Sigal

Kryeministri Rama është i interesuar për ndërtimin e kullave

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “Telegraf”

Prof. Bamir Topi, ish-Presidenti i Shqipërisë në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se koncesionet e qeverisë së Rilindjes janë ana më e errët e kësaj qeverie. Prof. Topi shpreh bindjen se pa u zgjidhur çështja e pronave, Shqipëria nuk mund të futet në Bashkimin Evropian. Prof. Topi, e thotë hapur, se investimet e mëdha të interesave të kullave që ndërtohen në Tiranë, kanë lidhje vetëm me vendimmarrjen e kryeministrit Rama.

– Zoti President Topi, deri tani nga qeveria e Rilindjes Socialiste janë dhënë deri tani 2400 koncesione. Cili është mendimi juaj?

– Është ana më e errët e një qeverisje, nuk mjafton të thuash shiko. Ju po e kritikoni, është hera e parë që unë e them këtë, sepse nuk jam në parlament. Ana më e errët sigurisht, nuk jam kundër koncesioneve, në parim koncesionet mund të jepen, por është elementi që kërkon transparencën maksimale, sepse sot ata që marrin koncesione janë vetëm një grup njerëzish, janë bërë këta njerëz më të fuqishëm sesa njerëzit që janë në qeveri sot. Pse? Sepse marrin koncesione marrin tenderë, forcojnë ekonominë e tyre dhe sigurisht ekonomia dhe ecuria e standardit të tyre anatemohet dhe flitet shumë që janë lidhje të shkurtra me kryeministrin; dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të bënte një transparencë të plotë. Pra, unë besoj që është momenti që askush nuk duhet të ketë iluzionin, që gjërat mund të kalojnë në Shqipëri pa u marrë vesh, merren vesh, sepse jemi një vend i vogël e dihet kush e ngriti një pallat, dihet kush e ngriti një resort, dihet kush e mori një biznes, dihet se në ç’kushte trajtohen këto biznese. Sot kritika më e ashpër që mund të vijë për pasuritë që ka Shqipëria sot, ku janë këto pasuri, kush i shfrytëzon, sepse ka një gjë ta shfrytëzosh dhe ta shfrytëzosh në mënyrë normale do të thotë që po e shfrytëzon natyrisht për veten, për biznesin tënd, por nuk e shkatërron. Sot mua më rezulton që shfrytëzohen pasuritë shkatërrohen dhe lihen të tilla. Ndërkohë, që sot paradoksi më i madh është vendet që kanë pasuritë më të mëdha nëntokësore, janë komunitete më të varfra, ke në Bulqizë, ke në zonën naftëmbajtëse të hidrokarbureve, njerëz që jo vetëm që ata që i shfrytëzojnë këto pasuri, por nuk po bëjnë asgjë për komunitetin, madje u kanë shkatërruar shtëpitë, i kanë lënë që t’i zënë gurët e mineraleve, i kanë lënë fëmijët pa baballarë e pa nënë.

– Pse prona në Shqipëri mbetet ende le të themi pa zgjidhje?

– Sepse çdo qeveri e radhës kërkon që të grabisë atë pronën që ka mbetur. Unë jam shprehur pafundësisht për historinë e pronës, kam studiuar arshivat dhe kam parë se si ka qenë e strukturuar prona në Shqipëri. Janë të gjitha dhe jam i bindur që edhe që janë në qeveri, që merren me reformën e pronës, po t’i pyesësh sot nuk kanë njohuritë bazale për të ditur si ka qenë prona në Shqipëri, por unë një gjë di ta them me siguri. Kjo është një shprehje që mund të konsiderohet shumë e forte, por jam i bindur që do të jetë kështu. Bashkimi Evropian nuk është thjesht një nocion politik dhe institucional, Bashkimi Evropian është treg dhe ta harrojë cilido politikan, cilido atij që mund t’i duket vetja se ka njohuri për gjithçka, ti zotëri nuk e fut dot këtë vend në Bashkimin Evropian pa zgjidhur çështjen e pronës. Sepse të zgjidhësh çështjen e pronës do të thotë që ti ta kesh futur pronën e Shqipërisë në tregun evropian dhe nuk ka budallenj Evropa që të vijnë këtu të investojnë, duke qenë të pasigurt për një çështje që është themelore në qytetërimin modern.

– Si një pinjoll i një familjeje tradicionale Tiranase, si një Tiranas i lindur dhe i rritur në qytetin e Tiranës, si do iu duket Tirana sot ose Tirana e kullave?

– Unë kam arritur të ndaj qartë një handikap në kompetencën për dhënien e këtyre kullave që vijnë në një terren jo natyral është pikërisht kompetenca ekskluzive që ka kryeministri për Tiranën. Pra, nuk kemi një Tiranë. Tirana duket që ka një status të veçantë, shërbimin publik ia kalon bashkisë, ndërsa kur vjen puna për influencën të drejtpërdrejtë për ndërtimin e kullave këtë e ka kompetencë ekskluzive kryeministri.

– Sipas jush pse?

– Sepse kryeministri është i lidhur drejt për drejt me interesat për ta shfrytëzuar deri në qelizë hapësirën e kryeqytetit dhe të zonave që kanë atraksion turistik. Dalim edhe një herë tek biseda që patëm në hyrje të intervistës sonë, është dëshira për tu kthyer në një omnipotence, ku gjithçka të ketë vulën e kryeministrit.

– Po ajo , justifikimi që kanë thënë, ose pretendimi, që nuk kemi tokë, por duhet të ecim në ajër lart ?

– Kjo është për të mbuluar disa defekte të rënda, që kanë qeverisjet këtu, hapësira e Tiranës me të gjithë kodrat dhe me shtrirjen e saj drejt Vorës, ju siguroj që, unë që kam jetuar në Romë, e cila ka ngjashmëri në konfigurim, madje Tirana është më e bukur, sepse ka malin; ata kanë një kodër në formën e një mali të ulët, por që janë afër detit njësoj sa është Tirana me Durrësin. Kjo ka një hapësirë, sipas meje, të mjaftueshme për t’u mbajtur brenda, ka një kapacitet për të mbajtur brënda dhe 3 milion njerëz, problemi është pse njerëzit në Tiranë shkojnë dhe koncentrohen nëpër pika të veçanta, ka qenë pa aftësia e qeverive për të zhvilluar infrastrukturën periferike, sepse më thoni; a ka gjë për mentalitetin që ka sot Evropa dhe bota, njerëzit që kanë mundësi shkojnë dhe jetojnë në periferi dhe jetojnë në qendër vetëm për kohën e punës. Këtu ndodh e kundërta, këtu kërkojnë, madje po i bëhet një dëm i jashtëzakonshëm, duke i përqendruar njerëzit vetëm në kulla dhe për të kthyer qendrën e Tiranës në një fjetore të madhe.

– Kohët e fundit Tirana ka marrë shumë çmime nga shumë institucione ndërkombëtare si një nga qytetet më të pastra dhe më të gjelbëruara në botë, besoj e kuptoni ironinë ?!

– Unë e vlerësoj për hir të së vërtetës, nuk po kursej asgjë, por shoh një përpjekje për aq mundësi sa ka kryetari aktual i bashkisë, që të bëjë diçka, që se kanë bërë të tjerët. Të mbjellë, së paku të mbjellë dhe unë gjelbërimin e Tiranës e shoh si një mekanizëm kompensues për të gjitha ato dëme të mëdha, që i janë bërë Tiranës gjatë viteve. Nuk mendoj që e ka fuqinë një kryetar bashkie që të kundërshtojë interesat që sot ka kryeministri për të ndërtuar kulla për më tepër që, marrëdhëniet e tyre janë marrëdhënie varësie politike. Pra, në rast se ka një tentativë për ta rregulluar një mjedis të caktuar këto janë për tu përgëzuar, por fuqia e bashkisë në raport me qeverinë, për më tepër kur vetë kryeministri aktual, ka qenë 11 vjet kryetar bashkie dhe kërkon të realizojë disa projekte, që ai i ka lënë përgjysmë, që opozita atëherë apo qeveria nuk ja dhanë mundësinë unë besoj që gjithçka që ndodh me investimet e mëdha të interesave të kullave ka lidhje me vendimmarrjen vetëm të kryeministrit.

– E fundit, Tirana u kthye prapë, pra klubi i Tiranës në superiore, cilat janë ndjenjat tuaja?

– Sigurisht e vetmja gjë për të cilën kam qenë dakord me këta drejtuesit e klubit që nuk e kanë festuar kthimin në kategorinë superiore, sepse ishte detyrim dhe patjetër që mua, jo vetëm që më vjen mirë për ekipin tim të zemrës, por edhe për vetë kampionatin, sepse do të fitojë ato vlerat e humbura të munguara të rivalitetit, të derbit të kryeqytetit të rikthimit të një klubi të vjetër në kompeticionin e superiores, dhe tek e fundit unë besoj që nuk ma keqkupton askush, që ka ardhur nga krahinat e tjera të Shqipërisë,që ka qenë gjithmonë i mirëpritur për të ardhur në Tiranë. E vetmja gjë që i kishin mbetur këtij qyteti, për sa i përket vlerave të historisë dhe autoktonisë, pasi të gjitha janë prishur e janë shkatërruar, kishte mbetur vetëm klubi i futbollit dhe në momentin që ekipi i Tiranës shkoi në kategorinë inferiore, unë mendova që humbi për fat të mirë vetëm për një vit, të vetmen pjesë identitare që i kishte mbetur këtij qyteti. Sigurisht që i kanë mbetur edhe 2 gjëra të tjera, i ka mbetur sahati dhe xhamia e Et’hem Beut, por ato janë vlera emblematike, që unë kam bindjen që nuk kanë ç’t’i bëjnë se edhe aty do të kishin ngritur ndonjë kullë 50-katëshe.