INTERVISTA/ Flet Dashamir Shehi: Qeverisja sot është më e keqe, qeveritarët janë bërë pis nga pushteti

438
Jakup B. GJOÇA

Rama sot është më i keq, është bërë më pis nga pushteti
Nëse në Shqipëri kanë mbetur akoma syleshë, që nuk e kuptojnë që Rama e mbolli me drogë Shqipërinë, dhe krimi ka mbërritur në këto nivele rekord, pikërisht sepse gjeti një qeveri të tillë aleate të përzier me krimin, atëherë, hallall i qoftë zotit Rama!
Dash Shehi, deputet dhe kryetar i LZHK-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se nuk ka më sylesh, që të mos shikojnë se Rama e mbolli Shqipërinë me hashash. Sipas zotit Shehi, Evropa e ka kuptuar që qeveritë e korruptuara kontrollohen më mirë brenda Evropës, prandaj edhe hapja e negociatave do të thotë, që në Shqipëri të kemi prezencën e gjykatësve, prokurorëve, ligjvënësve evropianë. 
-Zoti Shehi, derisa kryeministri Rama i zgjat dorën Opozitës, për bashkëpunim, vallë a u ndërgjegjësua, për të mirën e negociatave?!
– Unë gjykoj se është një nga truket normale të zotit Rama. Sa herë ka të huajt nëpër këmbë në Tiranë, bën sikur ndihmon opozitën, për të thënë se do t’i ndajë sukseset me opozitën.

– Nuk besoni në asnjë qasje?
– Në fakt, është krejt e kundërta. Kryeministër më keqdashës ndaj opozitës nuk ka pasur ndonjëherë Shqipëria, që hap e mbyll fjalimet e veta vetëm për t’u tallur me opozitën, për të poshtëruar, ofenduar, për të gënjyer opozitën,. Është një teatër tashmë absurd dhe banal. Ne nuk kemi nevojë për dorën e zotit Rama, ai le të bëjë punët e shtetit që i takojnë, sepse nuk po i bën: Të futë kriminelët dhe hajdutët në burg, sepse i ka rrotull vetes.

– Opozita a e ka bërë punën e vet?
– Ne, si opozitë, e kemi bërë punën tonë, kemi denoncuar vazhdimisht krimin dhe korrupsionin qeveritar, me shpresë se kjo do të ndikojë në integrimin e Shqipërisë në Evropë. 

– Po maxhoranca, a i ka kryer detyrimet?
– Është e vërtetë që BE-ja ka pranuar shtete të tjera, që nuk kanë pasur cilësi të demokracisë, por kanë qenë rrethana të tjera historike. Edhe tani, rekomandimi për Shqipërinë, është mbyllje syri e BE-së ndaj Shqipërisë, Maqedonisë, Ballkanit Perëndimor që, edhe pse nuk i përmbushim detyrimet, d m th është krejt e kundërta, nga ajo që thotë Rama. Sjellja dashamirëse e BE-së synon që të na japë një shpresë, sidomos pas daljes së Britanisë nga BE-ja. Shpresoj, që kjo politikë e re e BE-së të na shpëtojë nga izolimi politik, ku na futi Rama.

– A ka ndonjë mundësi politike, që kryeministri Rama ta përdorë hapjen e negociatave, si alibi ndaj akuzave që i bën Opozita për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin?
– Jo, edhe sikur të dojë ta përdorë, nuk do të mundet, se edhe kur të hapen negociatat, kushtëzimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit do rritet, sepse do të rritet edhe vëzhgimi evropian. Nëse në Shqipëri kanë mbetur akoma syleshë, që nuk e kuptojnë që Rama e mbolli me drogë Shqipërinë, dhe krimi ka mbërritur në këto nivele rekord, pikërisht, sepse gjeti një qeveri të tillë aleate të përzier me krimin, atëherë, hallall i qoftë zotit Rama, por unë besoj që shumica e shqiptarëve tashmë e kanë kuptuar, që shpëtimi vjen nga Evropa e jo nga Rama.

– Doni të thoni, se Evropa na hap negociatat me vendim politik?
– Ne pa Evropën, nuk mund të bëhemi kurrë shtet demokratik, dhe Evropa e ka kuptuar që ne i kushtojmë shumë më tepër, duke qenë jashtë saj, sesa duke qenë pjesë e oborrit evropian. Natyrisht, ne do jemi pjesa më e vështirë e BE-së, pjesa që ka ferra, e kjo do na ndihmojë shumë të vetë-pastrohemi. Evropa është si tenda që e mban hardhinë, ndryshe, do ishim poshtë, dhe rrushi nuk rritet shtrirë në tokë. 

– Ju si e kuptuat akuzën e Ramës, se në Gjermani ka politikanë, të lidhur me PD-në, që nuk e duan hapjen e negociatave me Shqipërinë?
– Rama do të përgojojë, siç përgojon deri tani, në kërkim të alibisë. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Gjermanisë për Punët e Jashtme, shfaq shqetësimet e veta për situatën në Shqipëri, dhe ky mendon se kjo është çështje perceptimesh personale. Mirëpo Evropa nuk ka perceptime personale. Unë mendoj se Rama e ka tepruar me prezencën e një shoqërie të kriminalizuar dhe Evropa e ka kuptuar që duhet t’i vërë një fre Ramës dhe kësaj qeverie arrogante dhe injorante. Dhe Evropa është e bindur tashmë që për t’i bërë zap këto qeveri është që vendet e tyre të jenë brenda BE-së dhe duhet të zgjerojë edhe hapësirat evropiane në Ballkan dhe ne jemi hapësirë evropiane. 

– Çfarë konceptoni ju, me kohën që i jep opozita deri në qershor kësaj qeverie të Ramës?
– Të japë shenja të dukshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. E para, duhet që ish-ministri i Brendshëm dhe drejtorët e policisë, që ishin trafikantë hashashi, t’i jepen drejtësisë. Inceneratorët dhe PPP-të që jepen në mënyrë abuzive, që faktikisht janë grabitje ndaj financave publike t’u jepet fund të kalojnë në një sitë financiare. Nuk mund të vazhdojmë me deklaratat e Xhafës, që thotë vazhdimisht, që kemi 40 banda, kemi 7 grupe kriminale, dhe nuk kemi asnjë arrestim të rëndësishëm. Tani në Shqipëri ka më shumë kokainë, se sa miell. 

– Zoti Shehi, sa ligjore është që koncesionet të jepen afatgjatë, 30 vite nga një qeveri 4 vjeçare dhe me VKM?
– Kjo është shkelje absurde e ligjit, por megjithatë, kjo qeveri ka gjetur edhe një shteg tjetër. I bie në parlament disa herë koncesionet, që fajin ta bëjë kolektiv, sepse ky në parlament ka shumicën. Turpi do t’u mbetet edhe socialistëve që mbyllin sytë për shkeljet e ligjit, vetëm për hir të partisë, nga frika e karriges së deputetit, sepse shumica e deputetëve janë biznesmenë e kanë frikë për bizneset e tyre, ata sigurisht mendojnë se erdhën në parlament për të mbrojtur paratë e tyre. 

– Ka reflektuar Rama si kryeministër nga Rama kryetar i PS në 2012, kur bllokoi 3 ligjet dhe pengoi marrjen e Statusit kandidat?
– Unë them që nuk ka reflektuar fare. Është po i njëjti hipokrit, i cili po gënjen pa pikë turpi. Dëshira e Edi Ramës është pushteti, nuk është Evropa. Ai për pushtetin e vet, i vë flakën edhe Evropës. Në 2012-n për një çështje të parëndësishme, tensionoi situatën, që t’i hiqte qeverisë një shkak krenarie, po dëmtoi shqiptarët. Unë mendoj që nuk do ndikojë fare hapja e negociatave në qershor me situatën politike që do jetë në tetor. Shqiptarët do ta kuptojnë se nuk ka meritë Rama në hapjen e negociatave, përfitim material nuk ka, perceptimi afatgjatë është shtet-formues. Rama sot është bërë më i keq, është bërë më pis nga pushteti. Nuk shoh ndonjë ndryshim, përveç përkeqësimit të situatës. I vetmi ndryshim afatgjatë, që unë kam shpresë, është prezenca, shpresoj definitive në qershor, e marrëveshjen me Evropën për t’u integruar, sigurisht, dalëngadalë. Prezenca e Evropës, e juristëve të Evropës, e gjykatësve, e prokurorëve, e ligjvënësve të Evropës, e marrëdhënieve ekonomike me Shqipërinë, e bankave të Evropës, që do kontrollojnë financat tona të çoroditura, këto janë shpresa për Shqipërinë. 

– Zonja Vllahutin dëftoi ftohje dhe shpërfillje ndaj Bashës në takimin me Vllahutin në Rinas. Si e deshifroni ju këtë sjellje të ambasadores së BE në Tiranë?
– Nuk e di. Raporti i Shqipërisë me Brukselin është raport institucional, nuk mund të prishet nga një person, nga marrëdhënie të veçanta. Unë gjykoj që me Vllahutin, pa Vllahutin, Shqipëria do të integrohet dalë ngadalë. Kjo qeveri nuk mund të livadhisë më, siç ka bërë deri më sot. Vendet evropiane ndjekin linja serioze. Nëse ndonjë bën propagandë, se përfiton nga një individ, kjo është situatë shumë e përkohshme. 
Sigal