Invalidët në mëshirë të fatit: Po përdoremi nga politika

    255

    Përplasja bashki-qeveri për transportin falas për personat me aftësi të kufizuar

    Invalidët, të cilët sipas ligjit duhet të udhëtojnë falas, që nga data 1 Korrik janë duke udhëtuar me pagesë, pasi shoqëritë e transporteve, të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës për të ofruar shërbim publik, nuk njohin kartën e invalidit, pasi nuk janë subvencionuar. “Më prenë biletë, se nuk e pranonin. Ia kam paraqitur fatorinos kartën, ja ku e kam. Por preva biletë”, ankohet një e moshuar. “Neve na kanë thënë të marrim lekët, kështu na kanë thënë. Nuk i njohim ato”, thotë nga ana tjetër një fatorino.

    Brenda ambienteve të autobusëve është vendosur dhe një njoftim që paralajmëron udhëtarët invalidë se duhet të paguajnë. Ndërkohë që ministri i Mirëqenies Sociale ngarkon me përgjegjësi bashkinë e Tiranës, që lejon shoqëritë e kontraktuara të shkelin një ndër pikat e pranuara prej tyre në momentin e licencimit për të njohur kartat e invaliditetit. Ndërkohë që shoqëritë që po cenojnë të drejtat e invalidëve do t’u hiqet licenca.

    Ministri Veliaj

    “Kur bashkia zbret invalidët nga autobusi duhet të përgjigjet për disa gjëra. Kur ka dhënë këto licenca i ka dhënë me kushtin e udhëtimit falas të invalidëve. Qeveria e kaluar kurrë nuk ka krijuar kurrë transferta të tilla si kjo tani, ajo për të ndarë paratë nga bashkia tek autobusi. Kjo është bashkia e vetme që ka këtë problem, pasi bashkitë e tjera e kanë zgjidhur këtë problem me kompanitë e autobusëve. Bashkia e Tiranës nëse kërkon më shumë përgjegjësi duhet ta mbajë. Çmimin e biletave e cakton Këshilli Bashkiak”, ka deklaruar Veliaj.

    Bashkia e Tiranës

    Ndërsa Bashkia e Tiranës, nëpërmjet një deklarate thotë se qeveria duhet të marrë masa që të zbatojë ligjin që vetë miratoi në Kuvend. Sipas bashkisë, ligji i ri detyron Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Arsimit të subvencionojnë transportin falas dhe me tarifa të reduktuara.

    Ligji i ndryshuar

    Në ligjin e ndryshuar nga qeveria për transportet rrugore është përcaktuar se fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas përballohen nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit. Masa dhe kriteret dhe procedurat për kompensimin e kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në ligj nuk është përcaktuar se cili është institucioni përgjegjës. Nga njëra anë ministria thotë se institucioni përgjegjës është bashkia, ndërsa në anën tjetër Bashkia e Tiranës i jep të drejtë vetes, duke u shprehur se institucioni përgjegjës është ministria.

    Aktet nënligjore në mungesë

    Në ligjin e vitit 2012 autorizohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore që përcakton masat, kriteret dhe procedurat e kompensimit. Por këto akte që nga ajo kohë nuk kanë dalë nga qeveria e mëparshme, por as me ligjin e ri të ndryshuar, ndaj dy institucionet përplasen me njëra-tjetrën për të ndarë përgjegjësitë.

    Rauning takon PAK, Tafaj: Kushtetuta njeh transportin falas për invalidët

     Presidenti i Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara, Sinan Tafaj, i cili është takuar dhe me përfaqësuesin e OSBE-së në Tiranë Florian Raunig në lidhje me respektimin e të drejtave të kësaj kategorie, tha se kjo është një e drejtë që po cenohet, ndaj kërkoi që invalidët të mos përdoren nga asnjë forcë politike. “Ne jemi konsumatorë, jo palë. Se ç’do bëjë Veliaj, do heqë licencat apo jo, ky është problemi i tyre. Ne kemi një gjë, asnjë fatorino nuk mund t’i ulë ata në tokë, sepse ata janë me një shërbim publik të kontraktuar nga pushteti. Të mos na përdorin neve për qëllimet e tyre politike”, ka thënë Tafaj.

    Shoqata e Transportit: Ne nuk bëjmë politika sociale, të zbatohen ligjet

     Shoqata e Transportit Qytetas bën të ditur se nuk ka bllokuar lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar, por kërkon që kjo kategori ose të paguajë detyrimin, ose të lëvizë falas dhe ministritë e linjës të kryejnë subvencionet. Në një deklaratë për mediat, kreu i shoqatës Fatos Vrapi deklaroi se operatorët privatë nuk bëjnë politika sociale, por ato i bën qeveria. “Sulmohet shoqata dhe operatorët privatë, sikur jemi ne ata që po pengojmë transportin falas të këtyre kategorive. Nuk jemi ne që i kemi bllokuar, ne kërkojmë që ata të zbatojnë ligjin që vetë e bënë. Kjo kategori është e detyruar në bazë të ligjit, kjo kategori, kur merr shërbimin është i detyruar të paguajë paratë e shërbimit, subvencionimin e mbulon qeveria, në bazë të ligjit që ata kanë nxjerrë. Me ligjin e fundit politikën sociale e ka qeveria. ”- deklaroi Vrapi.

    Prej 3 ditësh personat me aftësi të kufizuar paguajnë në linjat e urbanit për transportin e tyre, ndërsa debati mes Shoqatës, Bashkisë dhe Ministrisë vijon prej gati një muaji.