin e parë, ekonomia shqiptare ka përfituar 156 milionë euro neto nga llogaria e udhëtimeve, shifër kjo 11% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigal