Invalidët, katër muaj pa marrë ndihmën e paaftësisë, në 28 Nëntor protesta masive

    375
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri

    Invalidët në tërë vendin prej më shumë se katër muajsh, nuk po marrin ndihmën e paaftësisë që u takon me ligj. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar në një intervistë për “Telegraf”, ku ka akuzuar drejtpërdrejt Ministrinë e Punës në lidhje me këto vonesa. Sipas zotit Omuri, kjo është e patolerueshme dhe kjo kategori nuk ka para për të ngrënë bukë, ndërkohë që të tjerët do të festojnë, invalidët nëse nuk marrin lekët do të protestojnë në mënyrë masive.

    -Zoti, Omuri çfarë po bëhet më kategorinë e invalidëve që nuk kanë marrë ndihmën e paaftësisë, cilat janë arsyet?

    -Unë së pari ju falënderoj për preokupimin tuaj si media për kategorinë e invalidëve. Unë mund të ju them se ka komuna që nuk e kanë marrë ndihmën e paaftësisë prej katër muajsh. Ndihma e paaftësisë bazohet në bazë të ligjit  9143, datë 16.10.2003, ku invalidët e plotë marrin 3300 lekë nga pushteti vendor dhe invalidët e pjesshëm marrin 2200 lekë. Këto janë të ardhura që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit në Ministrinë e Punës dhe çështjeve  Sociale. Por kemi që nga viti 2009 që Ministria e Punës abuzon me këtë fonde. Në prag të festave ka ndodhur gati çdo vit që dy tre muaj e fundit nuk merren të ardhurat. Pra, në një periudhë ku të gjithë festojnë vetëm invalidët e punës nuk marrin ato pak para që u takojnë që nga 2009. Kam komunikuar me Ministrinë e Punës, ose më saktë jam munduar që të komunikoj nëpërmjet shkresave po bëj gati dy javë apo më shumë. Unë kam komunikuar dhe u kam thënë që kjo kategori nuk ka bukë për të ngrënë dhe në momentin që pjesa tjetër do festojë. Ka pasur  mjaft zona që nuk i kanë marrë lekët. Nëse do të isha unë ministër do të jepja dorëheqjen, pasi kjo është një paturpësi e madhe që të mos u japësh pjesën e parave që u takon këtyre personave me ligj.

    -Çfarë përgjigje keni marrë, kush është shkaku i vërtetë që nuk po u jepen këto para?

    -Është një qëndrim i papërgjegjshëm që mbahen, jo ndaj meje sepse asnjë nuk të pret, por ndaj kësaj shtrese. Unë kujtoj që të gjithë invalidët janë të ndërgjegjësuar për atë që u takon. Justifikimi është që ato thonë që janë futur shumë të rinj. Por kjo nuk është e vërtetë pasi ne kemi shifra që nuk janë shtuar aspak numri i invalidëve, aq më tepër pastaj që janë hequr edhe numri i personave që nuk jetojnë. Kështu që nuk është justifikim ky, as që nuk janë planifikuar në buxhet nuk është e vërtetë. Nuk janë të vërteta që justifikimet e ministrit Ksera dhe mund të them me bindje që kjo qeveri do të ketë një kosto nga kjo kategori vetëm prej këtij ministri. Këtu është një mungesë përgjegjshmërie që ka ministri dhe Ministria e Punës. Unë nuk bëj me faj qeverinë, por unë bëj me faj ministrin që nuk i menaxhon si duhet fondet dhe po abuzon me to. Ai nuk ishte as në zyrë dje kur shkova për ta takuar. Por nuk është problem vetëm i invalidëve të Punës, por janë edhe të verbrit dhe të tjera kategori. Unë i bëj apel zotit Kryeministër që të marrë masa ndaj Ministrisë së Punës, sepse atje nuk ka persona që punojnë dhe që të japin përgjigje.

    -Cilat janë masat që do të merrni nëse nuk do të gjeni zgjidhje?

    -Ne jemi në fazën e diskutimeve dhe do të zhvillojmë një takim me grupin tonë. Por nëse nuk do merren masa në do të dalim të protestojmë në ditën që njerëzit e tjerë do të festojnë në 28 nëntor. Urojmë që mos të shkojë situate këtu. Por nuk mund të festohet 100 vjetori, kur dikush nuk ka bukë të hajë dhe nuk i jepen as ato pak lekë që i takojnë me ligj, për shkak se të një ministri të paaftë. Pra këtu përgjegjësia bie mbi dikasterin e Ministrisë së Punës. Dhe këtu bëhet fjalë vetëm për një ministër dhe ky është ministri Ksera. Deri në vitin 2009 që nuk kishte ardhur ky ministër nuk pati asnjë problem. Ndërsa tani plotë me probleme. Është viti i tretë apo i katërt që kemi probleme. Dhe unë po akuzoj drejtpërdrejt ministrin Ksera dhe ja i gatshëm që të përballem me të në çdo moment. Ai ministër nuk ka zbatuar ligjin. Ne po presim se çfarë po bëhet.

    -Para pak ditësh Ministria e Punës, tentoi të bënte një ligj, ku të bashkonte të gjitha kategoritë bashkë. Çfarë u bë me këtë nismë?

    -Po Ministria e Punës tentoi që të bënte një ligj që nuk ishte aspak i mirë për ne, ai ishte jashtë standardeve kombëtare. Por unë dua që të falënderoj Parlamentin që ratifikoi konventën e OKB-së, për invalidët dhe ku kjo konventë e hedh pishtë atë që deshi që të bënte Ministria e Punës. Ky ishte një diskriminim i madh, por dhe mosdhënia e lekëve është një diskriminim.