Invalidët dhe të verbrit dy muaj pa marrë ndihmën sociale

    542
    Shpërndarja e pagesës sociale për invalidët e punës dhe të verbrit prej kohësh është kthyer në problem për shkak të vonesave. Me gjithë apelin drejtuar disa herë institucioneve dhe organeve kompetente, deri tani nuk është bërë asgjë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Prej më shumë se dy muaj personat me aftësi të kufizuara nuk po marrin ndihmën sociale që u takon, duke ua vështirësuar në këtë mënyrë edhe më tepër jetesën. Ata shprehen se kanë dy muaj që sorollaten në bankë apo zyrat e institucioneve por nuk kanë gjetur zgjidhje.“Ne na kanë shkelur të drejtën e invalidit në të gjitha llojet e pikëpamjeve duke mos na dhënë paratë me të cilat marrim ilaçet, rrisim fëmijët”. Deri tani bëhet e ditur se institucionet e varura nga qeveria dhe as bashkia nuk u kanë dhënë paratë që u takojnë kësaj kategorie. 

    Invalidët dhe të verbrit, ilaçe me listë në farmaci 

    Ndërsa disa familjarët të cilët shoqërojnë dhe kujdesen për këtë shtresë me aftësi të kufizuara theksojnë se e kanë të pamundur që të vazhdojnë me këtë situatë, pasi ndihma sociale është i vetmi burim jetese për këto familje, kjo për shkak se nuk mund të punësohen diku, sepse duhet të kujdesen për invalidët. Ata gjithashtu thonë se kanë muaj që për shkak të këtyre vonesave detyrohen të marrin me listë në farmacitë e qyteteve të ndryshme. Lidhur me problemet dhe vështirësitë e shumta me të cilat po hasen personat me aftësi të kufizuara për shkak të mos marrjes në kohë të ndihmës sociale, ata paralajmërojnë protestë deri në grevë urie. Ata thonë se ndihen të diskriminuar dhe të braktisur nga qeveria, pasi disa herë kanë drejtuar apel për marrjen e masave në parandalimin e këtij fenomeni, ndërsa situata sa vjen e ndërlikohet më shumë duke vonuar shpërndarjen e pagesës sociale. “Do të nisim protestat dhe nuk do mbarojnë derisa çështja jonë të zgjidhet. Duhet që të na i japin paratë në afatin e caktuar. Ne jemi shtresa më e diskriminuar dhe institucionet po na shkelin me këmbë, do të protestojmë për këto padrejtësi” – shprehet një invalid. “Paratë përderisa nuk po i marrim dhe kërkesat tona nuk merren parasysh edhe pse jemi ankuar shpeshherë atëherë do të bëjmë protesta të gjithë të bashkuar, sepse nuk po na lënë rrugëzgjidhje tjetër. E quaj të turpshme që invalidët të protestojnë se nuk marrin pagën sociale që na takon. Nuk po mendon askush për ne dhe s’do ta lejojmë këtë situatë”-nënvizon një tjetër invalid pune. Invalidët dhe të verbrit në mbarë vendin kanë reaguar disa herë publikisht për këto probleme, por duket se zëri i tyre nuk është dëgjuar, çka i ka detyruar të paralajmërojnë dhe kërcënojnë me protesta deri në grevë urie. 
    Sigal