Intervista e deputetes së LSI-së, znj. Monika Kryemadhi për emisionin “Kjo javë” në televizionin “News 24”

    120
    Flasim për deklaratat më të fundit. Në fakt ju jeni në krye të edicioneve informative. Ju keni qenë dje në Rrajcë të Prrenjasit dhe keni thënë se gjendja është e mjerueshme, që njerëzit nuk kanë ujë 24 orë, ndërkohë politika merret me pseudoreforma. Pse pseudoreforma?
    Në fakt, unë kam një periudhë kohe që jam e deleguar për tre qarqe: për qarkun e Tiranës, Lezhës dhe Elbasanit. Meqënëse Tirana dhe Lezha janë qarqe që i njoh shumë mirë dhe një nga qarqet që e njoh më pak është Elbasani, unë jam fokusuar aty. Po e ndjek dhe po e shkel hap pas hapi. 
    Dje isha në Rrajcë. Kam qenë edhe në zona të tjera të qarkut të Elbasanit. Kjo është e vërtetë. Kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit është Miranda Rira, ish-kolegia ime në Parlament, mikja ime. Ajo është nënë me fëmijë, që jeton tashmë në Prrenjas, pasi jetonte më parë në Tiranë dhe një nga problemet më të mëdha që ndjen është mungesa e investimeve. Faktikisht, po ta shikosh Prrenjasi është nje bashki fundore, një xhep. Është rrugës kur ti shkon për Pogradec ose për Korçë. Korça dhe Pogradeci janë qytete turistike, të frekuentuara dhe kanë një lloj mendësie të levizjes, të biznesit apo të ekonomisë, të njerëzve. Prrenjasi është një bashki vetëm kalimtare. Ti e shikon dhe nëse është pamje e bukur, mund ta kthesh kokën e të ndalosh pesë minuta. Nëse s’të pëlqen, kur sheh repartet ose kapanonet e hekurudhave të rrënuara, jo vetëm që nuk e kthen, por mund të të zërë gjumi, sepse s’do të shikosh një pamje të shëmtuar. Ne ishim në Rrajcë, kaluam bashkë në Sutaj të komunës Rrajcë. Rruga ishte shumë e keqe. Diskutohej çështja e ujit të pijshëm, që ata kishin me vite të tëra. Ndërkohe atje kishin burime ujore shumë të mira, që mund të ishin edhe me rënie të lire, por që nuk është mundësia e prodhimit të energjisë elektrike. 
    Nuk mund ta mohoj dot që zonat rurale apo zonat malore janë të varfra. Nëqoftëse nuk do e thoja këtë, jo vetëm që s’jam realiste, por jam edhe gënjeshtare. Për këtë rast nuk e vë në dyshim e as nuk kompleksohem për të thënë që ajo që ndodh dhe që është e vërtetë, është e vërtetë. 
    Ndërsa, sa u përket pseudoreformave, ndjej sikur ne politikisht bëjmë një gabim që fokusohemi vetë te reformat. Bëjmë shumë mirë, por reformat duhet të japin produktivitet. Faktikisht reformat tona kanë pasur anë të mira, nuk mund të themi që s’kanë pasur. Janë sistemuar disa gjëra. Në momente të caktuara, nga individë të caktuar, ato pastaj kthehen në pseudoreforma. Pse? Dua ta krahasoj me filmin “Përrallë nga e kaluara”, në të cilin ndryshe ishte ligji mbi kokën e një personazhi e ndryshe mbi kokën e personazhit tjetrit. Varet se si e përdor Maliqi ligjin. Unë nuk kompleksohem për ta thënë këtë gjë. Është e vërtetë. Kush pretendon se ne jetojmë në një parajsë është ose demagogji, ose nuk është normal. 
    Megjithatë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i z. Balla. I quan këto si reagimet e një opozitareje, që nuk bën vetëm opozitë me Partinë Socialiste, por edhe opozitë me partinë që përfaqëson. Çfarë komenti keni për këtë?
    E para, mendimet alternative nuk janë të gabuara. E dyta, aq më shumë mendimet opozitare nuk mund t’i quash as armiqësore, as sabotatore. Tjetra që dua të them është se ne jemi miq, pavarësisht pozicioneve. Me Taulantin jam mike më shumë nga sa mund të jem me kolegë të tjerë në Parlament. 
    Megjithatë, theksoj edhe një herë, pavarësisht nga kjo unë prapë i qëndroj deklaratave të mia. Nuk ka rëndësi kush e drejton institucionin. E rëndësishme është që sa ky institucion jep. Kjo vlen si për ujësjellësin, si për bujqësinë, si për rrugën, si për shëndetësinë, si për arsimin, si për funksionimin e gjërave të tjera.
    Ju e quani deklaratë të sinqertë këtë të z. Balla? Apo paksa ironike?
    Unë nuk mendoj se si mund ta ketë z. Balla. Unë di të them që Partia Socialiste është një parti e cila e ka pasur oponencën pjesë të vetes së saj. Edhe ne nga Partia Socialiste kemi dalë, si pjesa më e madhe e LSI. Një parti tolerante, me mendime të kundërta, nuk besoj e kanë problem mendimin alternativ. Pastaj, nëse e kanë problem ka për t’u parë përsa i përket demokracisë brenda vetes së saj. Nëse në një parti nuk ka mendime të ndryshme, dhe une mendoj që PS i ka mendimet e ndryshme brenda vetes, do të jetë fatkeqe nëse kërkon që të mos ketë mendime ndryshe brenda koalicionit. 
    A po e bën LSI opozitën parlamentare në vend të opozitës që mungon dhe është në çadër?
    Unë nuk dua të flas sa u përket pozicioneve të LSI-së. Une nuk mendoj që meqënëse ne kemi një mendim ndryshe kjo është opozitë. Nuk ka asgjë të gabuar t’i thuash gjërat siç janë. Ndoshta ndonjëherë kjo demagogjia apo populizmi na kanë marrë më qafë dhe na kanë lënë pak të prapambetur.
    Të mendosh që kur e kemi nisur procesin e integrimit evropian, e kemi nisur bashkë me Kroacinë, ndërsa sot Kroacia ka ecur shumë më përpara se ne dhe ne jemi shumë më prapa. Akoma merremi me procedura të cilat janë shumë të vonuara. Nganjëherë, kjo mënyra e të bërit politikë na ka lënë kaq prapa. Do thoni ju; Po ju s’jeni pjesëtare e kësaj? Sigurisht që jam. Nuk mund të them që jam e larë dhe e kulluar e të tjeret janë të ngatërruar. Fundja ky është ambienti dhe këtë ofrojmë. Ndaj edhe unë them se sa më shumë të fokusohemi te problematikat dhe te njerëzit, aq më shumë do i largohemi demagogjisë dhe populizmit. Demagogjia dhe populizmi mbjellin varfëri. Ne vazhdojmë ende të diskutojmë minimumin jetik. 
    Është përcaktuar kandidatura juaj në Elbasan?
    Ka një problem me gazetarët sepse gjithmonë kërkojnë ushqim për të mbajtur mediat dhe është normale sepse duan informacion. Unë në fakt drejtoj tre grupe pune, përsa i përket organizimit dhe problematikave të zonave të caktuara. Po merrem pak më shumë me Elbasanin, sepse është një qark që unë nuk e njoh si njoh Lezhën dhe si njoh Tiranën. 
    Ashtu si edhe njerëzve u bën pershtypje kur unë flas për problematikat, siç flas sot për Prrenjasin mund të flas për Elbasanin, Cërrikun, për bashkinë e Gramshit, që është më keq se Prrenjasi. Në Gramsh është shembur pallati dhe kryetarja e bashkisë nuk del nga zyra që të shkojë të takojë njerëzit. Apo probleme të tjera nga më të ndryshmet, që nuk u ofrohet njerëzve asnjë lloj mundësie, që nuk lëvizet për t’u bërë diçka në funksion të qytetarëve, apo të gjithë komunitetit. Listat e deputetëve ngelen për në fund. Gjithnjë levizin sipas konjukturave politike, apo edhe sipas angazhimeve të asaj ccfarë personi përfaqëson në terren. 
    Ju ku do të dëshironit?
    Të them të drejtën nuk do të ma kishte qejfi të kandidoja. Do kisha shumë dëshirë që të isha një shefe fushate. Do të doja që listat e LSI-së të ishin të mbushura plot me djem dhe vajza të reja, me mentalitet të ri, me njerëz të rinj, me dëshira të reja, me ëndrra dhe shpresa për ta bërë këtë vend. 
    Po thoni që do kandidoni kundër dëshirës?
    Jo kundër dëshirës. Do të doja në një farë mënyre të rehatohesha. Do të dëshiroja që t’u krijoja mundësinë disa të tjerëve, por akoma mendoj që është e nevojshme, sepse une kam detyrime ndaj njerëzve, të cilët kanë votuar Monikën këto dymbëdhjetë vjet dhe detyrimet e mia akoma nuk kanë mbaruar ndaj atyre njerëzve, të cilet më kanë ndjekur hap pas hapi. Jo për t’i shpërblyer në punë, por për t’i shpërblyer me premtimet që ne u kemi dhënë. 
    Kemi misionin tonë për ta çuar deri në fund. Në përgjithësi njerëzit e quajnë të qenurit deputet si një privilegj. Për disa mund të jetë privilegj, ndërsa për disa të tjerë që e marrin me përgjegjësi nuk është një privilegj. 
    Të përballesh me problematika nga më të ndryshmet të vendos në pozicion shumë të vështirë, jo vetëm me kolegët e tu, por të vendos në pozitë shumë të vështirë edhe me veten tënde në momente të caktuara. Në Elbasan, me shumë gjasë do të ndiqeni nga një tjetër zonjë, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli. Si do e komentonit këtë përballje? 
    Për sa u përket proceseve zgjedhore, nuk më interesojnë personat që janë përballë. Jam gjithmonë duke trokitur në dyert e njerëzve që duhet të shkojnë të votojnë. Ti konkuron me programin, konkuron me mënyrën e punës tënde në terren, që është shumë e rëndësishme, konkuron me atë çfarë përfaqëson. Konkuron me njerëzit që ke nga pas. Mund të jesh njeri shumë i mirë, por njerëzit që ke pas nuk të përfaqësojnë denjësisht. Mund të jesh njeri anonim, por njerëzit që ke pas mund të të japin fuqi dhe forcë. Njerëzit jane politizuar. Janë të përqëndruar cfarë përfaqëson partia politike, simboli, dhe nuk janë fokusuar fare te individi dhe te ai që përfaqëson hallet dhe problemet e tyre. Gjë që, po ta shohësh te procesi zgjedhor që kemi diskutuar ne, procesi, ashtu si është ndertar bën që listat e deputetëve kanë mbetur në duart e kryetarëve. Në fund të ditës vendos kryetari i partisë nëse ti do të jesh ose jo në listë.
    Mendim personal nuk më dhatë për znj. Kodheli?
    E kam mike. Është shumë e mirë. Kemi qenë dy herë bashkë në fushatë. Kemi qenë në fushatën e 2013-s dhe nuk jemi takuar fare. Jemi takuar vetëm një herë për sa i përket bashkëpunimit të komisionerëve në numërim, gjë që duhej, për te mos ndodhur ajo çfarë ndodhi në 4-5 qendrat e fundit të një KZAZ-je dhe tjetra ka qenë në zgjedhjet lokale ku kemi hyrë me kandidaturë të përbashkët, sa i përket kandidatit të bashkisë së Lezhës e ku bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë. Tjetër gjë sa produktiv jemi. 
    Po vjen 1 prilli. Shënohet 4 vjet koalicion. Çfarë bilanci i bëni koalicionit PS-LSI? Nuk e shoh negativ që të jem e sinqertë. Do të quhesha nihiliste përndryshe. Nuk mund të kalkuloj shumë gjëra, sepse ka edhe probleme. Ne, përgjithësisht sukseset nuk i shikojmë, por gabimet po. Dhe fundja e kemi për detyrë këtë. Doja të thoja disa gjëra përsa i përket koalicionit. Pavarësisht pozicionimeve, deklaratave, LSI ka qenë prezente në cdo problematikë dhe e ka ngritur zërin. Koalicioni nuk është thjesht “yes man”. E kemi bërë herë pas here. E kemi dhënë votën, pavarësisht që mund të kemi pasur argumentet tona kundër projektligjeve nga më të ndryshme, për të cilat kemi dhënë argumentet tona dhe votat tona të kushtezuara. Pra, nese e kemi dhënë votën për ligjin e arsimit të lartë, e kemi dhënë me kusht që menjëherë pas miratimit të reformës së arsimit të lartë të miratoheshin aktet nënligjore. Edhe sot e kësaj dite, asnjë nga aktet nënligjore nuk është miratuar.
    Nuk kam qenë pjesë e as qeverisjes e as së bërjes së marrëveshjes së LSI-së. Nuk kam qenë unë përfaqësuese e LSI-së, Petrit Vasili, Luan Rama, Edmon Haxhinasto dhe unë gjithmonë e kam parë si një nga 20 deputetët e LSI-së të cilët kanë rakorduar dhe kanë vazhduar që kanë marrë formimet drejtuese të LSI.
    Sipas jush ku ka gabuar LSI?
    Unë nuk e shoh që ka gabuar politikisht. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka vijën e saj në shërbim të qytetarëve, në shërbim të njerëzve. Kjo është një vijë shumë e qartë, sepse njerëzit janë shumë të lodhur nga politika, nga retorika politike pa fund, nga deklarata politike që u lodhëm dhe ne politikanët që po i dëgjojmë saqë po ndiejmë dhe neveri nga vetja jonë, që dëgjojmë fjalë, fjalë, fjalë pa fund dhe në fund të ditës rezultati është zero. Sepse në fund të ditës çdo njeri shikon nëse ka para, nëse ka marrë rrogë, nëse ka para për të paguar dritat, ujin, shkollën e fëmijëve, librat e shumë gjëra të tjera me radhë, jo më pastaj për vazhdimin normal të jetës ose për rritjen e standardit të jetesës. Unë e shikoj LSI-në konsistente dhe koherente në të gjitha qëndrimet e saj.
    Sigurisht, ne nuk premtuam 300 mijë vende pune, por premtuam për aq sa kishim mundësi dhe unë uroj që deri në ditën e zgjedhjeve t’i kemi bërë këto 300 mijë vende pune. Edhe po s’i bëmë nuk ka asnjë gjë të keqe, sepse njerëzve do t’u thuhet se ne kishim këtë plan, por nuk arritëm ta bënim. Unë jam partizane që duhet ta pranosh gabimin, nuk ka asgjë të keqe ta pranosh gabimin s’e nëse e pranon nuk do ta bësh më.
    Po vjen 18 qershori, zgjedhjet janë në prag. Janë shumë të paqarta koalicionet. Opozita thotë se nuk shkon në zgjedhje më 18 qershor. Kryeministri thotë se do të shkohet në zgjedhje edhe pa opozitën. Vetë z. Meta thotë se nuk ka kuptim të shkohet në zgjedhje pa opozitën. Si mendoni se do të jetë 18 qershori nëse do të ketë një 18 qershor?
    Në fakt ne flasim shumë për koalicionet, por koalicionet janë thjeshtë formula matematikore, ku bishtat e deputetëve që u ngelen nga partitë e vogla u bashkohen partisë së radhës, që mund të jetë e para e dyta apo e treta.
    Pra, koalicioni nuk është se shpreh besim politik. Aktualisht kemi deputetë që janë në listat e partive politike dhe sot nuk janë pjesë e atyre partive, por kanë kaluar në parti të tjera. Për mua është e rëndësishme pozicionimi i partive politike në programet e tyre dhe në realizimin e premtimeve të tyre, përballja që do të kenë partitë politike me qytetarët. Për mua ky është koalicioni më i madh. Koalicioni më i madh për mua është se partitë politike, të majta apo të djathë, do të përballen me votuesin. Po të marrim ta zbërthejmë matematikisht, koalicioni është votat e partive të vogla i kalojnë deputetit tjetër. Sepse ne kemi bërë një ligj, kemi bërë një Kod Zgjedhor, ku i detyrojmë të gjithë njerëzit që të futen ose te thesi i bardhë ose te thesi i zi dhe pastaj aty t’i kapërdinin si duam gjërat. Megjithatë, kjo është një gjë e pranuar nga tjerët dhe mua nuk më takon as ta diskutoj dhe as ta analizoj.
    Ju personalisht a mendoni se PS duhet të ketë një tjetër koalicion me LSI-në?
    Unë nuk e kam idenë se si është bërë koalicioni i parë. A është bërë me vazhdimësi, ne vazhdojmë të jemi në koalicion. Po ta kapësh ashtu, unë kam më shumë debate me ministrat e LSI-së se sa me Partinë Socialiste, ashtu sikurse kam edhe me ministrat e PS-së për gjëra që kanë problematika të caktuara. Unë personalisht nuk i shikoj politike. Unë i shikoj në aspektin se sa ky proces, ky problem shkon tek qytetari.
    Pra, ju e shihni edhe një mandat tjetër 4-vjeçar?
    Atë s’e vendos unë. Unë e mendoj se si do të përballem unë nesër me elektoratin tim. Si parti politike nuk shikoj unë me sytë e një njeriu, por me sytë e shumë njerëzve.
    Ka patur tensione dhe sigurisht nuk mund të mohohen, PS-LSI, ka qenë i lakuar vendi i Ministrit të Brendshëm. Një shkarkim apo një lëvizje nga ana e Kryeministrit Rama tek ministrat, konkretisht te z. Tahiri dhe zëvendësimi i tij me z. Xhafaj. Si e shihni z. Xhafaj në krye të Ministrisë së Brendshëm dhe sa i takon tensioneve nëse ka patur apo jo?
    Unë për vete nuk kam ndjerë ndonjë tension për aq kohë sa kam të komunikuar me ta. Me Saimirin kemi bërë fushatën e 2007-s me Edi Ramën, kur Saimiri ishte për PS-në dhe unë për LSI-në. Kështu që njihemi me njëri-tjetrin në punë. Unë atë ditë s’kam qenë në Parlament, por për shembull për shkarkimin e Saimirit, por jo vetëm të gjithë Ministrave do të kisha votuar kundër. Ashtu sikurse do të votoja pro për emërimin e të gjithë ministrave. Kjo ka të bëjë me bindjen time personale dhe s’ka të bëjë me pozicionin politik. Ndërsa për emërimin e z. Xhafaj, absolutisht ajo është një zgjedhje e z. Rama dhe një zgjedhje e z. Xhafaj që e ka pranuar. Kjo nuk është më çështje interesash, por çështje e zbatimit të ligjië dhe të ecësh përpara. Nuk e shikoj çështje tensioni. Pastaj deklarata përsa i përket punës dhe gjëra ka shumë. Kam qenë unë disa herë në komisariate policie për t’u ballafaquar me policët për sjelljen për shembull të gabuar të individëve të ndryshëm në zyrat elektorale të LSI-së.
    Ju thatë pak më parë se LSI i ka arritur objektivat e veta. A është objektiv i LSI-së z. Meta kryeministër?
    Unë do të dëshiroja ta ndryshoje pyetjen, sepse ju e bëni pyetjen dhe ne detyrohemi t’i themi gjërat tona dhe çfarë themi ne ju e transmetoni siç ju duhet. Unë në fakt nuk dua të merrem fare me këtë gjë, sepse për mua LSI-ja në qoftë se do Kryeministrin duhet të dalë forcë e parë. Pra në qoftë se anëtarët e LSI-së, strukturat drejtuese të LSI-së, nëse duan kryeministrin, nuk ka rëndësi se kush është, të punojnë dhe ta nxjerrin LSI-në forcë të parë. Shanset për të qenë LSI forcë e parë i ka, ashtu siç i kanë edhe partitë e tjera, e ka edhe PS, edhe PD, i kanë të gjitha partitë për të qenë forcë e parë. E gjitha bazohet në punën e strukturave të partisë, bazohet në planin e punës që bëjnë, në programin që ato përfshijnë dhe në përgatitjen e tyre elektorale.
    Ju do ta shihni bashkëshortin tuaj kryeministër?
    Nuk e shikoj fare si bashkëshort. Jemi bashkëpunëtorë, ashtu sikurse kemi përplasje të jashtëzakonshme me njëri-tjetrin.
    Përplasje për çfarë?
    Përplase dhe debate kemi pafund. Madje unë jam nga personat që kam debate më shumë nga të gjithë me Ilir Metën. Mund të rrimë me ditë të tëra pa folur për pozicionet apo qëndrimet e mia që unë kam në marrëdhëniet që mund të jenë nga problemet nga më të ndryshmet. Siç ka qenë ligji për arsimin e lartë, siç kanë qenë disa qëndrime të tjera përsa i përket disa projektligjeve që i kemi votuar për arsye të kompromisit dhe të bashkëpunimit ose për arsye të koalicionit dhe më pas kanë ardhur te fjalët tona, që të tjera gjëra thuhen dhe të tjera gjëra bëhen.
    Në momentin që debatoni, cili është ai që toleron në fund duke pasur sloganin me qetësi dhe me dashuri? 
    Është i qetë si person. Kur është i tensionuar thotë s’kam kohë. Tensionin më të madh të vetes e ka “s’kam kohë të merrem me ty”, flas për veten time si bashkëshorte. Në politikë secili pozicionohet në llogoren e vet. Në fakt eksperienca e gjatë e të dyve na ka bërë që pozicionimet tona të jenë në aspekte të ndryshme. Pra unë pozicionohem në një fushë tjetër, ai është i pozicionuar diku tjetër dhe kjo ka bërë që të mos përplasemi shumë. Por në momentet që këto dy, organizimi dhe vendimmarrja vijnë dhe përplasen, sigurisht që përplasja është e madhe, ka debate shumë të mëdha dhe pastaj me pak zbutje, toleron pak njëri dhe toleron tjetri, e kemi me grupe, pasi unë jam më shumë e përfshirë me rininë.
    Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin Rama, marrëdhënia juaj si Monika dhe si çift bashkëshortor?
    E para duhen parë gjërat në dy drejtime të ndryshme: njerëzore dhe politike. Nuk mendoj se politika do të varet nga humori i drekave dhe darkave. Sigurisht që jemi miq. Ne do të vazhdojmë. Nesër s’do të jemi në politikë. Unë të them të drejtën kam kohë që skam dalë as me Ilir Metën. Kam dy vjet që nuk bëj pushime verore dhe as dimërore. Ndodh sepse ka pasur angazhime siç është fokusimi, angazhimi, strukturat, fushata zgjedhore brenda partisë, pastaj kanë qenë problematika të tjera. Pastaj të mos harrojmë që unë kam dhe tre fëmijë të cilët janë rritur dhe ke obligime familjare. Dua t’ju pyes edhe për marrëdhëniet me z. Berisha duke pasur parasysh edhe kohën që merr z. Berisha në foltoren e Kuvendin cilat janë marrëdhëniet Meta-Berisha?
    Unë me çfarë kuptoj, unë e shikoj që Iliri ndjen një respekt ndaj doktor Berishës për shumë arsye. Ndoshta edhe nga avantazhi i të tjerëve, pasi ai ka pasur shansin që të punojë me të gjithë drejtuesit e partive politike, Nano, Rama apo Berisha. Ka jetuar dhe ka punuar në sensin, që nuk është pak të punosh pasi aty kupton edhe karakteret e njerëzve. Ai e ka thënë edhe publikisht qëndrimin e vet, sepse ndryshe kur e bën publik opinionin e tij për Berishën, ku ndërkohë e ka në pozicion tjetër përballë. Unë jam i bindur që Iliri nuk thotë atë që s’e mendon, nëse nuk i pëlqen e anashkalon dhe nuk shprehet. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë liderët, edhe me z. Basha. Nuk kam asnjë lloj kompleksi.
    Përflitet për një marrëveshje PS-LSI për presidentin që do të lihet në dorë të LSI-së në këtë mënyrë edhe koalicioni do të vazhdojë. Keni dëgjuar për këtë?
    Nuk kam dëgjuar fare. Di vetëm ato që kam dëgjuar nga media dhe nuk më intereson.
    A ka LSI ndonjë emër për president?
    Emër për president kanë të gjithë partitë politike
    Ju do ta shihni veten si presidente?
    Jo, se nuk e bëj, por nuk më pëlqen, pasi nuk është në karakterin tim ai pozicion.
    Të flasim pak për opozitën. Opozita është mbi një muaj në çadër. Deklaratat kanë qenë të fuqishme qoftë nga z. Basha, qoftë nga z. Berisha apo nga të gjithë deputetët që bëjnë me turne punën në çadër. Si do të shkohet në zgjedhje dhe si e shini opozitën ? Sa e fortë është opozita për ju?
    Një opozitë e fortë bën një qeverisje të fortë. Një opozitë e fortë krijon një institucion shtetëror të fortë. Një opozitë e dobët, të dyja këto janë të dobëta. Unë e vlerësoj protestën e opozitës, pavarësisht rrugën që ato kanë gjetur dhe nuk ka asgjë të keqe që protestojnë. Nuk është se më bëhet qejfi të bllokosh bulevardin dhe trafikun, sepse në fund të fundit qytetarët e vuajnë më shumë. Nuk e vuan as Rama e as Meta që dëgjojnë muzikën dhe fjalimet gjatë gjithë kohës. Ne kemi ardhur në këtë pikë sot, sepse shqiptarët e kanë harruar grevën e urisë të deputetëve në Parlament.
    Sepse po të ishin bërë ndryshimet kushtetuese në atë kohë, jo nën presion, ne nuk do të kishim as grevën e urisë të PS-së para disa viteve dhe as çadrën që ka opozita në shesh. Një opozitë e tillë, është shumë e mirë. Mua më bëhet qejfi që ajo po rritet dhe po forcohet, sepse duke u rritur dhe duke u forcuar edhe ne do të kthjellohemi, do të qartësohemi, do të largohemi nga ai komoditeti, nga shtrirja në rehatinë e pushtetit dhe do të zgjohemi dhe do të jemi më aktiv dhe më të përgjegjshëm në detyrat tona. 
    Vetëm pak ditë më parë ju patët një përplasje deklaratash me znj. Nikolla për reformën në arsim. Znj. Nikolla në reagimin e saj ajo përmendi vigjiljen e fushatës që ju i keni bërë këto deklarata në oponencë për të thithur më tepër vota?
    Ne e ezauruam pak më përpara atë gjë. Unë Linditën e kam patur mësuese. Më ka dhënë matematikë në gjimnaz. E vlerësoj dhe e përkrah në gjithë punën e saj që bën dhe e ka shumë të vështirë, ndoshta edhe me vetë problematikat që ka Ministria e Arsimit. Por jam e bindur që nuk e ka shkruar ajo mesazhin, por të tjerët. Pra, vazhdoj t’i qëndroj deklaratave të mia. Asnjëra nga ne nuk e ka me tapi pozicionin dhe i bëj thirrje prapë maturantëve që asnjëri të mos bëjë kompromise në kurriz të dijeve të tyre.
    Ne kemi nevojë për një brez të ri të rritur mirë, të shkolluar mirë, me mësues të aftë dhe jo me mësues të politizuar dhe militantë, dhe kemi nevojë për kurrikula të vërteta dhe moderne dhe shkolla moderne dhe evropiane vërtet. Një standard të ri. Nëse nuk do të prodhojmë një brez të ri me standarde të reja, qoftë në mentalitet, qoftë në edukim, qoftë në arsimin, ne do të shkojmë drejt asimilimit si komb.
    Vetëm pak kohë më parë bëri bujë deklarata juaj në lidhje me shafranin duke e krahasuar atë me kultivimin e kanabisit. Sigurisht mjaft i kushtueshëm. Ju thatë se keni ndërmarrë një strategji?
    Në fakt ju të “News 24” keni bërë një mision për këtë. Keni pasur në një emision edhe profesor Dervish Elezin, i cili është nga Dumreja. Është kultivuar, po kultivohet shumë. Është kultivuar në Malësinë e Tiranës, në Berat. E themi shafranin, sepse shafrani kërkon toka të varfra dhe dalim tek ajo që thashë pak më përpara, që pse s’na pëlqen kur i themi gjërat siç janë. Që në bujqësi investimet i kemi shumë të pakta. Unë do t’ju them vetëm diçka që Shqipëria ka rreth 15-20 milion euro subvencion në bujqësi. Kosova e ka 50 milion. Pra Kosova ka dyfishin e subvencioneve tona në bujqësi. Maqedonia që është sa gjysma jonë e ka 150 milion euro. Gati 10-fishin e subvencioneve që ka Shqipëria në bujqësi. Duke qenë se ti vetë si shtet je i varfër për të bërë subvencione në bujqësi, në blegtori, në fushën e agrokulturës, atëherë ty të duhet për të gjetur element, ose kultura të tilla të cilat kërkojnë toka të varfra dhe prodhim të menjëhershëm. Sepse shafrani mbillet në korrik dhe lulja merret në fund të tetorit. Dhe gratë që rrinë gjithë ditën në shtëpi dhe pa punë do të ulen në një tavolinë dhe do të pastrojnë pistilin e lules. Po ta shikosh tokat janë të varfra dhe nuk duan ujë. Pse shafranin? Dashje pa dashje, ndoshta nga indiferenca por ndoshta dhe nga drejtimi i gabuar, ne njerëzit i çuam drejt mbjelljes së kanabisit në mënyrë të fshehtë dhe do të jetë shumë e vështirë për ta larguar. Nëse njerëzve ne nuk do t’u ofrojmë punë, nuk do t’u ofrojmë mirëqenie, ata do të drejtohen dhe të gjejnë mënyra të tjera për të marrë para. Atëherë duke qenë që këtë gjë nuk e zgjidhim dot, sepse t’i nuk e shkul dot një gjë të tillë, atëherë duhet t’u ofrosh kultura të tjera ku fitimi i tyre është më i madh se kanabisi dhe nuk futen as në burg.
    Dhe nuk u bëhet as dëshmi penaliteti që nesër pas nesër, në qoftë se një djalë sot 16 vjeç futet në burg, sepse ujiste kanabis, pas 10 viteve nuk kandidon dot për deputet edhe pse ai mund të jetë një nxënës shumë i mirë, mund të jetë një njeri shumë i mirë, por për arsye të mbijetesës, sepse nuk ka bukë të hajë, sepse ka prindërit në burg, sepse nuk kanë paguar energjinë elektrike, detyrohen të bëjnë një gjë të tillë.
    Ju teksa keni prezantuar si alternativë, si strategji sigurisht nuk keni folur me z. Meta, sepse ai e kundërshtoi këtë alternativë?
    Iliri nuk është shumë i mirë në biologji. Unë kam mbaruar për biokimi dhe e njoh dhe kam biseduar shumë me profesor Panaritin. Ilir Meta nuk ishte dakord, sepse nuk ishte dakord që Shqipëria ishte e mbuluar me kanabis dhe jo se ishte kundër mbjelljes së shafranit.
    Dua t’ju pyes, LIBRA-LSI do e shihnit bashkë?
    Unë i shoh të gjitha partitë bashkë. Nuk i shoh veç. Unë kam qenë në shkollë me bashkëshorten e Ben Blushit, e cila është shoqja ime shumë e mirë. Ashtu sikurse Ben Blushi ka qenë në klasë me Ilir Metën. Prandaj dhe nganjëherë njerëzit nuk duhet t’i besojnë ato urrejtjet e mëdha në televizor në mënyrë të tillë që dashje padashje i transmetojmë në publik dhe ndodhin gjëma të tjera nga më të mëdha. Secili nga ne del dhe përfaqësohet me një program, por ajo që është më e rëndësishme, është që ne të gjithë bashkë të pranojmë standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme të pacenueshme. Sepse vetëm kjo nxjerr jashtë loje çdo abuzim apo çdo intimidim, që mund t’i ndodhi një procesi dhe politikës shqiptare.