Invalidët në vitin 2014, trajtohen akoma me ligjin e vitit… 1966!

    446
    Sigal

    Është realitet absurd një dokument zyrtar, lëshuar nga zyrat e Shtetit Shqiptar, që përbën një model turpi e skandali zyrtar, i cili vërteton me ligj, vendim, firmë e vulë, se si shteti vazhdon të tallet prej 22 vjetësh me invalidët, duke u dhënë atyre pagesa e kompensime mujore lëmoshë, që si vlerë ushqimore nuk i jepen asnjë “kanarine”. Dje, na kontaktoi qytetari Petro Myrvet Berberi, banues në Tiranë, me status “Invalid”. Ai na tregoi një dokument skandaloz, lëshuar prej Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në të cilin konfirmohet masa e shpërblimit të pagesës mujore që i jepet një invalidi shqiptar sot në vitin 2014, për kompensimet financiare të pensionit të invaliditetit, i cili po kështu është një pagesë lëmoshë. Pagesa që i jepet prej ISSH, një invalidi me KEMP është në masën 2095 lekë të reja në muaj, mbi pagesën e pensionit mujor! Absurdi është se kjo pagesë mujore në vitin 2014, jepet prej sigurimeve shoqërore, mbështetur në një ligj të… 48 viteve më parë.

     Lojëra me ligje të ndryshuara… pa asnjë vlerë

     Konkretisht, invalidët shqiptar që janë të pa mundur për punë dhe që trajtohen me KEMP, sipas ligjit, përveç pensionit mjekësor mujor të akorduar nga KEMP, duhet të përfitojnë edhe kompensimet mujore. Çfarë ndodh? Ka një lojë komike me ligje të shumta e pa asnjë vlerë, troç me ligje tallëse, që janë miratuar në çdo 6 muaj e 1 vit dhe që ndryshojnë njeri-tjetrin, por që nuk ndryshojnë aspak masën financiare të pagesës së invalidëve. Ja, se çfarë ndodh. Pagesa e invalidëve, bëhet sipas Ligjit Nr.7889, datë 14. 12. 1994, ndryshuar me Ligjin Nr. 8052 datë 21. 12. 1995, ndryshuar me Ligjin Nr. 9143 datë 16. 10. 2003 “Për Statusin e Invalidit të Punës”, në mbështetje të Nenit 16, të ligjit Nr.7491, datë 29. 04. 1991 “Për dispozitat kryesore Kushtetuese”. Në nenin nr. 7 të këtij ligji të ndryshuar disa herë, por me ndryshime pa fund e me pagesa lëmoshë, thuhet se invalidët do të trajtohen në mbështetje të Ligjit Nr. 4171, datë 13. 09. 1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, i ndryshuar, sipas Ligjit Nr. 4976, datë 29. 06. 1972 “Për pensionin e ish–anëtarëve të kooperativave bujqësore”, i ndryshuar me Ligjin Nr. 7703, datë 11. 05. 1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin 8437 datë 15. 02. 1995, të ndryshuar me Ligjin nr. 8590, datë 23. 11.1996, të ndryshuar me Ligjin nr. 5687, datë 11. 11. 1998, të ndryshuar me Ligjin nr. 8732, datë 23. 02. 199, të ndryshuar me Ligjin nr. 9872, datë 17. 06. 2000 e në vazhdim me ligj me 57 herë ndryshime. Ajo që nuk ka ndryshuar është pagesa e pensionit dhe kompensimeve shtesë për invalidët. Në çdo ndryshim, shtohet nga 1 bukë, ose nga dy banane në çdo 1 vit e 2 vjet.

     Invalidët, kompensim sipas ligjit të vitit… 1966!

     Po, çfarë thotë ligji që ende është në fuqi? Invalidët përfitojnë një shtesë mujore mbi pensionin e invaliditetit, si përfitim paaftësie nga Buxheti i Shtetit. Kriteret e marrjes së përfitimit të paaftësisë dhe masa e tij, bëhen sipas Ligjit Nr. 9143 datë 16. 10. 2003 “Për Statusin e Invalidit të Punës”, por duke iu përmbajtur Ligjit Nr. 4171, datë 13. 09. 1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, i ndryshuar, sipas Ligjit Nr. 4976, datë 29. 06. 1972 “Për pensionin e ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore”! Sipas këtij ligji, një invalid përfiton pagesë mujore prej ISSH në masën 2095 lekë të vjetra! Konkretisht, përfiton 1456 lekë të vjetra pagesë nga KEMP-i, 350 lekë të vjetra kompensim energji elektrike, 150 lekë të vjetra kompensim buke, 24 lekë të vjetra në muaj kompensim detergjente, 23 lekë të vjetra kompensim transport dhe 92 lekë të vjetra kompensim shërbim shëndetësor.

     Invalidët tetraplegjikë, 150 lekë shtesë në muaj!

     Sipas udhëzimit, mbështetur në pikën 4 të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 31, datë 20. 01. 2001, pagesa për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë bëhet 9900 lekë të reja muaj. Kjo kategori e kishte pagesën mujore 9750 lekë të reja në muaj dhe me këtë vendim u bëhet 9900 lekë të reja në muaj, ose 150 lekë të reja rritje në muaj, ose 700 gramë karburant në muaj.

    Rritja për personat me aftësi të kufizuar, 2 bukë në muaj!

     Edhe personave të grupimit PAK (Me aftësi të kufizuara), ashtu si paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, mbështetur në pikën 8, të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 618, datë 07. 09. 2006, pagesa mujore bëhet 9900 lekë të reja në muaj. Edhe pagesa mujore e kujdestarëve të tyre, bëhet e njëjtë: 9900 lekë të reja në muaj. Edhe për këta rritja është po kaq e vogël me 150 lekë reja, ose sa afro 2 bukë në muaj, apo sa 750 gramë gjizë në muaj!

    Të verbrit, rritje me 5 bileta urbani

     Në mbështetje të pikës 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 277, datë 18. 06. 1997, pagesa mujore për të verbrit, bëhet 11 mijë e 250 lekë në muaj. Të njëjtën pagesë përfiton edhe kujdestari i të verbrit. Edhe kësaj kategorie e kujdestarëve të tyre, qeveria u ka shtuar me 150 lekë të reja në muaj, ose sa 5 bileta urbani

    Përparim HALILI