Institucionet në kaos, miliona lekë pa u paguar për punët e mbaruara

550
Sigal

Nga janari 2014, u mbyllën 114 subjekte private, ndër to 23 biznese të mëdha, 2500 persona deklarohen të papunë

 Prej disa muajsh institucionet e shtetit janë zhytur në kaos financiar, duke ç’akorduar gjithë sistemin e drejtimit nga lart poshtë. Pothuajse të gjitha institucionet e shtetit kanë vite që nuk paguajnë për projektet e zbatuara, pra punët e mbaruara si rrugë, objekte, ujësjellës, rrjete kanalizimesh, hidrovorë, sisteme sinjalistike etj.. Bashkia e Durrësit, Bashkia e Sukthit, Bashkia e Shijakut, e Manzës, Qarku i Durrësit, komunat e Rrashbullit, Ishmit, Maminasit, Katundit Ri, Xhafzotajt, e shumë institucione të tjera janë debitore ndaj dhjetëra kompanive shqiptare, të cilat kanë përfunduar punimet e projekteve, të cilat janë marrë në dorëzim madje, por nuk u kthejnë paratë. Premtimi Kryeministrit dhe ministrit të Financave se, “do t’u kthejmë paratë e prapambetura kompanive që janë akumuluar në vite”, duket se ka rezultuar i dështuar, në rastin më të keq mashtrim. Bashkia e Durrësit ka bashkë me Bashkinë e Shijakut mbi 2 vjet që nuk shlyen paratë kompanive që kanë mbaruar punimet në disa rrugë, objekte dhe rrjete kanalizimesh, Qarku i Durrësit ka mbi 2 vjet e gjysmë që sorollat, kthen për arsye nga më banalet situacionet e firmave dhe kompanive duke mos dashur t’u kalojë atyre paratë e punimeve të kryera. Ka kompani e firma që kanë mbi 500 milionë lekë apo edhe 1 milion euro pa paguar prej 2-3 vitesh dhe sot janë drejt mbylljes, apo punojnë me para borxh të marra nga bankat. Kaosi institucional e financiar që ka mbërthyer shtetin, duket se, po rrënon çdo ditë biznesin, dhe kjo gjë në Durrës është evidente. Për 6- mujorin e parë 2014, kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit të tyre 114 subjekte private, ndër ato 23 janë firma dhe kompani të klasifikuara si biznesi madh. Konkurrenca e pandershme, loja e “ të fortit me kollare” që veç postit, ka edhe biznese të tjera, po detyron ata që nuk i bëjnë ballë presioneve, të deklarojnë falimentin. Mbi 2500 persona janë deklaruar të papunë në 6 muajt e parë të 2014 si pasojë e mbylljes dhe kufizimit të aktivitetit privat. Prej 1 viti po punojnë ata që kanë mbështetje politike, ata që ndajnë 25 përqindëshin me kryetarin e komisionit tenderues, ata që nuk e kanë haberin nga zanati dhe nuk kanë as stafin dhe makineritë për zbatimin e projekteve të financuara. Kaosi institucional dhe financiar po rrënon jo vetëm bizneset, por edhe ata që deri tani kanë pasur një vend pune diku. Shoqata e Biznesit i bën thirrje ministrit të Financave dhe Kryeministrit të vendit, të mbajnë premtimet të marrin masa urgjente dhe të ndalin degradimin e institucioneve, pasi klientelizmi dhe korrupsioni po mbërthen çdo ditë zyrat dhe zyrtarët e shtetit.

 Artur AJAZI