Interesi i KLSH-së, mirëqeverisja e vendit

572
Ne nenin 162 të Kushtetutës përcaktohet, se “Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”. Në përputhje me funksionin e tij kushtetues, si një institucion i pavarur i depolitizuar dhe i departizuar. Ligji i ri organik i KLSH nr 154/2014 “Për organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ka përcaktuar kompetencat e këtij institucioni. Në përmbushje të këtij misioni KLSH me performancën e deritanishme dhe me raportet që ka prodhuar për Kuvendin dhe publikun, i ka realizuar më së miri detyrat e tij. Performanca e punës së KLSH tregohet më së miri nga rekomandimet që ky institucion u ka bërë subjekteve të audituara që në tërësinë e tyre përbëhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme. Organet e qeverisjes së përgjithshme, duke filluar nga Qeveria deri tek njësia më vogël që administron fonde publike, janë përgjegjëse përpara taksapaguesve për miradministrimin e tyre. Ato duhet t’i përdorin këto fonde me efektivitet me eficiencë dhe me ekonomicitet. Shifrat e deklaruara vitet e fundit nga KLSH si shpërdorime të fondeve publike nga administrata qendrore dhe vendore, që vlerësohen në qindra milion dollarë, janë alarmante dhe nuk flasin për një qeverisje të mirë, e për rrjedhojë organet e pushtetit, duhet të analizojnë në frymë kritike punën e tyre dhe të marrin masat e duhura të propozuara nga KLSH për rikuperimin e tyre. Kështu për shembull vetëm për vitin 2015 nga auditimet e kryera në institucionet qendrore (kryesisht Ministri dhe institucione të tjera qendrore ), për rregullimin e gjendjes janë lënë 557 rekomandime që përfshijnë në vetë vete masa organizative, zhdëmtimi disiplinore si dhe masa për përmirësime të legjislacionit ekzistues (Pa përmendur këtu faktin se KLSH ka referuar në Prokurori për vitin 2015 për ndjekje penale 51 raste, për 150 persona, që me dashje apo nga pakujdesia kanë shkaktuar një dëm efektiv për buxhetin e shtetit në shumën mbi 86 miliard lekë ose rreth 670 milion dollarë).

 Nga raportimet e këtyre institucioneve dhe verifikimet e vetë KLSH-së, rezulton se këto masa janë realizuar në rreth 60 %, tregues ky i ulët krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo rënie ka si burim të shtuar edhe qëndrimin e mbajtur kohët e fundit nga menaxhimi i lartë shtetëror ndaj rekomandimeve të KLSH. Drejtuesit e këtyre institucioneve duhet të argumentojnë nëse rekomandimet e këtij institucioni bien ndesh me atë që përcakton ligji themelor i shtetit apo me ligjet e tjera të shtetit, ku janë mbështetur këto rekomandime, në të kundërt duhet t’i zbatojnë plotësisht ato. Moszbatimi pa asnjë argument ligjor, është tregues i mungesës së vullnetit për ta luftuar korrupsionin dhe krimin ekonomik, që janë prezent në të gjitha strukturat vendimmarrëse që administrojnë fonde publike e pranuar tashmë gjerësisht. Rekomandimet e KLSH shërbejnë përveç të tjerash dhe si masë parandaluese për rastet e abuzimeve me fondet publike nga personat e ngarkuar me detyrë për miradministrimin e tyre. Këto rekomandime të dhëna nga KLSH janë tregues të performancës së tij, gjë që shprehet më së miri dhe nga vlerësimet pozitive që kanë dhënë Institucionet Ndërkombëtare në lidhje me punën e këtij institucioni. Administrata publike nga njësia më e vogël deri te ajo qendrore dhe ligjvënësit, duhet ta vlerësojnë e falënderojnë këtë institucion për punën që ka bërë e po bën, për kontributin që jep në luftën kundër krimit ekonomik e korrupsionit dhe jo të heshtin, e aq më keq t’i kundërvihen, çka dëmton në çdo rast jo KLSH-në, por miradministrimin në drejtim të mirëqeverisjes së vendit e për rrjedhojë, duke dëmtuar interesat e taksapaguesve shqiptarë.
Sigal